Bota

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Hagë/ Dëshmitari: Janë rrahur me shufra gome në fabrikën e metalit në Kukës ku mbaheshin të mbyllur

Paraprakisht, dëshmitari tha se në momentin kur kishte mbërritur në dhomën ku ishte mbajtur si i ndaluar kishin qenë edhe rreth 7-8 persona.

2 Maj 2023, 18:12 Nga a.l
Gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Hagë/ Dëshmitari:
Pjetër Shala

HAGË- Dëshmitari i gjashtë me radhë (me kodin 10) në gjykimin e Pjetër Shalës në Gjykatën Speciale, i pyetur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nëse kishte qenë dëshmitar i keqtrajtimit në dhomën ku kishte qenë i ndaluar, ai u përgjigj me ‘‘po’’.

‘‘Vëllezërit romë i kanë rrahur me shufra gome dhe mu personalisht vetëm njëherë më kanë rrah”, tha ai.

Ai tha se nuk ka mundur të identifikojë personin i cili ka kryer keqtrajtimet. 

‘‘Nuk kom mujt me kqyr, kam qenë i kthyer ka zidi (muri), ashtu që s’e kemi pa kush ka qenë edhe kush s’ka qenë’’, tha tutje ai.

Dëshmitari tha se në momentin kur mbërriti në dhomën e izolimit, ishin edhe rreth 7-8 persona të tjerë.

Për pyetje të tjera lidhur me persona të tjerë, prokurori special Filippo De Minicis ka kërkuar të kalohet në seancë private. Po ashtu, dëshmitari tha se para derës së dhomës kishte roje dhe se ata nuk ishin të lirë të hynin e të dilnin nga ajo dhomë, por duhej t'i thoshin rojës për këtë.

Ai tha se përveç për të marr ujë dhe për të shkuar në tualet, ata nuk kishin të drejtë të dilnin jashtë, përveç që përmendi faktin se vëllezërit romë detyroheshin të dilnin për të pastruar oborrin.

Ai gjithashtu tregoi se e kishin marr në pyetje vetëm një herë, kurse kur dëshmitari me kodin 11 filloi të përmendte personat e tjerë se kush ishte marr në pyetje, DhSK vendosi që kjo të ketë përmbajtje të redaktuar dhe më pas është kaluar në seancë private. Ndërkaq më herët, dëshmitari përmes një fotografie (jo publike) ka identifikuar hyrjen e ndërtesës në të cilën është mbajtur i ndalur dhe ka vizatuar një rreth në të. 

gjyqi ne hage

Sondazh

Poll