Sport

Kur Ferguson e 'kritikoi' Cristianon: "Është e lehtë të bësh ‘hat-trick’ me Bolton ose Blackburn, por... në ndeshjet e mëdha?"

Patrice Evra lavdëroi CR7 për 700 golat e tij dhe tregoi një anekdotë që ka ndodhur në dhomën e zhveshjes të United.

14 Tetor 2022, 12:26 Nga DOSJA
Kur Ferguson e 'kritikoi' Cristianon: "Është e
Alex Ferguson dhe Cristiano Ronaldo bisedojnë gjatë kohës së tyre në Manchester United

ANGLI - Marrëdhënia mes Alex Fergusonit dhe Cristiano Ronaldos te United, kur portugezi zbarkoi në Premier League, ishte pothuajse babë e bir. Pa dyshim, trajneri veteran ka qenë kyç në karrierën e CR7-s dhe për këtë ai ka qenë edhe i ashpër me ‘nxënësin’ e tij.

Me rastin e 700 golave ​​të yllit portugez, që ai arriti gjatë fundjavës kundër Evertonit, Patrcice Evra e përgëzoi Cristianon, por ndërkohë kujtoi gjithashtu edhe një episod kur ishte shok skuadre me portugezin dhe trajner Fergusonin në Manchester United.

"Më kujtohet, një ditë ai e shkatërroi atë. Ne luajtëm me Chelsean dhe ai nuk luajti mirë. Ferguson i tha atij: "Është e lehtë të shënosh një ‘hat-trick’ kundër Boltonit dhe Blackburn, por për ndeshjet e mëdha?” Ishte një moment i vështirë. Por papritur, pas kësaj, më kujtohet se Cristiano filloi të shënonte në ndeshje të rëndësishme, ai u bë një lojtar tjetër. Me aftësinë e tij, ai duhej të shënonte dy ose tre gola ndeshje për ndeshje dhe të mos shqetësohej më për driblimin. "Harroje, duhet të shënosh gola",- i tha atij Ferguson. Në atë kohë Ronaldo shënoi 42 gola",- kujton Patrice Evra.

Ish-futbollisti francez nuk ka veçse lëvdata për CR7, të cilin e konsideron një lojtar aq të disiplinuar sa mund ta admirojë. "Cristiano Ronaldo është një ‘alien’. Është një çmenduri. Ajo që më pëlqen tek ai është disiplina e tij. Ai e ka atë në kokën e tij çdo ditë. Ka njerëz që nuk arrijnë 700 ndeshje, ndërsa ai arriti në 700 gola. Unë mendoj se disiplina që ka e ka bërë të kapërcejë veten aq shumë sa është gati si një sëmundje. Mendoj se ai ka nevoje ta kapërcejë veten çfarëdo të ndodhë çfarëdo që të thonë”,- pohoi francezi.

Evra u dërgon një mesazh atyre që mendojnë se ai e admiron Cristianon vetëm për shkak të dashurisë që ka për të: "Njerëzit thonë se e dua Cristianon për të qenë miku i tij, por unë jo. Unë e dua etikën e tij të punës. Kjo është ajo që admiroj më shumë."

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll