Politike

Arrestimi i Belerit/ Xhaçka: U kërkojmë miqve grekë në Athinë që të monitorojnë me durim çështjen, të informojmë edhe Brukselin

Xhaçka shton se do mbajnë të informuar edhe Brukselin, por do duhet të presin derisa të shfaqen faktet.

12 Maj 2023, 14:29 Nga A.B
Arrestimi i Belerit/ Xhaçka: U kërkojmë miqve grekë
Olta Xhaçka

TIRANË- Shqipëria kërkon nga Greqia që të bëjë durim për çështjen e arrestimit të kandidatit të 'Bashkë Fitojmë' për Himarën, Fredi Belerin. Përmes një reagimi, ministria e Jashtme, Olta Xhaçka thekson se fakti që Beleri kandidon në zgjedhje nuk do të thotë se duhet të ketë ndonjë trajtim të veçantë. Ajo u bën thirrje autoriteteve greke që të bëjnë durim dhe të monitorojnë më nga afër çështjen.

Xhaçka shton se do mbajnë të informuar edhe Brukselin, por do duhet të presin derisa të shfaqen faktet.

Blerja e votës është një shkelje e rëndë në legjislacionin tonë dhe të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit kanë prioritet luftimin e saj gjatë kohës së zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshirë vëllezërit dhe motrat e minoritetit grek që marrin pjesë në zgjedhjet tona.

Kandidatura e shtetasit shqiptar,Alfred Beleri që kandidon për zgjedhje nga bashkëqytetarët e tij, nuk kërkon ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si kushdo tjetër. I takon vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve që ta trajtojnë këtë çështje në përputhje me dëshmitë.

Me respekt, u kërkojmë miqve tanë grekë në Athinë që të monitorojnë nga afër e me durim zhvillimin e çështjes, duke lejuar drejtësinë shqiptare të kryejë punën e saj, pa presione të jashtme apo mesazhe përçarëse. Është mirë të mbajmë të informuar Brukselin, por duhet të presim edhe shfaqjen e fakteve.

Kandidati i koalicionit 'Bashkë Fitojmë', Fredi Beleri u arrestua për akuzën e shit-blerjes së votës për zgjedhjet e së dielës. Ditët e fundit ai ka qenë në qendër të akuzave të kryeministrit Edi Rama për deklaratën e bërë në mediat greke për helenizimin e Himarës. Ai u ndalua para lokalit të tij bashkë me 3 persona të tjerë, avokati, dhe përfaqësues të shtabit elektoral. Beleri u akuzua për veprat penale: “korrupsionit aktiv për zgjedhje kryer në bashkëpunim”. Beleri ka deklaruar se nuk është i përfshirë në shit-blerje të votës, por pavarësisht kësaj, është lënë në burg. Nga ana tjetër, Greqia bën thirrje për lirimin e tij. Ministri i Jashtëm Grek, Nikos Dendias kërkon lirimin e Belerit, nëse s'ka prova./Dosja.al

olta xhacka arrestohet fredi beleri

Sondazh

Poll