Sport

Sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja, shumë optimist për “Euro 2024”: “Shpresoj t’ia dalim dhe të kalojmë grupin”...

Armando Broja, pas më shumë se një vit, në "Air Albania" flet për Top Channel...

25 Maj 2024, 17:01 Nga DOSJA
Sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja, shumë optimist për

TIRANE - Dy ditë para zbardhjes së listës prej 26 lojtarësh që trajneri i Kombëtares, braziliani Sylvinho do të publikojë për grumbullimin në prag të “Euro 2024”, disa nga lojtarët kuqezinj si, Asani, Gjasula, Mihaj dhe Armando Broja kanë zbarkuar në Tiranë, duke zbuluar dalëngadalë emrat e atyre që i ka shkuar ftesa.

Ndër më të përfolurit e Kombëtares shqiptare Armando Broja, i cili ka kaluar një vit e gjysmë shumë të vështirë mes dëmtimit që e mbajti jashtë një vit dhe mungesës së minutave te Fulhami ku u transferua janarin e këtij viti, e gjejmë në “Air Albania”, duke ndjekur “finale e vogël” për vendin e tretë dhe të katërt mes Vllaznisë dhe Skënderbeut.

“Kam ardhur për të bërë pak pushim… është bukur me pa futboll gjithmonë edhe jashtë Anglisë”,- thotë Broja.

Ky që sapo u mbyll ka qenë një vit shumë i vështirë për të, nga janari dhe deri në maj për sulmuesin shqiptar nuk ka patur 90 minuta të plota as tek Chelsea në ditët e para të vitit dhe aq më pak tek Fulhami.

“Mund të shkonte edhe më mirë, por kështu është futbolli, të shohim sezonin tjetër tani, ishallah shkon edhe më mirë”,- tha ai.

Tani kemi grumbullimin e Kombëtares shumë të rëndësishëm edhe se këto 6 muaj që kalove..

“Po, po normal, kjo është gjë më e madhe dhe shohim nëse do të më marrë trajneri, do të jetë diçka shumë e madhe dhe unë do të jap maksimumin. Nëse do të më zgjedhë trajneri do të jetë një gjë shumë e madhe për mua, për familjen dhe ishallah po shkon gjithçka mire”,- u shpreh ai.

Broja mund të quhet edhe thjeshtë i ftuari i këtij Europiani, pa asnjë kontribut në ndeshjet kualifikuese për shkak të dëmtimit, megjithatë, një talent si ai nuk mund të mbetet jashtë.

“Trajneri ka bërë diçka shumë të mirë, skuadra është shumë e fortë dhe ky kualifikim ka patur lojtarë dhe një grup shumë të mire”,- u shpreh Broja.

Sa i përket finaleve të “Euro 2024”, ku do të kemi kundërshtarë shumë të fortë si Italia, Spanja dhe Kroacia, Armando Broja synon shumë lartë.

“Grupi është shumë i mirë, trajneri po ashtu së bashku me stafin janë shumë të mirë, ndeshjet janë vërtetë të rëndësishme, por ishallah do t’ia dalim të kalojmë grupin dhe do të jetë një gjë shumë e madhe si për skuadrën, por edhe për Shqipërinë”,- tha futbollisti.

Edhe e ardhmja e tij mbetet pezull, tek Chelsea vështirë se do të qëndrojë në edicionin e ardhshëm, pasi klubi e ka nxjerrë në shitje dhe situate aktuale me shumë pak minuta të luajtura, nuk e favorizon.

“Nuk e di do të shohim, kontratën e kam akoma tek Chelsea…

Keni ndonjë një plan që të lëvizni nga Anglia?

Nuk e di akoma… nuk e di”,- theksoi ai.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll