Bota

Gërvalla: Kosova një hap më pranë anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Sipas Gërvallës, Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.

24 Prill 2023, 16:10 Nga A.B
Gërvalla: Kosova një hap më pranë anëtarësimit
Keshilli

KOSOVË- Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës. Sipas Gërvallës, Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.

Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, lidhur me këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në Facebook, duke shtuar se “mbetet edhe shumë punë për të bërë”.

Pas këtij vendimi ka reaguar Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila falenderoi aleatët që votuan në favor të Kosovës.

Flamuri i Republikës së Kosovës së shpejti do të valojë me krenari në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës”, shkroi ajo në Twitter.

Kryeministri Albin Kurti, komentoi këtë votim po ashtu duke thënë se Kosova “do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës”. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Këshilli i Evropës, organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

donika gërvalla kosove

Sondazh

Poll