Sali Berisha
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha rikonfirmoi edhe njëherë se do të rikthehet në SHBA për të takuar miqtë e tij, pak ditë pasi administrata Trump hoqi sanksionet ndaj familjes së kryedemokratit. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, Lideri i opozitës tha se e mbrojti dinjitetin e tij në gjykatë, ndërsa nuk kurseu falënderimet për miqtë e tij amerikanë për mbështetjet e fuqishme që i dhanë në këtë betejë.
Pjesë nga bashkëbisedimi me qytetarët:
Albanian American: Doktor, heqja e sanksioneve për interes kombëtar të SHBA, është një logjikë diplomatike e përdorur në raste të veçanta. E kemi parë tek Mandela apo tek Narendra Modi, kryeministri i Indisë. Pra, performanca nuk është për arsye shëndetësore, por përdoret kur personi kontrollon një proces të rëndësishëm politik, duhet të marrë pjesë në negociata dhe ka rol në stabilitetin e vendit. Pra, në lidhje me Mandelën, arsyet e dizenjimit ishin të ndryshme, por logjika diplomatike është e njëjtë siç u pa më vonë. Mandela takoi presidentin e vendit, u konsiderua si aktor i rëndësishëm politik dhe pati vizita të shumta në Uashington, derisa u shpall president. Po ashtu dhe Modi i Indisë. Ka diçka që nuk na e thoni? Pra, ndonjë ftesë të nivelit të lartë që lidhet me personin tuaj? Faleminderit.
Sali Berisha: Faleminderit shumë për pyetjen. Unë ndjehem shumë mirënjohës ndaj të gjithë shqiptaro-amerikanëve dhe miqve të mi amerikanë që më dhanë mbështetje të fuqishme. Por duhet të jemi realistë. Modi u hoq kur u bë kryeministër i vendit të dytë apo vendit të parë më të madh në botë në popullatë. Mandela kur u bë simbol i qëndresës njerëzore. Por në dallim nga të gjithë të tjerët, Sali Berisha zgjodhi një rrugë tjetër. Zgjodhi gjykatën, padita për shpifje Sekretarin e Shtetit, i cili me vendimin e tij, pa asnjë bazë, lëndoi dinjitetin tim. Tani do kërkoj durimin tuaj t'ju bëj një shpjegim. Në qoftë se kthehemi në vitet '80, Sali Berisha ka qenë një kardiolog i apasionuar, shumë i apasionuar. I dashuruar shumë pas profesionit të tij, por ka qenë dhe një studiues me publikime origjinale serioze ndërkombëtare. Ka qenë pra një mjek me zero ambicie politike.
Vendimi i Sali Berishës për t'iu kundërvënë regjimit në mënyrë absolute nuk kishte asnjë qëllim pushtetin. Sepse e dija mirë që regjimi me të cilin do të përballesha, kishte çdo fuqi që brenda një minute të më tregonte vendin mua për gjithmonë. Po atëherë pse e mora unë atë vendim? Atë vendim e mora për dinjitetin tim. Duhet të jem shumë i sinqertë. Sepse unë nuk mund të pranoja më atë duplicititetin, të luajmë atë dupleks që na ishte imponuar në diktaturë, që të tjerë të mendonim dhe të tjerë të thoshim në kolektiv. Nuk mund të pranoja kurrë të qëndroja indiferent, ta pranoja atë tirani urie, tiraninë e urisë që nuk ekzistonte në asnjë vend tjetër ish-komunist si në Shqipëri. Kur them tirani urie, unë jam mjek dhe unë konstatoja çdo ditë sëmundjet e urisë kronike të qytetarëve shqiptarë, e defiçitit proteinik. Nuk mund të pranoja atë izolim të tmerrshëm të një kombi, që nuk e pranon izolimin. Pra, të gjitha këto së bashku kishin të bënin me dinjitetin tim. Dhe unë çdo ditë që qëndroja në duplicitet, nuk isha ai që duhet të isha.
Dhe atë vendim e mora. Historia e zhvillimeve dihet më vonë. Por unë, qëndrimin tim, shkrimet e mia, prononcimet e mia kishin lidhje vetëm me një gjë: të bëja atë që s'kisha bërë. E vërteta është se ai vendim më mori disa vite mua. Nuk ishte vendim i lehtë, të jemi të hapur miq. Kisha fëmijë, kompleksi i rrethanave familjare nuk më lejoi që ta merrja më shpejt. Mund ta merrja, po për vete, po ama duhet të mendoja në kompleks. Kurse tani, kaq vite më vonë, pasi isha pothuajse krejt i tërhequr nga jeta politike, përveçse interesit kombëtar, ai nuk lëshohet kurrë, gjer në minutën e fundit. Edhe në varr po të mundesh duhet ta mbrosh. Asgjë tjetër nuk merresha. Tani Edi Rama me mentorin e tij gjetën si rrugë për të më skualifikuar mua, dizenjimin, nga njeriu që më kishte lavdëruar më shumë se kushdo tjetër në botë për luftën e suksesshme kundër korrupsionit.
Ai është. Të shihni shkoni merrni minutat e takimit tim kur ka qenë top-këshilltar tek zëvendëspresidenti Biden. Kështu që dhe këtë radhë duhet të mbroja dinjitetin tim. Kisha bërë një betejë ku kisha vendosur çdo gjë timen në funksion të saj. Por kjo nuk më deshi vite, kjo më deshi jo më shumë se gjysmë ore. Dhe ne si shqiptarë që kemi kult mikun, edhe mirë e kemi, kemi një thënie: Zot mbrona nga miqtë, se nga armiqtë ruhemi vetë. E kam thënë atëherë, ja kam përsëritur vetes 100 herë dhe zgjodha gjykatën, si rrugën e nderit për t'u përballur. Kjo natyrisht zgjoi reaksione, unë jam i vetëdijshëm. Por unë ju siguroj se do shkoj në Shtetet e Bashkuara dhe atje kam shumë miq dhe mezi pres t'i takoj, natyrisht në kohën të përshtatshme për ta. Faleminderit./Dosja.al