4 Dhjetor 2022, 07:00
Nga A.B
Foto ilustruese
Temperatura në ulje, qëndrimi i ngrohtë dhe konsumi i energjisë në shtëpi po bëhet një sfidë e madhe për shumë njerëz. Rritja e kostos së energjisë dhe inflacionit në grupe kryesore si ushqimi e karburanti është kryefjala e ditëve të shqiptarëve, të cilët po rreken të gjejnë zgjidhje të situatës, “pa thyer bankën”. A po ndryshon konsumi nga tetori 2022?
Kriza e kostos së jetesës ka goditur rëndë konsumatorët në vendin tonë në vitin 2022. Fatura mesatare vjetore e ushqimeve parashikohet të rritet më shumë, çmimet e benzinës dhe karburantit të naftës kanë arritur nivelet më të larta. Megjithatë, në muajt e fundit mbizotërojnë diskutimet e rritjes së çmimit të faturave të energjisë.
Në fakt, energjia po gërvisht vetëm sipërfaqen e krizës së kostos së jetesës. Por si kanë reaguar konsumatorët në Shqipëri ndaj krizës së kostos së jetesës?
Si përgjigje, buxhetet e familjeve po ndryshojnë, me nevojat bazë si energjia, transporti dhe ushqimi që zënë një pjesë më të madhe.
Paratë e vendosura për kursime dhe shpenzimet e luksit janë shkurtuar në mënyrë drastike – një prirje e cila pritet të vazhdojë. Konsumatorët po blejnë sasi më të vogla, ose po shtyjnë blerjet. Shumica po u drejtohen zbritjeve ose markave më të përballueshme.
Nga vëzhgimet në treg vihet re se shqiptarët kanë përshtatur sjelljen në të gjitha fushat e shpenzimeve që nga fillimi i vitit 2022, kryesisht kur bëhet fjalë për energjinë, ushqimin dhe udhëtimet, por edhe aktivitetet sociale dhe, madje, edhe kujdesin shëndetësor.
Ndërsa familjet me të ardhura më të ulëta janë goditur më së shumti dhe po ndryshojnë sjelljen në një numër më të lartë se popullsia mesatare, duhet theksuar se edhe në mesin e konsumatorëve me të ardhura mbi mesataren, shumë prej tyre po ndryshojnë sjelljen.Këtë vjeshtë kanë nisur të ndryshojnë zakonet e konsumit në fushën e shpenzimeve për shtëpinë dhe energjinë.
Për shembull, shumë qytetarë deklarojnë se do të shmangin sa të munden ngrohjen për të kursyer energji, ose do të fikin apo do të shmangin pajisje si ekspresi i kafesë, thekësen e bukës, mikrovalën, për të kursyer energjinë elektrike.
Sipas tyre, ndryshimi i lajmërimeve për vendosjen apo jo të fashës së energjisë, nxit më tepër nevojën për kursim, në rast se diçka tjetër ndryshon rrugës.
Në një vëzhgim në disa karburante në kryeqytet (“Kastrati” pranë kompleksit “Deliorgji”, karburanti “Braka” në Selitë dhe “Eida” në TEG) vihet re rritje e kërkesës për gaz. Subjektet thonë se qytetarët kryesisht kërkojnë mjete alternative për gatim.
Përfaqësues të “Aladini Shop” shprehen se është rritur kërkesa për priza ekonomike, të cilat u vendosen burimeve ekzistuese në shtëpitë e qytetarëve dhe reduktojnë deri në 50% energjinë elektrike.
Kërkesat, sipas tyre, mendohet të jenë më të larta, duke marrë në konsideratë se po afrohen festat e fundvitit dhe familjarët vënë dritat në pemën e Krishtlindjes.
Nga “GjejeVetë” thonë se një produkt i cili ka tejkaluar pritshmëritë ka qenë një pajisje dushi, e cila zëvendëson dushet ekzistuese dhe që ngroh-ftoh ujin në kohë të shpejtë dhe me një reduktim të energjisë së konsumuar deri në 50%. Duke marrë në konsideratë që produkti kushton 2990 lekë, kushton më pak se zëvendësimi i bolierit.
Nga “Globe”, dyqan shitjesh me pakicë elektroshtëpiake, deklarohet se kërkesat e qytetarëve për zëvendësim të elektroshtëpiakeve kanë qenë të larta. Sipas tyre, nisën që në muajt e verës. “Ne ofrojmë mundësinë e sjelljes së elektroshtëpiakeve ekzistuese, vlerësimit të tyre dhe blerjen e një pajisje elektroshtëpiake të re, me shtimin e një vlere relativisht të ulët.
Kjo gjë ka pasur interes, kryesisht në zëvendësime sobash, kondicionerësh dhe bolierësh me eficiencë energjie A+++. Duke marrë parasysh rritjen e çmimeve, është pozitive”, – shprehen përfaqësuese shitjesh pranë “Globe”.
Nga “Comodita Home” dhe “Ozdilek”, si dhe në një vëzhgim në Tregun Çam, deklarohet rritje e kërkesave për batanije.
Dikur ka pasur interes për batanijet elektrike, por këtë vit, sipas tyre, s’ka pasur kërkesa për të tillë, për shkak të çmimeve që mund të ndryshonin në konsumin e energjisë. Të pyetur a ka pasur rritje çmimi ky produkt, na informojnë se çmimet e artikujve shtëpiakë janë në nivelet e një viti më parë, me ndryshime të vogla në produktet e importit.
Nga “Mobileri Europa” deklarojnë se ka pasur rritje të kërkesave për të ndryshuar dritaret e shtëpive, sidomos në pallate apo shtëpi private që janë ndërtime përpara vitit 2000. Sipas tyre, çmimet e dritareve plastike kanë qenë në një nivel prej 160-200 eurosh për dritare dhe eficienca e tyre, krahasuar me dritare duralumini, është e lartë.
Përfaqësues të kompanisë “Roefix” shprehen se kanë pasur kërkesa të larta për shërbime termoizolimi. Sipas tyre, kryesisht të brendshme në pallate, sepse marrja e lejeve për shërbime të jashtme është më e komplikuar. Ndërsa në shtëpitë private, kërkohen më shumë të jashtme.
Kjo metodë, sipas tyre, kursen energjinë në maksimum dhe gjithashtu rrit vlerën e pronës, në rast se pronarët duan ta shesin në një të ardhme të afërt.
Si po ndryshon konsumi
Për shembull, shumë qytetarë deklarojnë se do të shmangin sa të munden ngrohjen për të kursyer energji, ose do të fikin apo do të shmangin pajisje si ekspresi i kafesë, thekësen e bukës, mikrovalën, për të kursyer energjinë elektrike. Sipas tyre, ndryshimi i lajmërimeve për vendosjen apo jo të fashës së energjisë, nxit më tepër nevojën për kursim, në rast se diçka tjetër ndryshon rrugës.
Duke vëzhguar çmimet më të larta, konsumatorët vazhdojnë të reduktojnë produktet jothelbësore. Privimet kanë prekur të gjithë familjen, duke shkurtuar disa shpenzime, ushqime dhe pije, blerje dhe shpenzime shtëpiake. Edhe shpenzimet e supermarketeve janë shkurtuar.
Të pyetur për “Monitor”, qytetarë të ndryshëm në rrugët e Tiranës deklarojnë kanë filluar të blejnë marka me çmime më të ulëta në supermarkete dhe të reduktojmë ushqimet jothelbësore. “Jemi drejtuar te makaronat, orizi më i lirë.
Mish marrim në thertore, kryesisht të grirë. Qumështi, bulmetet, janë shtrenjtuar, i marrim kur i kemi të domosdoshme. Ndonjëherë s’kemi më para për fruta, pasi blejmë perimet që duhen patjetër”, – thotë një zonjë rreth të 60-ave, në dalje të një supermarketi në kryeqytet.
Një në pesë persona të pyetur në dalje të disa supermarketeve të lagjeve “21 Dhjetori” dhe Rruga e Kavajës, pohojnë se po blejnë më pak peshk ose mish.
Agjenci të ndryshme udhëtimi shprehen se ka ndryshuar sjellja e të interesuarve për udhëtime. Duke marrë shkas nga afrimi i festave të Nëntorit, kanë pasur interes të lartë në vendet e rajonit, në oferta kryesisht 3-4 ditore.
Nga “Ilirida Travel” pohohet se në resorte malore në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut apo Kosovë, çmimet kanë qenë thuajse të një niveli me vitin e shkuar dhe qytetarët mendojnë se, ofertat 3-ditore me transport, ushqim e lehtësi të tjera janë tejet në favorshme, edhe se sa qëndrimi në shtëpi për të njëjtën periudhë ditësh pushimi.
Agjenci të tjera deklarojnë se qytetarët po shmangin përdorimin e makinës së tyre, për shkak të rritjes së çmimit të karburantit.
Një e treta e paketave kërkohet me transport sa i përket rajonit. Gjithashtu kanë qenë të leverdishme dhe të kërkuara, kryesisht për qytetet italiane fluturime të lira nëpërmjet linjave ajrore ekonomike.
Ka shumë arsye pse faturat e energjisë elektrike janë më të larta këto ditë. Ne jemi ende duke u marrë me çështje të zinxhirit të furnizimit nga pandemia që vazhdon, konflikti gjeopolitik po ndikon në çmimet e energjisë dhe ngjarjet ekstreme të motit po bëhen më të shpeshta.
Të gjitha kanë efekt në faturën e energjisë, qoftë me rritje të konsumit apo çmim të rritur. Për shembull, me më shumë njerëz që rifillojnë udhëtimet e kohës së lirë dhe bizneset kthehen në funksionimin normal, kërkesa për energji është rritur. Ashtu si shumë sektorë, kompanitë e energjisë po luftojnë për të gjetur materiale dhe fuqi punëtore të nevojshme për të përmbushur kërkesën, prandaj, rrisin çmimet.
Por ka një arsye tjetër, shpesh të papritur për fatura më të larta elektrike: tarifa më të larta për atë konsumin shtesë. Me llojet e ndryshme të sendeve shtëpiake, sa më shumë të blini, aq më shumë kurseni për njësi – prandaj, kjo është logjika e blerjeve me shumicë.
Por energjia elektrike është ndryshe. Një tjetër arsye pse fatura juaj e energjisë elektrike mund të jetë e lartë është se po shpenzoni shumë energji. Sipas “Connect4Climate”, rreth 35% e konsumit të energjisë së banesave shpërdorohet.
Barometri vjetor i përballueshmërisë së Eurokonsumatorëve, i publikuar në fillim të këtij viti, tregoi tashmë pesimizëm të madh dhe perspektivë të zymtë për financat e konsumatorit, pasi inflacioni në rritje, kriza e vazhdueshme e Covid-19 dhe çmimet e energjisë filluan të godasin vendin.
Që atëherë, efektet shkatërruese të luftës në Ukrainë kanë shtuar edhe më shumë presion mbi çmimet. Euroconsumers ka publikuar rezultatet e një tjetër sondazhi në shkallë të gjerë, të kryer në vendet e pesë organizatave anëtare të tij (Belgjikë, Portugali, Itali, Spanjë dhe Brazil), që tregon se si konsumatorët po përshtaten me këtë realitet (të ri).
Ai zbuloi se shumica e të anketuarve tashmë kanë ndryshuar ndjeshëm sjelljen e tyre – kryesisht në fushat e energjisë, ushqimit dhe lëvizshmërisë. Dhe e ardhmja nuk duket e ndritur, pasi një numër shqetësues i të anketuarve treguan se nuk u ka mbetur asnjë marzh apo kursim për t’u marrë me rritjen e çmimeve në të ardhmen./MONITOR
konsumatoret
Ekonomi
3 Dhjetor 2022, 09:46
k.m.
Foto ilustruese
Një projekt i madh “premton” që t’i kthejë Durrësit lavdinë e humbur. “Durrës Yachts ...
Ekonomi
3 Dhjetor 2022, 08:14
d.a.
Foto ilustruese
Nga Nertila Maho
Është e vështirë sot të bësh një panoramë të plotë të procesit t&e...
Ekonomi
2 Dhjetor 2022, 11:37
A.B
Foshnje
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka miratuar disa ndryshime në udhëzimin “Për mbledhjen e kontributeve të detyrue...
Ekonomi
2 Dhjetor 2022, 09:47
A.B
Foto ilustruese
Parregullsitë në prokurimet publike, pas të cilave ka një lumë ankesash nga pjesëmarrësit në gara p...
Ekonomi
2 Dhjetor 2022, 07:04
A.B
Foto ilustruese
Banka Botërore e indeksoi këtë vit me 20 për qind rritje kufirin relativ të varfërisë për shkak t&e...
Ekonomi
2 Dhjetor 2022, 07:02
A.B
Ministria e Financave zhvilloi në fund të muajit nëntor rihapjen e ankandit të obligacioneve 15 vjeçare, që rezultoi me nj&eum...
Ekonomi
2 Dhjetor 2022, 07:01
A.B
Inflacioni i lartë mund të jetë pranë pikut dhe vitin e ardhshëm pritet të një ulje graduale e tij.
Analiza më e fund...
Ekonomi
1 Dhjetor 2022, 16:19
k.m.
Moody's
Ekonomia shqiptare vlerësohet nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit (credit rating agency) Moddy&rsquo...
Ekonomi
1 Dhjetor 2022, 07:05
A.B
Vendosja nga 1 janari 2022 e taksës së hirrës dhe kremit të qumështit që importohet në Shqipëri në vlerën e ...
Ekonomi
1 Dhjetor 2022, 07:04
A.B
Gaz
Teksa dimri nis të ndihet në vendin tonë dhe rritja e inflacionit në grupmallra të domosdoshëm për shportën fam...