Politike

Kthimi i terminalit të autobusëve në qendër tregtare, Bashkia: Do ketë prona private. Veliaj: Tirana s’shantazhohet

11 Shkurt 2019, 14:39 Nga DOSJA
Kthimi i terminalit të autobusëve në qendër tregtare,

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë lidhur me ‘shndërrimin’ e terminalit të autobusëve në një qendër tregtare. (Lexo këtu) Ditën e sotme, gjatë ceremonisë së 99 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet të Shqipërisë, Veliaj, prona do të shpronësohet sipas ligjeve në fuqi dhe terminali i autobusëve do të ndërtohet për t’u vënë më pas në shërbim të qytetarëve të saj. Veliaj nuk e ka sqaruar konkretisht, nëse do të ketë një qendër tregtare në këtë objekt dhe thotë se Tirana nuk shantazhohet. 

“Kemi kërkuar nga Ministria e Transporteve që të përshijmë në terminal edhe Stacionin e Trenit, duke qenë se edhe treni do të rikthehet në Tiranë me një stacion kryesor, tek terminali i autobusëve tek Kthesa e Kamzës, dhe pastaj me një stacion qytetas. Për të gjithë ata privatë që një tokë shteti, siç ishte zona e Kthesës së Kamzës në librat e Bashkisë së Tiranës, e kanë tjetërsuar me lloj-lloj marifetesh për të ndërtuar qendra tregtare, dua t’iu them sot publikisht se nuk më intereson fare sa deputet i pushtetshëm apo milioner i madh mund të jesh, interesi publik është mbi interesin privat. Në zonën e Kthesës së Kamzës, pavarësisht çudirave, poshtërsive dhe falsifikimeve që janë bërë me tokat, do të jetë terminali i autobusëve të Tiranës, dhe stacioni i trenit i qytetit të Tiranës. Duke thënë këtë, dua t’i garantoj edhe deputetët, edhe milionerët, kush ka letra prone, sigurisht do të shpronësohet sipas ligjeve që ka Republika e Shqipërisë dhe vendimeve të Bashkisë së Tiranës, ama Tirana nuk ka më kohë për të humbur, Tirana nuk mund të shantazhohet, dhe Tirana do të respektojë çdo pronësi kundrejt pagesës, sepse Tirana nuk mund të rrijë pa terminal autobusësh e pa stacion treni, teksa hyn në 100-vjetorin e dytë të saj”, deklaroi Veliaj.

Por pas sqarimit të tij, Bashkia e Tiranës ka dalë me një deklaratë lidhur me rastin. Sipas Bashkisë, në të njëjtën zonë po punohet për zhvillimin e projektit të linjës hekurudhore Durrës-Tiranë –Rinas dhe në dispozicion të këtyre dy projekteve, përveç pronës në pronësi të Bashkisë së Tiranës, duhet të vendosen dhe disa prona private, në këtë rast qendra tregtare.

“Në lidhje me ndërtimin e Terminalit Hekurudhor, tashmë shoqëria Hekurudha Shqiptare sha i është drejtuar zyrtarisht Bashkisë së Tiranës mbi bashkëpunimin për zhvillimin e këtyre dy projekteve madhore në fushën e transportit publik. Në dispozicion të këtyre dy projekteve, përveç pronës në pronësi të Bashkisë së Tiranës, duhet të vendosen dhe disa prona private, vendosja e të cilave do të realizohet nëpërmjet procedurave ligjore të shpronësimit publik,”-shkruhet në reagimin e Bashkisë.

Kujtojmë që Këshilli i Ministrave ka vendosur kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës një truall me sipërfaqe 85.000 m2, ndërsa sipërfaqja që zë qendra tregtare dy-katëshe është 19.290 m2. 

Reagimi i plotë i Bashkisë:

Bashkia e Tiranës, mbështetur në politikat e saj dhe në strategjinë e zhvillimit të qëndrueshëm të transportit në qytetin e Tiranës, në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), ka identifikuar nevojshmërinë e krijimit të një terminali multimodal për transportin publik në Bashkinë e Tiranës.

Për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave ka miratuar disa akte nënligjore, në funksion të vijimit të procedurave për realizimin e këtij projekti. Me vendimin nr. 770, datë 10.11.2011, Këshilli i Ministrave ka vendosur kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës, të truallit me sipërfaqe 85.000 m2, me qëllim përdorimin e saj për ndërtimin e Terminalit Multimodal të Pasagjerëve.

Me anë të vendimit nr. 445, datë 22.05.2013, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar Bashkinë e Tiranës, si autoritetin kontraktues për dhënien me koncesion vendor të projektimit të ndërtimit, financimit, operimit dhe transferimit të terminalit të transportit publik në qytetin e Tiranës.

Së fundmi, nga disa takime të përbashkëta ndërinstitucionale, jemi bërë me dije se Qeveria Qendrore, nëpërmjet shoqërisë Hekurudha Shqiptare sha, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, po punojnë për zhvillimin e projektit të linjës hekurudhore Durrës-Tiranë -Rinas dhe ndërtimit të stacionit të Terminalit Hekurudhor. Ky terminal hekurudhor, synohet që të integrohet në terminalin multimodal për transportin publik në Bashkinë e Tiranës, projekt i cili po finalizohet nga ana e Bashkisë së Tiranës.

Në lidhje me ndërtimin e Terminalit Hekurudhor, tashmë shoqëria Hekurudha Shqiptare sha i është drejtuar zyrtarisht Bashkisë së Tiranës mbi bashkëpunimin për zhvillimin e këtyre dy projekteve madhore në fushën e transportit publik. Në dispozicion të këtyre dy projekteve, përveç pronës në pronësi të Bashkisë së Tiranës, duhet të vendosen dhe disa prona private, vendosja e të cilave do të realizohet nëpërmjet procedurave ligjore të shpronësimit publik.

Për sa më sipër, ku interesi publik dhe ai i qytetarëve mbizotëron mbi çdo projekt tjetër, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të bashkëpunojnë për të siguruar funksionalitetin optimal dhe zhvillimin e këtyre dy projekteve, në shërbim dhe funksion të qytetarëve të vendit tonë.

(k.m./dosja.al)

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

politike politike bashkia e tiranes erion veliaj terminali hekurudhor durrës-tiranë –rinas terminali i autobuseve bashkia e tiranes erion veliaj terminali hekurudhor durrës-tiranë –rinas terminali i autobuseve

Sondazh

Poll