Aktualitet

3 Mars 2020, 12:24 Nga DOSJA

TIRANE- Operacioni Forca e Ligjiti ka dërguar formularin për të deklaruar pasuritë dy subjekteve të radhës, përkatësisht Eljon Hatos, dhe Ilir Selmanit, të dy të dënuar për vrasje. Eljon Hato, njihet nga të gjithë si shoku i Ervis Martinajt. Hato ishte pjesë e masakrës së ish-bllokut, që ndodhi  më 4 tetor të 2018, ku aty mbeti i plagosur. Më 26 shkurt Gjykata e Tiranës liroi nga burgu të riun, pasi  dha “arrest shtëpie”, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Por edhe më herët ai ka qenë i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale. Më 12 maj të vitit 2014, Eljon Hato nën efektin e alkoolit akuzohet se vrau një moshatarin e tij pas një sherri banal. (Lexo këtu më shumë lajme për Eljon Haton). 

Ndërsa i dyti, është një emër nga banda që akuzohet se ekzekutoi ish-policin Santiago Malko, edhe ky mik me Martinajn.

Ilir Selmani njihet nga të gjithë me nofkën “Boksieri”. Ai ka qenë pjesë e klanit Duka dhe është shpallur në kërkim nga Policia për vrasjen e Santiago Malkos. Selmani është personi që mblodhi afër vendit të ngjarjes bishtat e cigareve që kishte konsumuar Blendi Teta, dhe i hodhi në koshin e mbeturinave. Selmani njihet edhe për jetën e luksit, pasi është i apasionuar pas udhëtimeve, makinave të shtrenjta dhe selfie-ve. Në një vëzhgim të Dosja.al, rezultoi se modelja Trejsi Sejdini dhe Selmani kishin të dy veshur të njëjtën varëse floriri. (Lexo këtu më shumë lajme për Ilir Selmanin). 

Njoftimi i Policisë:

Vijon Operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, personave që janë subjekt i këtij ligji. Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve: E. H., banues në Lezhë, i dënuar për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”; I. S., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Brenda 48 orësh, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Me qëllim evidentimin dhe dërgimin në SPAK, të të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special, OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse.

Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi.

Që prej 3 shkurtit, OFL ka nisur goditjen dhe sekuestrimin e pasurive të emrave të njohur të botës së krimit. OFL ka dërguar tashmë formularin tek Suel Cela dhe Plarent Dervishaj, Dash Gjoka, Emiljano Hysenaj, Lulzim Berisha, Edlir Hysenaj, Altin Hajri, Ardian Capja, grupi i Dukagjinit, Saimir Taullau, Ben Qimja, Durim Bami, Landi Muharremi, Bardhok Pllanaj, Alberto Lamaj, Dritan Dajtit, Xhevdet Troplinit, Emiljano Shullazit, Gjergj Cukalit, Orges Jahelezi dhe Pajtim Serjanit, Gazmend Mahmutajt, Edison Çobos, Ervis Martinajt, Arben dhe Valentino Kaçorrit, Altin Lames, Eduard Dushkut, Fatjon Lazes, Kreshnik Budllës, Astrit Avdylajt, Astrit Balliut, Arben Frrokut, Jasin Kalas Durim Keçit, Flamur Hakës , Talo Çelës, Aurel Hoxhallarit dhe Elidon Kotorrit. 

(J.V;F.G/Dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet anti-kçk-ja zbret në terren eljon hato ilir selmani anti-kçk-ja zbret në terren eljon hato ilir selmani

Sondazh

Poll