Politike

VD-Berisha: Refuzimi për gjenocidin serb në Kosovë është akt makabër antikombëtar

Berisha tha se veprimi i kryeministrit Edi Rama tregon se Tirana është shndërruar në një Beograd të vogël.

3 Qershor 2022, 12:34 Nga DOSJA
VD-Berisha: Refuzimi për gjenocidin serb në Kosovë
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi ditën e sotme se refuzimi i Kuvendit për gjenocidin serb në Kosovë është akt makabër antikombëtar. Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha tha se veprimi i kryeministrit Edi Rama tregon se Tirana është shndërruar në një Beograd të vogël.

'Refuzimi nga qeveria aktuale pseudo-mazhoranca aktuale, për të denoncuar gjenocidin serb në Kosovë, është një akt makabër antikombëtar, është një përdhosje, është një ekzekutim për së dyti i mbi 10 mijë fëmijëve, grave, burrave të cilët u masakruan në vitet 1998-1999 në suazën e operacionit ‘Patkoi’, operacion që kishte për qëllim dhunën masive, masakrat dhe përzënien masive të shqiptarëve nga Kosova. Ky vendim, apo ky akt i Edi Ramës dëshmon qartë se Tirana nuk është gjë tjetër veçse një Beograd i vogël. Dhe se, jo interesat kombëtare të shqiptarëve, por interesat çnjerëzore ekspansioniste të Beogradit janë preferenca dhe përparësia e qeverisë së Tiranës. Kjo situatë po shkon drejt një drame të vërtetë. Nuk ka patriotë shqiptarë, nuk ka qytetarë të vërtetë shqiptarë që mund të pranojë rreshtimin e Tiranës me Beogradin në qëndrimin ndaj gjenocidit serb në Kosovë. Një qëndrim të tillë mbajti Edi Rama dhe tre javë më parë me rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë. Imagjinoni pra, se kush qeveris këtë vend. Mbrojtja dhe mohimi i gjenocidit dënohet me ligj ndërkombëtar. Në vend që të kushtëzohet çdo qëndrim ndaj Beogradit me njohjen e gjenocidit serb në Bosnje dhe Kosovë, mohohet gjenocidi, mohohen qindra mijëra të rënë, shpirtra të vdekur dhe kjo vetëm për shkak të vasalitetit absolut të Edi Ramës ndaj Vuçiçit. Ka ardhur koha që çdo shqiptar të mendojë mirë për interesin e tij kombëtar, për dinjitetin e tij kombëtar. Gjenocidi serb e kam theksuar këtu para jush dhe në takime të tjera, në vitin 1913 në zonën e Lumës, Krumës, Tropojës dhe Dibrës, ka njohur formën më të egër në Luftën e Parë Botërore dhe kjo është e certifikuar nga Komisioni Ndërkombëtar i ngritur për hetimin e kryera gjatë luftës dhe të shkaqeve të saj. Megjithatë, në rezolutën që dorëzuam ne u ndalëm vetëm te gjenocidi i kryer nga Beogradi në vitet 98-99 në Kosovë. Por gjenocidi serb ndaj shqiptarëve është ciklik. Ai ka filluar në 1874 dhe mbaron në vitin 1999, me disa valë, me disa cikle. Kemi të bëjmë me një qeveri antishqiptare e cila qeve ris vendin për interesa të Beogradit dhe kjo është e padurueshme, është e patolerueshme. Dy janë çështjet shqetësimet më themelore sot, shushunjat, bordet e Edi Ramës që po boshatisin xhepat e shqiptarëve dhe po i varfërojnë dhe mjerojnë ata gjithnjë e më shumë; shkelmimi i interesit kombëtar nëpërmjet mohimit të gjenocidit të shqiptarëve. Unë kam besim të madh se qytetarët shqiptarë do t’i japin përgjigje më të merituar në një kohë të ardhshme dhe PD do të angazhohet, do t’i kërkojë të angazhohet në një debat me qytetarët për t’i dhënë përgjigjen më të merituar kësaj qeverie antishqiptare.'- tha Berisha.

 

Sondazh

Poll