"Injoroi kërkesat e protestuesve"/ Berisha: Gjesti i Ramës për fëmijën autik tregon se është një birbo që e ka ndjeshmërinë në nivel shtazor
Berisha: Gjesti i Ramës për fëmijën autik tregon se është një birbo që e ka ndjeshmërinë n&eum...
Berisha: Gjesti i Ramës për fëmijën autik tregon se është një birbo që e ka ndjeshmërinë n&eum...
Dita e 55-të e protestës/ Nis grumbullimi i qytetarëve në sheshin ‘Skënderbej’ 24 Korrik, 19:30 ...
"Rilindja 2.0 është emri i ciklit të ri politik"/ Rama: Besa është metoda që ky cikël të kthehet në...
Gjyqi kundër Olsi Dados/ Gjykata Administrative rrëzon Veliajn, Ndreca: Do shkojmë në Apel 24 Korrik, 11:03 ...
Të nderuar politikanë, po jua kursej mundimin, sot unë do t`ua tregoj Protestuesin Zero.

Politika e të gjitha krahëve është duke kërkuar dëshpërimisht "protestuesin zero". Po, pikërisht atë, njësoj si në kohën e pandemisë kur kërkohej pacienti zero nga i cili nisi infeksioni. Sot, me këtë shkrim, dua t'u drejtohem të gjitha akseve të politikës që janë përfshirë në këtë kërkim kaq “thelbësor”.
Të nderuar politikanë, po jua kursej mundimin, sot unë do t`ua tregoj Protestuesin Zero.
Në fillim ishte heshtja, pastaj erdhi ai.
Erdhi ai që nuk kishte flamuj partie në duar, as megafon të paguar nga fondet e errëta të zyrave tuaja dhe as ndonjë skenar të qepur në prapaskenat e lidershipit të radhës. Kishte vetëm një pankartë të thjeshtë, të shkruar me dorë mbi një karton të gjetur nxitimthi, dhe një peshë në kraharor që nuk e nxinte më shtëpia. Ai është Protestuesi Zero.
Në fillim menduat se ishte vetëm një rast i izoluar. Një zë që mund të injorohej në mes të sheshit, një pankartë përballë kordonit të policisë që do të lihej në harresë ose do të mbytej nën zhurmën e altoparlantëve tuaj. Por llogaritë ju dështuan. Sot, në sheshet e Shqipërisë, nuk ka më një individ të vetëm. Sot, të gjithë ne jemi Protestuesi Zero.
Na ktheu në të tillë një qeverisje që, vit pas viti, shiti, tjetërsoi dhe përdhosi gjithçka tonën: pasurinë publike, dinjitetin, votën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Na kthyen në pikën zero, aty ku nuk kemi më se çfarë të humbasim, përveç prangave të apatisë. Kur një pushtet vjedh të shkuarën dhe privatizon të ardhmen, çdo qytetar i thjeshtë që refuzon të uli kokën kthehet në zanafillën e një revolte morale.
Dhe mos u lodhni kot me propagandën që turret ta nxijë sheshin. Na quajtët "vegla", "sabotatorë", “armiq të brendshëm e të jashtëm”, “iranianë”, “grekë”, e së fundmi edhe “budallenj”. Nuk ka ekran të paguar që e fsheh dot të vërtetën. Ne nuk jemi në rrugë për skenarin e ndonjë partie, por nga halli i madh i një plaçkitjeje kombëtare që nuk ka precedent. Jemi në shesh sepse mbajmë mbi supe peshën e aferave që po na marrin frymën.
Dhe këto nuk janë thjesht shifra të ftohta mbledhjeje. Janë paratë e të sëmurëve të Onkologjikut që lihen pa ilaçe, janë djersa e mësuesve, mjekëve, pensionistëve, bizneseve të vogla dhe rinisë që ikën me biletë vetëm vajtje. Kjo është harta e grabitjes që na nxori në rrugë:
Mbi 430 milionë euro janë zhdukur me Aferën e Incineratorëve, "vjedhja e shekullit" ku u paguan miliona nga taksat tona për impiante që ose nuk ekzistojnë, ose nuk punojnë, ndërsa paratë fluturuan në llogari ofshore. Edhe kur skandali plasi e njerëzit dolën në kërkim, pagesat nga buxheti vazhdonin të rridhnin qetësisht.
Po aq e rëndë është vjedhja me Koncesionet në Shëndetësi. Sterilizimi dhe Check-Up-i gllabëruan mbi 350 milionë euro. Shëndetësia që propagandohej si falas u kthye në biznesin më fitimprurës të klientëve të qeverisë, me kontrata dhjetëravjeçare ku paguhen miliona edhe për shërbime që nuk kryhen, ndërsa spitalet tona publike vuajnë për fashat dhe alkoolin.
Kthehemi pak në Vlorë, tek "Tigrat e Energjisë", anijet-TEC lundruese që erdhi me zhurmë të madhe e premtime bombastike për të shpëtuar vendin nga kriza energjetike, duke na kushtuar plot 85 milionë euro qira dhe mirëmbajtje por shpëtuan vetëm xhepin e Yuri Kimit. Miliona euro të paguara nga xhepat tanë për një strukturë të ndryshkur që rri e ankoruar në Triport si monument i korrupsionit të pastër, pa prodhuar asnjë megavat energji, ndërsa faturat e dritave për qytetarët vetëm rriten.
Ndërsa bizneset e thjeshta shqiptare zhyten në taksa e gjoba, na shfaqet skandali "Durana" në Xhafzotaj. Përmes kësaj zone të lirë ekonomike të qepur me porosi në zyrat e qeverisë, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm fillestar prej të paktën 20 milionë eurosh nga përjashtimet doganore, TVSH-ja e falur dhe dështimi i detyrimeve kontraktuale. Një parajsë fiskale e dhuruar mbi pjatë të argjendtë për klientët e pushtetit, ndërsa tregtarët mbyten përditë nën peshën e ligjeve të reja tatimore.
Më tej, me Satelitët Albania 1 dhe Albania 2 korrupsioni preku qiellin, duke djegur plot 6 milionë euro për një kontratë shërbimi që askush nuk e sheh ku përkthehet. Na premtuan syrin magjik që do të kontrollonte territorin, kanabisin, ndërtimet pa leje dhe kufijtë, por satelitët shërbyen vetëm si rrena 3D për propagandën e radhës nëpër salla konferencash.
Nuk mbetet pas as bota digjitale me Aferën e AKSHI-t. Janë mbi 150 milionë euro të dhëna nëpër tendera të dyshimtë e të mbyllur për sigurinë kibernetike dhe portalet që bien çdo dy javë. Të dhënat tona personale, rrogat, targat, numrat e telefonit u rrodhën në pazar të hapur, ndërsa paratë e tenderave vazhdojnë të shkojnë në xhepat e kompanive të paracaktura.
Pastaj vjen Projekti i Portit të Durrësit, ku mbi 2 miliardë euro pasuri publike, truall dhe infrastrukturë strategjike iu falën një investitori privat përmes një marrëveshjeje të errët. Porti historik po kthehet në një kompleks pallatesh luksi, ndërsa qytetarët shqiptarë do të duhet të paguajnë sërish miliona euro nga xhepat e tyre për të ndërtuar një port të ri tregtar në Porto Romano.
Dhe mu aty pranë, po në Durrës, na mbin Skandali i Eko Parkut, një projekt me vlerë 15 milionë euro. Aty ku ish-gropa e tmerrshme e mbeturinave në Porto Romano u transformua kinse në park gjelbërimi me miliona euro nga taksat tona, por ku tenderat, projektimet dhe paratë publike rrodhën lumë nëpër subjekte e studio të lidhura direkt me thjeshtrën e kryeministrit.
Nuk mbetet pas as niveli lokal me Aferën "5D" në Bashki, ku dëmi i provuar deri tani llogaritet në rreth 11 milionë euro. Drejtorët më të lartë krijuan kompani private për t'i dhënë tendera publikë vetvetes. Paratë që duhej të shkonin për rrugë lagjesh, ujësjellës, kopshte e shkolla, përfunduan në hotele luksoze dhe llogari bankare zyrtarësh.
Gjithashtu, kemi ato që tashmë quhen "Rrugët e Arta të Floririt". Në akse si Milot-Balldren apo Unaza e Tiranës, fryrja e kostove kap shifrën e frikshme prej mbi 600 milionë eurosh dëm të pastër krahasuar me çmimet reale të tregut evropian. Dhe tmerri më i madh është skema e fëlliqur e copëtimit: projekte unike që ndahen qëllimisht në 100 lote e nën-lote të vogla, thjesht dhe vetëm që të shmanget gara ndërkombëtare, të fryhen kostot administrative dhe që secili oligark apo klient i oborrit të marrë pjesën e vet të tortës.
Për të mos folur pastaj për fondet e BE-së (IPARD), ku plot 71 milionë euro të fermerëve u pezulluan dhe u bllokuan nga Evropa sepse u dhanë për vila e agroturizma të pushtetarëve.
E gjithë kjo kulmon me Tjetërsimin e Pronave, Sazanin dhe Zvërnecin. Bregdeti shqiptar e parqet tona po ndahen me ligje të qepura me porosi për "investitorët strategjikë", ku vlera e truallit të falur dhe e pasurisë publike të tjetërsuar i kalon 500 milionë euro. Sazani po falet vetëm që kryeministri të blejë një biletë favori e të shihet mirë nga Trump përmes dhëndrit të tij, Jared Kushner. Ndërsa Zvërneci, një zonë e mbrojtur me ekosistem unik, po kthehet në shesh ndërtimi për vila luksi.
Kur na shihni në shesh, ju nuk shihni thjesht njerëz të zemëruar; ju shihni pasqyrën e krimeve tuaja ekonomike. Nuk ka bojë të zezë që mund të nxijë një popull që kërkon llogari për miliardat e vjedhura. Nuk ka analist të blerë që mund të justifikojë faktin pse një pensionist duhet të jetojë me 150 euro në muaj, ndërsa një firmë fantazmë merr miliona euro në ditë nga paratë e tij.
Kur ulemi dhe bëjmë llogarinë e këtyre provave të zeza mbi të bardhë, shifra totale e dëmit financiar të shkaktuar nga këto afera kap vlerën astronomike prej mbi 4.2 miliardë eurosh. Kjo nuk është thjesht një statistikë ekonomike; është fatura e varfërimit të një kombi, vjedhja e organizuar e më shumë se dy të tretave të të gjithë buxhetit vjetor të shtetit, e marrë direkt nga xhepat e qytetarëve për të majmur një grusht njerëzish.
Në një vend normal, përballë kësaj masakre ekonomike dhe kombëtare, do të duhej të ngrihej një opozitë e fortë, e pastër dhe frymëzuese. Ne jemi në shesh edhe për shkak të dështimit dhe plogështisë së vetë opozitës zyrtare.
Opozita e sotme ka humbur të drejtën morale për të udhëhequr këtë revoltë. E mbytur në luftëra të brendshme për karrige, e konsumuar nga të njëjtat mëkate të së shkuarës, ajo nuk ofron dot një alternativë të vërtetë. Madje, kur sheh që një protestë është e pastër dhe nuk e kontrollon dot, turret ta sulmojë e ta përçajë, duke përdorur të njëjtën gjuhë si qeveria.
Kujtesa jonë kolektive është e vrarë nga tradhtitë e të shkuarës. Kemi parë aq shumë kauza të pastra të shuhen nëpër zyra, aq shumë greva e revolta qytetare që u përdorën si monedhë këmbimi nga matrapazët e politikës për të siguruar një karrige, një tender apo një amnisti.
Ndaj sot, urimi, lutja dhe betimi ynë më i madh mbi atë shesh duhet të jetë vetëm një: Kjo protestë nuk duhet dhe nuk do të shitet!
Ky zemërim nuk ka çmim. Ky shesh nuk është pronë e asnjë lideri që kërkon të bëjë pazar mediatik me djersën dhe shpresën tonë të fundit, as e partive e as e partiçkave, as e liderve të mëdhenjë e as e liderve të vegjël. Kushdo që guxon të mendojë se mund ta përdorë këtë frymë për interesa të ngushta, do të perballet me të njëjtin refuzim si qeveria. Nuk kemi dalë në rrugë për të ndërruar thjesht emrin e atij që na vjedh. Kemi dalë për dinjitet. Dhe dinjiteti nuk negociohet në asnjë tryezë sekrete.
Sot nuk ka më një udhëheqës dhe një ndjekës. Sot, secili prej nesh që bërtet për drejtësi, që mbron dinjitetin e tij dhe që refuzon të ikë nga ky vend, është fillimi i diçkaje të re. Kur pushteti të vjedh dhe opozita të sulmon sepse nuk të kontrollon dot, atëherë sheshi mbetet i vetmi institucion legjitim. Ne jemi Protestuesi Zero. Dhe këtë herë duhet të jemi syçelë, sovranë dhe të patregtueshëm.
Foto nga protesta në Korçë Protesta pa kokë , pa emër , pa numër, e organizuar sipas tyre, nga "poli -agjentët" grek&e...
Lutfi Dervishi Po të gjykohet nga ajo që është parë deri tani, një nga veçoritë më interesante të k&eum...
Shqipëria po hyn në një fazë ku konflikti politik po transformohet në konflikt mbi aksesin te prona dhe kapitali. Për afro 15 vj...
Meri Lika Nga pikëvështrimi i profesionit tim, çdo pasuri publike mbart një vlerë të jashtëzakonshme për komunite...
Ik sot, po munde, se mund të mbrohemi nga të huajt më lehtë sesa ç’mund të mbrohemi nga budallallëku funksional q&e...
Le ta themi hapur: Sali Berisha fitoi!Ai e tregoi se është bërë nga brumi i atyre që nuk dorëzohen.Ndërsa të tjerë...
Sot nuk po marshojmë vetëm për krenari.Po marshojmë për mbijetesë.Po marshojmë në një kohë kur politika shqi...
Kur Mario Kempes erdhi në Lushnjë, nuk kërkoi as pasaportë, as leje banimi. Erdhi, pa, dhe u largua me avionin e fundit. Sylvinho, Zabalet...
Agim Nesho Ne nuk e kishim besuar asnjëherë që Europa kishte nevojë për Talibanizmin perëndimor, për të mbijetuar n...
Për kombin tonë, integrimi europian është më shumë se pranimi në familjen europiane. Ky është momenti historik ku...