LIVE UPDATES
Bota

Një çerek shekulli nga ekstradimi i Millosheviçit: Në Hagë pa aktgjykim, në Serbi i rehabilituar

Ekstradimi u bë në ditën e Vidovdanit, një festë kombëtare e Serbisë e lidhur me Betejën e Kosovës kundër Perandorisë Osmane në vitin 1389 dhe një ngjarje me simbolikë të veçantë për nacionalistët serbë.

27 Qershor 2026, 10:19 Nga I.A
Një çerek shekulli nga ekstradimi i Millosheviçit: Në
Sllobodan Millosheviç

SERBI- Sllobodan Millosheviç, i cili për dhjetë vjet qeverisi në mënyrë autoritare Serbinë dhe Jugosllavinë e atëhershme - të përbërë nga Serbia me Kosovën dhe Mali i Zi - u ekstradua në Hagë para 25 vjetësh.

Ekstradimi u bë në ditën e Vidovdanit, një festë kombëtare e Serbisë e lidhur me Betejën e Kosovës kundër Perandorisë Osmane në vitin 1389 dhe një ngjarje me simbolikë të veçantë për nacionalistët serbë.

Ndonëse ka kaluar një çerek shekulli nga ajo kohë, në Serbi, edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të jenë të fortë zërat që minimizojnë ose mohojnë përgjegjësitë e Millosheviqit për luftërat në ish-Jugosllavi, të cilat morën mbi 100 mijë jetë njerëzish, si dhe për izolimin ndërkombëtar të Jugosllavisë, që e zhyti vendin në varfëri të thellë dhe kriminalitet.

Sot, figura më e pranishme në media nga familja e Millosheviqit është nipi i tij 27-vjeçar, Marko Millosheviq.

Babai i tij, djali i Sllobodan Millosheviqit, i cili po ashtu e ka emrin Marko, u largua nga Serbia menjëherë pas rrëzimit të regjimit në tetor të vitit 2000 dhe u zhvendos në Moskë, ku jeton edhe sot.

Ish-bashkëshortja e tij e parë u kthye në Serbi me djalin e porsalindur dhe u vendos në shtëpinë familjare të Millosheviqëve në Pozharevc - rreth 80 kilometra në lindje të Beogradit.

Pasi përfundoi studimet në Fakultetin Juridik, Marko Millosheviq hyri në politikë.

Sot, ai është deputeti më i ri i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) në Kuvendin e Serbisë.

Sllobodan Millosheviq e udhëhoqi këtë parti deri në vdekjen e tij, në vitin 2006, ndërsa partia nuk u distancua kurrë prej tij.

Duke folur për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, nipi i tij thotë se respekton mendimet e ndryshme për vitet ’90, por këmbëngul se ekstradimi i Millosheviqit përbënte shkelje të rendit kushtetues të Serbisë.

“Unë, si jurist, nuk mund ta shoh ndryshe”, thotë ai.

Marko Millosheviq është aktualisht një nga figurat më të ekspozuara të socialistëve në media.

Ai shfaqet shpesh në mediat e lidhura me pushtetin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, mbi të cilin vazhdon të rëndojë hija e periudhës kur, si ministër i Informimit në një nga qeveritë e Millosheviqit, zbatoi ligjin famëkeq për mediat.

Nga ana tjetër, viktimat e regjimit të Millosheviqit nga komunitetet e tjera etnike nuk kanë pothuajse fare hapësirë as në media, as në politikë.

Për Murat Tahiroviqin, kryetar i Shoqatës së Viktimave të Gjenocidit, kjo është dëshmi se Serbia nuk dëshiron të distancohet nga politika e Millosheviqit.

“Krimet e kryera mohohen, ndërsa të gjithë ata që janë përgjigjur për këto krime, pas kthimit në Serbi, janë të pranishëm në hapësirën publike”, thotë ai.

Bashkëshortja e Sllobodan Millosheviqit, Mirjana Markoviq, u largua nga Serbia në vitin 2003 dhe u vendos në Rusi, ku fitoi azil politik.

Në vitin 2005, agjencia ndërkombëtare e policisë, Interpol, lëshoi një urdhërarrestim ndërkombëtar për të, pasi nuk u paraqit në gjykim në Serbi për akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ajo dyshohej se kishte marrë pjesë në ndarjen e paligjshme të një banese shtetërore për kujdestaren e nipit të saj.

U gjykua në mungesë, por në mars të vitit 2019, Gjykata e Apelit në Beograd e shfuqizoi vendimin me të cilin ishte dënuar me një vit burg.

Markoviq u hetua edhe nën dyshimet se kishte ndihmuar djalin e saj, Marko Millosheviqin, në kontrabandën e cigareve.

Emri i saj u përmend edhe në hetimet paraprake për vrasjen e gazetarit serb, Sllavko Quruvija.

Ajo vdiq më 14 prill 2019 në Rusi, ndërsa hiri i saj u varros pranë Sllobodan Millosheviqit, në oborrin e shtëpisë së tyre në Pozharevc.

Ashtu si nëna e tij, edhe Marko Millosheviq mori azil në Rusi.

Gjatë viteve ’90, ai lidhej me krimin e organizuar, ndërsa në fillim të viteve 2000 ndaj tij u hap një hetim për kontrabandë cigaresh.

Ai u gjykua edhe për rrahjen e dy aktivistëve të lëvizjes opozitare “Otpor” në vitin 2000 në Pozharevc. Procedura zgjati deri në vitin 2013, kur rasti u parashkrua.

Për herë të parë pas shumë vitesh, Marko Millosheviq u shfaq në publik në mes të vitit 2023, në zbulimin e një monumenti kushtuar të atit në Moskë.

Ceremonia u organizua nga grupi i motoçiklistëve “Ujqërit e Natës”, i cili është nën sanksione nga Perëndimi për lidhjet e tij me presidentin rus dhe për mbështetjen e pushtimit rus të Ukrainës.

Vajza e tij nga martesa e dytë, Marija, jeton në Moskë.

Ajo u shfaq për herë të parë në mediat serbe në mars të vitit 2026, në përvjetorin e vdekjes së gjyshit të saj.

Në një intervistë për televizionin privat serb, Informer, ajo deklaroi se gjyshi i saj “u vra në Tribunalin e Hagës”.

Djali i Marko Millosheviqit nga martesa e parë, i cili mban po të njëjtin emër, është deputet i Partisë Socialiste të Serbisë në Kuvendin e Serbisë.

Ai thotë se nuk hyri në politikë për të rehabilituar gjyshin apo për të vazhduar politikën e tij, por “për të reformuar arsimin”.

Vajza e Sllobodan Millosheviqit, Marija, jetoi për shumë vite në Mal të Zi.

Tabloidët serbë raportuan në mars të vitit 2026 se ajo ishte kthyer në Serbi, në 25-vjetorin e vdekjes së të atit, dhe se ishte vendosur sërish në shtëpinë familjare në Pozharevc.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti ta konfirmonte këtë informacion.

Marija Millosheviq u përball edhe me një procedurë penale pasi, në ditën e arrestimit të të atit në vitin 2001, në vilën “Mir” në Dedinje, qëlloi me armë zjarri drejt gjyqtarit hetues dhe personave që e shoqëronin.

Pas marrjes në pyetje, ajo u largua në Mal të Zi. Rasti u parashkrua në vitin 2021.

Sllobodan Millosheviq u arrestua në prill të vitit 2001, gjashtë muaj pas Revolucionit të 5 Tetorit në Serbi, që çoi në rrëzimin e tij nga pushteti.

Protestat masive shpërthyen pasi ai manipuloi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 24 shtatorit 2000, në të cilat kundërshtar kishte Vojisllav Koshtunicën.

Qeveria e re serbe e arrestoi fillimisht nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Por, ai nuk u gjykua kurrë në Serbi për këto akuza.

“Institucionet e asaj kohe nuk kishin as kapacitetin teknik dhe as vullnetin politik për t’u përballur me trashëgiminë e tij politike dhe penale”, thotë Pavlle Gërboviq, deputet i opozitës nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) dhe një nga politikanët e rrallë në Serbi që flet hapur për rolin e Millosheviqit në luftërat e viteve ‘90.

Dy muaj pas arrestimit, Millosheviq u ekstradua në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konflikteve në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Prokuroria paraqiti 66 pika të aktakuzës, duke e akuzuar për përfshirje në dhjetëra krime të kryera kundër mijëra viktimave në këto tri vende, përgjatë gati një dekade.

Në gjykim dëshmuan më shumë se 300 dëshmitarë për krimet e kryera nga forcat nën kontrollin e tij.

Megjithatë, ai nuk e priti aktgjykimin. Vdiq në paraburgimin e Tribunalit në Sheveningen, në mars të vitit 2006.

Sllavica Gjukiq-Dejanoviq, e cila iu bashkua Partisë Socialiste të Serbisë 36 vjet më parë, mbeti në pozita të larta politike edhe pas rrëzimit të Millosheviqit.

Socialistët, në fakt, kanë qenë pjesë e çdo qeverie serbe që nga viti 2008.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ajo pranon se “disa elemente të politikës së jashtme mund të ishin zgjidhur ndryshe”, por thekson si arritje të qeverisjes së Millosheviqit Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, si dhe Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnje e Hercegovinë.

“Nga kjo distancë kohore, mendoj se pak politikanë do ta kishin udhëhequr shtetin më mirë se ai”, thotë ajo.

“Njerëzit e interpretojnë të kaluarën nga këndvështrimi i së tashmes. Rikthimi i figurave të asaj periudhe në hapësirën publike normalizon edhe politikat e tyre të viteve ‘90”, vlerëson Eric Gordy, profesor i Sociologjisë Politike në Universitetin e Londrës.

Një gjë, sipas tij, mbetet e pandryshuar.

“Është e qartë se njerëzit që ishin në pushtet në Serbi gjatë viteve ’90, janë edhe sot në pushtet”, thotë Gordy, duke aluduar në elitën politike të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Bëhet fjalë për ish-anëtarët e Partisë Radikale Serbe, një forcë ultranacionaliste e viteve ‘90, e cila u transformua në Partinë Përparimtare Serbe (SNS) në vitin 2008, me orientim formal proevropian.

Katër vjet më vonë, ajo mori pushtetin dhe, në koalicion të vazhdueshëm me socialistët, qeveris Serbinë edhe sot.

Megjithëse deklarativisht mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, kritikët thonë se autoritetet serbe janë rikthyer te narrativët nacionalistë.

Ato nuk e njohin gjenocidin në Srebrenicë dhe mohojnë përgjegjësinë shtetërore për krimet e kryera në Kosovë.

Ndërkohë, Vojisllav Sheshel, ish-lideri i Partisë Radikale Serbe, pas kthimit nga Haga, ku kaloi 12 vjet në paraburgim dhe gjykim, vazhdon të mbrojë publikisht politikat e Millosheviqit dhe të relativizojë krimet e kryera gjatë luftërave të viteve ‘90.

Dhe, nuk është vetëm Vojisllav Shesheli.

Kur në mars u shënua 20-vjetori i vdekjes së Sllobodan Millosheviqit, në një televizion me frekuencë kombëtare në Serbi, për trashëgiminë e tij folën pozitivisht disa të ftuar - mes tyre edhe i dënuari për krime lufte, Vesellin Shlivançanin.

Zërat me qëndrime të kundërta, ndërkohë, rrallë arrijnë në mediat kryesore të Serbisë, e cila udhëhiqet nga Vuçiq.

Kryetari i Partisë Demokratike opozitare, Sërgjan Millivojeviq, ishte aktivist i lëvizjes studentore “Otpor”, që luftoi kundër regjimit të Millosheviqit.

Edhe sot, ai e konsideron atë “dëmin më të madh politik dhe kombëtar në historinë e Serbisë”.

“Në një kohë kur bota po ecte me hapa të mëdhenj drejt përparimit, ai e ndali Serbinë përmes sanksioneve që iu vendosën për shkak të politikave të tij”, thotë Millivojeviq.

Për shkak të përfshirjes aktive në luftërat në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, Kombet e Bashkuara vendosën një sërë sanksionesh ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë.

Vendi u përball me rënie të thellë ekonomike, rritje të çmimeve dhe zhvlerësim të monedhës vendase, duke përjetuar një nga hiperinflacionet më të mëdha në historinë botërore.

Vitet ‘90 u shënuan edhe nga sulmet ndaj kundërshtarëve politikë.

Për atentatin e dështuar ndaj liderit opozitar, Vuk Drashkoviq, dhe rrëmbimin dhe vrasjen e ish-presidentit serb, Ivan Stambolliq, u dënuan pjesëtarë të Njësisë për Operacione Speciale të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit.

Në aktgjykime, Sllobodan Millosheviq u identifikua si urdhërdhënës, por ai nuk u gjykua kurrë për këto raste.

“Nëse është kështu, pse nuk e dënuan? Besoj se askush nuk do ta humbiste një mundësi të tillë”, thotë nipi i tij, Marko Millosheviq.

Megjithatë, gjykimi për vrasjen e Stambolliqit nisi kur Millosheviq ndodhej në Hagë, ndërsa aktgjykimi përfundimtar u shpall në vitin 2007, një vit pas vdekjes së tij.

E pyetur nëse Partia Socialiste e Serbisë është distancuar mjaftueshëm nga politika e Millosheviqit, Sllavica Gjukiq-Dejanoviq thotë se kushdo që ka kryer krime, duhet të mbajë përgjegjësi, por shton se “krime ka pasur nga të gjitha palët”.

“Fakt është se shumë nga gjeneralët dhe presidentët tanë u dërguan në Tribunalin e Hagës për të dënuar popullin serb dhe Serbinë”, thotë ajo, duke përsëritur një qëndrim që ndajnë jo vetëm partitë në pushtet, por edhe një pjesë e opozitës.

Në Serbi, të dënuarit për krime lufte vazhdojnë të trajtohen me nderime.

Një shembull është Nebojsha Pavkoviq, ish-gjeneral i Ushtrisë Jugosllave, i cili vdiq në tetor të vitit 2025.

Ai u varros në Alejen e Qytetarëve të Merituar në Beograd me nderime shtetërore dhe ushtarake.

Në ceremoni morën pjesë ministra të Qeverisë së Serbisë, përfaqësues të presidentit, drejtues ushtarakë, të dënuar të tjerë nga Haga dhe veteranë të njësive të shpërbëra të luftës.

Një tjetër rast është ai i Vlladimir Llazareviqit.

Pas vuajtjes së dënimit, ai u kthye në Serbi në vitin 2015 me avion të Qeverisë dhe u prit nga disa ministra.

Më pas u emërua ligjërues në Akademinë Ushtarake dhe u shpall qytetar nderi i një komune në jug të Serbisë.

Por, nuk bëhet fjalë vetëm për të dënuar nga Tribunali i Hagës.

Sipas Murat Tahiroviqit, trajtim të ngjashëm gëzojnë edhe persona të dënuar nga gjykatat vendore.

Ai përmend rastin e Novak Gjukiqit, ish-gjeneral i Ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar në vitin 2014 nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës me 20 vjet burg për vrasjen e më shumë se 70 civilëve në masakrën e Portës së Tuzllës.

Para shpalljes së aktgjykimit, Gjukiq u arratis në Beograd, ku vazhdon të jetojë i lirë.

I lirë është edhe ish-komandanti i Xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq Guri, të cilin Shtetet e Bashkuara e lidhin me vrasjen e vëllezërve Bytyqi pas luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Sot, ai është anëtar i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.

“Kjo është dëshmi se establishmenti politik i viteve ‘90 vazhdon ta ketë fjalën kryesore në Serbi”, thotë Tahiroviq.

Deputeti opozitar serb, Pavlle Gërboviq, vlerëson se mënyra e qeverisjes së Partisë Përparimtare Serbe, përfaqëson vazhdimësinë me regjimin e Millosheviqit.

“Dallimi është se, atëherë, armiku kërkohej kryesisht te popujt e tjerë jashtë Serbisë, ndërsa sot kërkohet brenda vendit, tek ata që nuk janë besnikë ndaj Partisë Përparimtare Serbe”, thotë ai.

Serbia mbetet një shoqëri thellësisht e polarizuar.

Prej më shumë se një viti, ky vend është përfshirë nga protesta kundër korrupsionit, përqendrimit të pushtetit në duart e një partie të vetme dhe keqpërdorimit të mediave.

Këto shqetësime janë pasqyruar edhe në raportet ndërkombëtare, përfshirë raportin më të fundit të Këshillit të Evropës - të parin për Serbinë pas 14 vjetësh.

Për Marko Millosheviqin, ajo që ka më shumë rëndësi sot, është se gjyshi i tij, sipas tij, “e vuri sërish në qendër çështjen serbe”.

Ai e lidh këtë me Mbledhjen e Tetë të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, që konsiderohet si fillimi i ngritjes politike të Sllobodan Millosheviqit.

“Ai u bë i popullarizuar dhe i dashur nga serbët në Jugosllavi, sepse ishte zëri i tyre në një kohë kur ata nuk ishin të përfaqësuar siç duhej”, thotë Marko Millosheviq.

Ai hedh poshtë pretendimet se gjyshi i tij kishte ambicie pushtuese gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, apo se synonte krijimin e një “Serbie të madhe”.

“Millosheviq, që nga fillimi, luftoi për ruajtjen e federatës. Kur kjo u bë e pamundur, për shkak të tendencave të Kroacisë, Sllovenisë dhe më vonë Bosnje e Hercegovinës, ai u përpoq të bashkonte popullin serb”, thotë ai.

Profesori i Sociologjisë Politike në Universitetin e Londrës, Eric Gordy, vlerëson se, pas vitit 2000, në Serbi nuk ndodhi një delegjitimim i qartë i politikës së Millosheviqit.

Sipas tij, përgjegjësi për këtë mbajnë edhe disa forca politike që e rrëzuan nga pushteti.

Gordy kujton se në vitin 2008, kur Partia Demokratike - e udhëhequr deri në vitin 2003 nga Zoran Gjingjiq, i vrarë nga pjesëtarë të strukturave paraushtarake që mbetën në aparatin shtetëror edhe pas rënies së Millosheviqit - ishte në pushtet, ajo nënshkroi Deklaratën për Pajtim Politik me Partinë Socialiste të Serbisë (SPS).

Demokratët e arsyetuan këtë hap si të domosdoshëm për stabilitetin e ardhshëm të vendit.

“Në atë moment, pak a shumë u amnistuan krimet që i atribuoheshin Partisë Socialiste. Mendoj se ky ishte momenti kyç dhe ndodhi para se Partia Përparimtare Serbe të vinte në pushtet”, përfundon Gordy./REL

sllobodan millosheviç

Sondazh

Poll

Protesta e 28-të/ Qytetarët thërrasin njëzëri: Rama në burg, Berisha në burg

Protesta e 28-të/ Qytetarët thërrasin njëzëri: Rama në burg, Berisha në burg

Vogëlushi i bashkohet protestës: Jeni tërbuar si qentë Dingo, do ju hanë kokën këta flamingo

Nis grumbullimi i protestuesve në shesh/ Shqiptari nga Italia: Ky pushtet duhet të rrëzohet

Berisha: Në SHBA do të shkoj në momentin e përshtatshëm

Berisha: “Albanian Files” fakton se Shqipëria është kthyer në parajsën e pastrimit të parave

"Të japë dorëheqjen sepse durimi po soset"/ Berisha:Rama u takua me Ahmedinaxhadin disa herë në Iran

Berisha: Kjo protestë duhet të fitojë, çdo shqiptar duhet të kontribuojë për suksesin e saj historik

Protestuesi para protestuesve: Lumi popullor është fryrë dhe i pastron pisllëqet

Protesta e 27-të kundër qeverisë/ Qytetarët marshojnë në Tiranë, thirrje për dorëheqjen e Ramës

Arben Kola: Tatimet të mos gjobisin dhe shantazhojnë bizneset

Arben Kola: Çdo shqiptar të jetë këtu, të prishin gardhet e muret që kanë zaptuar lumenjtë tanë kudo

Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, qytetarët nisin marshimin: Nesër më shumë!

“Është hajdut kontributesh”/ Mit'hat Havari: Turistët kënaqen kur shohin protestë paqësore

Studenti tregon arsyet pse Rama duhet të largohet: E ke kthyer Shqipërinë në një narkoshtet!

Kishin mbetur në Shpellën e Pëllumbasit, policia shpëton dy turiste holandeze

Qytetari në protestë: Një nga krijuesit e PS-së ka një pension 100 euro

Protestuesja përsërit kërkesat: Mbetemi të vendosur për ta çuar këtë protestë, deri në realizim

Dita e 27-të e protestës/ Qytetarët marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë

Dita e 27-të e protestës/ Vijon revolta ndaj politikave në vend, shqiptarët nisin grumbullimin

“Parlamenti është kundër popullit”/ Protestuesi: Kanë bërë standardin e vjedhjes

Çudit punonjësja e bashkisë Maliq: Bashkia Korçë të shkrihet, të bashkohet me Bashkinë Maliq

Protesta e 26-të/ Vijon marshimi në kryeqytet, protestuesit përsërisin: Rama jepe dorëheqjen!

“Rama jepe dorëheqjen”/ Protestuesit ulen para Kuvendit: Parlament analfabet!

Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, qytetarët nisin marshimin: Nesër më shumë!

Emigranti i drejtohet kryeministrit: F*ck you! Ti i nxore këta njerëz këtu

“Kam ardhur nga Londra, t’i japim shkelmin e fundit Ramës”/ Protesta: Ky na shiti gurët, detin...

Vogëlushja nga Shkupi në protestë: Rama përjashtë, Nartën s’jua lëmë!

Protestuesi: Me 27 qershor, kemi protestën e radhës kombëtare!

“Diaspora do të jetë sërish këtu”/ Protestuesi: Nesër më shumë!

I riu në shesh: I treguam botës se jemi edhe mikpritës, të qytetëruar

“Kërkojmë ndryshime kushtetuese” Aktivistja lexon kërkesat e protestës: Të ngrihet qeveri teknike

Qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë: Edi Rama, o legen prite popullin se po vjen

“Protestojmë kundër një anti-shqiptari ”/ Pensionisti: A mund t’i dalin 100 mijë lekë këtij?

Mbahet sot protesta e 26-të/ Nis organizimi në sheshin “Skënderbej”, kërkohet dorëheqja e Ramës

Grabitën nën kërcënimin e thikës një banesë në Tiranë, arrestohen dy autorët, në kërkim shoku i tyre

Protestuesit vijojnë marshimin e tyre në rrugët e kryeqytetit: Ju erdhi fundi!

Ish-ushtaraku i bashkohet protestës masive të Tiranës: Rama si tiranët e Afrikës

Emigrantja thirrje për bashkim: Nga Zvicra, Gjermania e Franca ju mbështesim

“Rama kemi qenë në akademi”/ Sopranoja në protestë: Ke përfunduar me keq se kostumet e Lenka Çukos!

“Rama jepe dorëheqjen”/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë: Nesër më shumë!

Protestuesi: Linçimet ndaj protestuesve, i përkasin kohës së komunizmit të egër

Protestuesit përsërisin kërkesat e tyre: Dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit

“Ju erdhi fundi”/ Protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë: Dorëheqje, dorëheqje!

Nis organizmi i protestuesve në sheshin "Skënderbej": Rama jep dorëheqjen!

Erion Isai: Në shesh mbledh më shumë pelikani. Boçi: Ju që shkoni në SPAK tek cili lloj futeni

Zhupa përplaset me kryebashkiakun e Gramshit: Rri aty, mbaj vendin si i ftuar

PAMJET/Automjeti përfshihet në flakë në zonën e Llogarasë

Berisha: Dënoj sulmet antikombëtare të Ramës ndaj shqiptarëve të rajonit që marrin pjesë në protestë

Berisha: Interpoli, Eurojust dhe Europoli të hetojnë kompanitë e listuara në librin ‘Dosja’ të Ramës

Berisha:Rama gllabëroi Livadhën dhe kanionin e Gjipesë,projektet luksoze janë pa emrin e zhvilluesit