LIVE UPDATES
Politike

Reforma territoriale 2.0 e PS/ BIRN: Bashkitë që rrezikojnë shkrirjen

Edhe pse komisioni funksionoi si bipartizan, PS vendosi të dërgojnë si produkt final në Kuvend raportin e hartuar nga ekspertët e tyre, ndërsa PD kundërshtoi duke kërkuar pa rezultat që Kuvendi të votonte shtyrjen e punës së këtij komisioni.

24 Korrik 2026, 14:23 Nga I.A
Reforma territoriale 2.0 e PS/ BIRN: Bashkitë që rrezikojnë
Boçi dhe Mazniku

TIRANË- Deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit të enjten për të mos lejuar prezantimin e një raporti të hartuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca socialiste në përfundim të punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.

Edhe pse komisioni funksionoi si bipartizan, PS vendosi të dërgojnë si produkt final në Kuvend raportin e hartuar nga ekspertët e tyre, ndërsa PD kundërshtoi duke kërkuar pa rezultat që Kuvendi të votonte shtyrjen e punës së këtij komisioni.

Raporti I Partisë Socialiste titullohet “Reforma Administrativo-Territoriale 2.0” dhe hedh bazat e një ndarjeje të re territoriale që synon shkrirjen e disa bashkive të vogla përmes indikatorëve matës si performanca ekonomike, funksionaliteti dhe numri i popullsisë.

Bashkëkryetari demokrat i komisionit, Luçiano Boçi, akuzoi PS-në se po vepron në mënyrë të njënashme dhe se synimi për shkrirjen e disa bashkive është projekt për shpopullimin e vendit.

“Kanë një projekt për të ulur dhe shkrirë bashkitë, për të vazhduar shpopullimin, për të mos i përfaqësuar njerëzit në pushtetin vendor. Vetëm për të realizuar një qëllim politik,” tha Boçi para mediave.

Raporti analitik i socialistëve ka ngjallur reagime dhe nga banorët e njësive vendore të vogla që rrezikojnë të shkrihen me bashkitë më të mëdha të qarkut. Në qendër të qytetit të Përrenjasit, dhjetra banorë u mblodhën të martën për të kundërshtuar atë që ata pretendojnë se është një plan i mazhorancës socialiste për shkrirjen e bashkisë së tyre me bashkinë e Librazhdit.

Qytetarët firmosën një peticion kundër shkrirjes së bashkisë së tyre, duke argumentuar se kjo do t’i largonte shërbimet nga qytetarët dhe do të zbehte identitetin institucional të zonës.

Indekset analitike në raportin e PS-së kanë ngritur shqetësime dhe për disa bashki të Jugut si  Delvina apo Konispoli, për të cilat PD beson se ka një skenar të mazhorancës për t’I bashkuar me bashkinë e Sarandës. Deputetja e PD-së së kësaj zone, Ina Zhupa, kundërshtoi këtë qasje si të dëmshme për përfaqësimin dhe zhvillimin e zonës.

Një dekadë pas reformës administrativo-territoriale të vitit 2014, mazhoranca socialiste  argumenton harta aktuale nuk i përgjigjet më realitetit demografik dhe ekonomik të vendit.

Për të vlerësuar nevojën për një hartë të re, analiza bazohet në një metodologji të bazuar në pesë tregues: funksionalitetin e bashkive, performancën ekonomike, masën urbane dhe demografike, distancën nga qendra më e afërt administrative dhe kohezionin social e kulturor.

Raporti konstaton se problemi nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive, por me pabarazinë e madhe mes tyre.

Tirana përqendron rreth një të katërtën e popullsisë së vendit dhe afro 40 për qind të të ardhurave vendore, ndërkohë që 47 bashki gjenerojnë secila më pak se një për qind të të ardhurave. Gati gjysma e bashkive rezultojnë nën nivelin mesatar të funksionalitetit, ndërsa shumë njësi të vogla shpenzojnë pjesën dërrmuese të buxhetit për administratë dhe paga, duke lënë pak hapësirë për investime dhe zhvillim.

PS nuk rekomandon një ulje mekanike të numrit të bashkive, por një qasje të diferencuar, ku bashkimet territoriale të aplikohen vetëm në rastet kur mbështeten nga evidenca, ndërsa për zona të tjera sugjerohen forma të bashkëpunimit ndërbashkiak, krijimi i një niveli rajonal funksional mbi 12 qarqet ekzistuese dhe një reformë e financimit vendor. Sipas raportit, harta e re duhet të miratohet brenda vitit 2026, në mënyrë që të hyjë në fuqi për zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe të përgatisë pushtetin vendor për përthithjen e fondeve të Bashkimit Evropian.

Raporti “Reforma Administrativo-Territoriale 2.0” nuk përmban një listë zyrtare të bashkive që do të preken nga një riorganizim territorial, por analiza e ekspertëve identifikon një grup njësish vendore që shfaqin dobësi të përsëritura në funksionalitet, ekonomi, demografi dhe financa. Pikërisht këto bashki konsiderohen si rastet ku mund të justifikohet një rikonfigurim territorial ose forma të tjera konsolidimi.

Analiza e mazhorancës shoqërohet dhe me dokumente shtesë të indekseve që tregojnë një tablo thellësisht e polarizuar dhe jo një zhvillim të shpërndarë në të gjithë territorin.

Në njërin krah është boshti Tiranë-Durrës, së bashku me bashkitë si Vora dhe Shijaku dhe pak pika bregdetare si Vlora, Himara dhe Saranda. Këto zona përqendrojnë shumicën dërrmuese të popullsisë, gjenerojnë vetë të ardhurat e tyre fiskale dhe kanë sipas raportit, një ekonomi dinamike.

Në krahun tjetër është periferia, sidomos verilindja, juglindja dhe zonat malore, të cilat vuajnë një rreth vicioz: tkurrje dhe plakje e popullsisë, ekonomi mbijetese me pak vende pune formale, dhe buxhete bashkiake që mbijetojnë vetëm nga qeveria qendrore, duke i përdorur fondet gati ekskluzivisht për të paguar rrogat e administratës vendore.

Bashkitë që rrezikojnë shkrirjen

Indeksi i Funksionalitetit të Bashkive në raportin e Partisë Socialiste nxjerr si raste më problematike bashkinë e vogël të Pustecit me tipar minoritar si dhe atë të Rrogozhinës, të cilat veçohen si bashkitë me performancën më të dobët në rang kombëtar.

Në grupin me funksionalitet të ulët renditen gjithashtu Konispoli, Këlcyra, Poliçani, Roskoveci, Hasi, Delvina, Kuçova, Maliqi dhe Fushë Arrëzi.

“Rreth 40% e bashkive të vogla dhe të mesme nuk arrijnë të financojnë plotësisht rreth gjysmën e programeve buxhetore që lidhen me funksionet e tyre ligjore,” thuhet në raport.

Këto bashki nuk ushtrojnë plotësisht disa prej funksioneve që iu transferuan gjatë reformës së vitit 2014, të tilla si administrimi i pyjeve, ujitja dhe kullimi, arsimi parashkollor dhe mbrojtja nga zjarri.

Analiza e performancës ekonomike rendit në fund të Indeksit 13 bashki, mes tyre Konispoli, Fushë Arrëzi, Delvina, Maliqi, Kuçova, Devolli, Hasi, Roskoveci, Poliçani, Këlcyra, Pusteci dhe Përrenjasi, për shkak të numrit të ulët të bizneseve, punësimit formal të kufizuar, produktivitetit të dobët dhe mungesës së diversifikimit ekonomik.

Një tjetër problem strukturor lidhet me madhësinë demografike. Bashki si Pusteci, Këlcyra, Konispoli, Delvina, Fushë Arrëzi, Hasi, Poliçani, Rrogozhina, Kolonja dhe Libohova kanë popullsi të vogël dhe nuk arrijnë të përfitojnë nga ekonomitë e shkallës, duke e bërë më të kushtueshëm ofrimin e shërbimeve publike dhe që kufizojnë kapacitetin e tyre administrativ dhe financiar.

Raporti evidenton gjithashtu se një numër bashkish shpenzojnë pothuajse të gjithë buxhetin për paga dhe shpenzime operative. Kavaja, Rrogozhina, Fushë Arrëzi, Kolonja dhe Tepelena kanë nivelin më të lartë të ‘ngurtësisë buxhetore’, mbi 90 për qind, çka i bën buxhetet e tyre “funksionalisht lista pagash”, me shumë pak hapësirë për investime dhe zhvillim.

Këto të dhëna sugjerohen në raport si një bazë teknike mbi të cilën do të vlerësohet nëse një bashki duhet të bashkohet me një tjetër, të forcojë bashkëpunimin ndërvendor apo të trajtohet me masa të tjera institucionale.

Për vendimmarrjen mbi reformën, të dhënat mbështesin një qasje të diferencuar, jo horizontale. “Për segmentin e poshtëm të renditjes, veçanërisht për njësitë nën masën kritike demografike që shfaqin dobësi në të pesë dimensionet, opsionet reale janë dy: rikonfigurim territorial përmes bashkimit me njësi fqinje më funksionale, ose ushtrim i përbashkët dhe i detyrueshëm i funksioneve përmes mekanizmave të bashkëpunimit ndërvendor, siç lejon ligji nr. 139/2015”- sugjerohet në raport.

“Ruajtja e status quo-së për raste si Pusteci apo Rrogozhina nënkupton pranimin e një standardi më të ulët shërbimesh për qytetarët e këtyre territoreve,” theksohet në raport.

Pamja e përgjithshme e bazuar në indikatorët e analizuar prodhon atë që raporti e konsideron si “një hartë ekonomike të qartë dhe politikisht të rëndësishme”. Nga 60 bashkitë e normalizuara, vetëm 10 klasifikohen me performancë të lartë ekonomike, 12 me performancë të mesme dhe 38 ose 63% e bashkive me performancë të ulët.

Mesatarja qëndron nën pragun e nivelit të mesëm, çka nënkupton se bashkia tipike shqiptare operon mbi një bazë ekonomike të dobët.

Pavarësisht nivelit të ulët që mund të shfaqen disa bashki të vogla në indikatorët financiarë, ekonomikë dhe demokrafikë të analizës së ekspertëve, ata sugjerojnë që bashkitë me përqendrim të dukshëm të pakicave kombëtare, si Dropulli, Finiqi dhe Pusteci, dhe bashkitë me profil identitar të fortë, si Hasi ose Konispoli, të vlerësohen me kujdes, duke siguruar një balancimin e detyrimit të për të mbrojtur diversitetin, identitetin kulturor dhe të drejtat e pakicave.

Në bazë të kësaj analize, mazhoranca propozon katër skenarë për riorganizimin e pushtetit vendor; ruajtjen e hartës aktuale, por me një decentralizim asimetrik, ku bashkitë me kapacitete më të larta do të merrnin më shumë kompetenca, ndërsa ato më të dobëtat do të kufizoheshin në funksionet bazë ose do t’i ushtronin ato përmes bashkëpunimit ndërbashkiak.

Skenarët e tjerë përfshijnë bashkimet e gjera territoriale për të krijuar njësi më të mëdha e më funksionale; bashkimin vetëm të bashkive me kapacitete më të kufizuara dhe skenari i fundit propozon një ristrukturim më të thellë të kompetencave, duke i përqendruar bashkitë kryesisht te funksionet bazë.

Paralelisht, sugjerohet krijimi i një niveli funksional rajonal mbi 12 qarqet ekzistuese, i cili do të administronte funksione që tejkalojnë kufijtë e një bashkie, si transporti ndërqarkor, menaxhimi i mbetjeve, mbrojtja nga përmbytjet dhe koordinimi i fondeve të Bashkimit Evropian./Reporter.al

luciano boci arbjan mazniku reforma territoriale 2.0


Sondazh

Poll

Revolta kundër qeverisë/ Qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë

Revolta kundër qeverisë/ Qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë

Rita Ora zbulon aksesorin që nuk e ndan kurrë nga vetja: Si shqiptare jam rritur me bestytni

Momenti kur policia dhe ambulanca shkojnë në vendin e ngjares

Arrestohet 16-vjeçari me mbi 300 doza kokainë dhe cannabis gati për shitje

A do të rikthehet këngëtarja Era Istrefi në skenën muzikore me një projekt të ri?

Rama u shpërndanë "Besën"/ Socialistët vendosin syzet për ta lexuar pa humbur kohë

Rama mban fjalën para grupit parlamentar: Ata janë matësi i standardeve tona

Rama: Besa është metoda që ky cikël të kthehet në një përvojë të re për qytetarët

Rama: Kjo është kthesa e mandatit tonë, vendimet tona mos të përjetohen si prerje në besë

Rama sulmon Administratën: Kanë ‘parkuar’ fytyrën në vend të prapanicës

"Pa të do ishte çështje shqiptare"/ Rama: Emri i Trump, globalizoi protestën

Nëna e moshuar me djalin me spektër autik u sulmua nga policia, Rama: Atë e përdhunuan protestuesit

Rama sulmon qytetarët e protestës së djeshme: Bulevardi u zbraz nga Flamingot

Policia i sulmoi me spraj me piper, i mituri me aftësi ndryshe me nënën e tij me lot në sy

Policia i sulmoi me spraj me piper, i mituri me aftësi ndryshe me nënën e tij me lot në sy

Rama shpërthen nga qytetarëve: Video të deformuara, ndërhyrje brutale nga jashtë

Rama: Askush nuk e kishte imagjinuar që në bulevardin ku vriteshin protestuesit

Rama sulmon protestuesit: Në protestë individë me agjendë politike, përfshi disa eurodeputetë

Rama: Doli në protestë se nuk merrte dot shërbime në poliklinikë

Administrata apo mjekët? Si gënjeu Rama për arsyet që nëna e shokut të tij doli në protestë

Vëllai i viktimës tregon fjalët e autorit: Do të fejohemi sërish ose do ju vras të gjithëve

Padia e Erion Veliajt kundër Ols Dados, kryebashkiaku mbërrin në Gjykatën Administrative

Dita e 54-të e revoltës/ Protestuesit nisin marshimin nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë

U tërhoq zvarrë nga policia, lirohet aktivisti Edison Lika: Më i fortë se kur hyra

'The Odyssey' filmi i regjisorit Christopher Nolan arkëtoi 264 milionë dollarë

E paprecedentë/ Momenti kur patronazhistët tentojnë të rrëmbejnë qytetarin në protestë

Berisha: Rama erdhi për të marrë në dorë reformën territoriale, varrosi një punë 1-vjeçare...

Tensione para Parlamentit/ Makinat e deputetëve largohen nga Kuvendi, protestuesit godasin me vezë

Berisha: Rama erdhi që të urdhëronte ndërprerjen e debatit në Kuvend

Berisha: Edi Rama, po bën gjithçka që të manipulojë zgjedhjet

Lagu kryeminstrin Rama me ujë/ Gazment Bardhi përjashtohet nga seanca

Skandal/ Policia tërheq zvarrë aktivistin Edison Lika, i riu po denonconte live

Vatra e zjarrit përhapet pranë banesave në Fermë të Rromsit në Mallakastër, zjarrfikësit në terren

Kryeministri mbërrin në Kuvend, deputetët e presin me thirrjet e protestës: Rama, jepe dorëheqjen

Protestuesit vendosin qese me mbetje pranë kordonit policor, thirrje: Mos i mbroni plehrat

Korreshi në Kuvend: Policët s’kanë uniforma, dalin me rroba me vrima që ua ka ngrënë mola

Berisha-Klosit: Je peng i bixhozit, prandaj bën avokatinë e Edi Ramës

"Duhet vetëpastrim. Ti Sali ke fuqinë të çlirosh opozitën"/ Berisha-Spiropalit: Pëllumbesha në...

Akt qytetar! Protestuesit aksion para Kuvendit, mbledhin mbeturinat

"O çifut"/ Protestuesit "shënjestrojnë" me vezë Ervin Hoxhën dhe Eduard Shalsin: Tradhtarët e kombit

Tensione në Kuvend, PD nuk lejon Maznikun të prezantojë raportin për Reformën Territoriale

“Nuk i shpëtoni dot urrejtjes së qytetarëve”, Redi Muci: Do kërcasë veza edhe në shtator

Qytetarët hedhin vezë,policia përgjigjet ashpër,ujë me presion dhe gaz lotsjellës drejt protestuesve

"Populli nuk i do këta deputetë"/ Qytetarja para Parlametit: Duam largimin e tyre

Protesta para Kuvendit/ Momenti kur qytetari humbet ndjenjat, transportohet me urgjencë në spital

"Ti Taulant ke frikë kostumin e shtrenjtë"/ Bardhi: Të ndalet dhuna e policisë ndaj protestuesve

PD kërkon zgjatjen e afateve për “Territorialen”, Boçi: Puna duhet të vazhdojë

"O kriminele"/ Sara Mile shkon me truprojë në Kuvend, shpërthejnë protestuesit: Deputete e...

Përplasjet para Kuvendit, plagosen dy efektivë policie

Deputetët në seancë plenare, protestuesit shpërthejnë jashtë Kuvendit: PD-PS, këlyshë komunistësh