Sport

VD/ Presidentët e klubeve, dakord për disa ndryshime të skemës “Abissnet Superiore”...

Pati diskutime teknike nga të gjithë të pranishmit për disa nga propozimet, por nuk pati një vendim final. Gjithsesi, mbi bazën e propozimeve do të përgatitet një material që do t’i paraqitet KE të FSHF-së

8 Korrik 2023, 13:32 Nga DOSJA
VD/ Presidentët e klubeve, dakord për disa ndryshime të

TIRANE - U zhvillua paraditen e kësaj të shtunë takimi i radhës mbi propozimet për ndryshimin e mundshëm të formatit të kampionatit “Abissnet Superiore”. Të pranishëm ishin presidenti i FSHF-së, Armand Duka, sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku, drejtuesi i Departamentit të Garave, Marjus Sulejmani, drejtuesi i Departamentit Ligjor, Aldi Topçiu, si dhe presidentët e klubeve të kampionatit elitar në vend. 

Që në fillim të takimit, presidenti Duka theksoi se synimi është rritja e garës, numrit të spektatorëve dhe të ardhurave.

“Objektivi për këtë propozim është që të ketë më shumë garë, me tendencën për të pasur më shumë spektatorë, për të promovuar më shumë kampionatin shqiptar, për t’i dhuruar spektatorëve ndeshje me më shumë nivel kompetitiv në fundin e kampionatit. Për këtë, Departamenti i Garave, përveç studimeve që ka bërë në të gjithë kampionatet e Europës, në bashkëpunim me një grup pune në UEFA ka nxjerrë disa propozime. Kanë edhe arsyet se pse janë ato propozime të cilat ne do t’i diskutojmë sot.

Kampionati mendohet që të fillohet siç ka qenë me 10 skuadra, me tre ose katër faza, duke parë dhe numrin e ndeshjeve. Dhe pastaj ose të ketë një finale me katër skuadra me skema të ndryshme, ose ndarje me “play off”, kryesisht këto ndeshje të luhen në “Air Albania”, që sipas statistikave ka një numër mesatar tifozësh mbi 14.000. Këto ndeshje të kthehen derbi jo vetëm Tirana, Partizani, Dinamo, por edhe me skuadrat e tjera,”- than dër të tjera presidenti Duka.

Shefi i sektorit të Garave, Sulejmani, shpalosi para presidentëve të klubeve formatet e ndryshme për kampionatin “Abissnet Superiore” dhe më pas pati diskutime teknike për to nga të gjithë të pranishmit për disa nga propozimet, por nuk pati një vendim final.

Në ditët në vijim pritet që Departamenti i Garave së bashku me Departamentin Juridik dhe atë të Marketingut të finalizojnë dokumentin përfundimtar nisur dhe nga sugjerimet e bëra nga klubet, që parimisht ishin dakord për të bërë ndryshime dhe më pas materiali do t’i dërgohet Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll