Politike

Ibrahimaj: Ligji për amnistinë fiskale nuk kalon brenda këtij viti, është ende në diskutim me ndërkombëtarët

Ajo tha se skuadra po punon për bazën nënligjore, paralelisht me ligjin.

10 Tetor 2022, 13:55 Nga F.M
Ibrahimaj: Ligji për amnistinë fiskale nuk kalon brenda këtij
Delina Ibrahimaj

TIRANË- Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj thotë se ligji për amnistinë fiskale është ende në procesin e konsultimit publik. Në një dalje për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj u shpreh se ky ligj nuk mund të miratohet brenda këtij viti. Ajo tha se skuadra po punon për bazën nënligjore, paralelisht me ligjin. 

Pjesë nga prononcimi: 

Pyetje: Ju njoftuat miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, a është parashikuar amnistia fiskale të miratohet brenda këtij viti?

Delina Ibrahimaj: Amnistia fiskale është një ligj krejtësisht i veçantë, nuk është parashikuar në projektbuxhetin që sapo miratuam, e kemi thënë që ky është një ligj që është ende në konsultim publik me palët e interesit dhe partnerët ndërkombëtarë. Po punojmë që paralelisht me ligjin, për bazën nën ligjore, në mënyrë që të kemi gati dhe infrastrukturën për zbatimin e këtij ligji, kurdo që të arrijmë në një produkt final për të gjitha procedurat e kërkuara për zbatimin e këtij ligji. 

Më herët, Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është i bindur se amnistia fiksale do ta marrë ‘ok’-n nga Kuvendi. Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Balla u pyet se si do të operohet me amnistinë fiskale, për të cilën Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh kundër. Ai tha se Këshillimi Kombëtar ka vërtetuar se të paktën 2/3 e shqiptarëve e duan këtë gjë dhe se hapi i radhës është bindja e deputetëve për të siguruar votat. Balla tha se do të takojnë çdo deputet për të diskutuar në lidhje me këtë gjë. Reagimi i Ballës erdhi pasi Shefja e FMN-së në Shqipëri Yan Sun kërkoi që qeveria shqiptare të ndryshojë ligjin për amnistinë fiskale për të shmangur pastrimin e parave dhe financimin e grupeve terroriste. 

Projekti i qeverisë parashikon që përkundrejt një tatimi nga 5 deri në 10% të pasurisë së vënë përmes kontrabandës apo evazionit fiskal, shtetasit shqiptarë apo të huajt me rezidencë fiskale në Shqipëri do të kenë mundësinë të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe t’i shpëtojnë përgjithmonë përgjegjësisë penale apo administrative për krimet e kryera, përfshirë evazionin fiskal, mashtrimin me TVSH-në apo kontrabandën me mallrat e akcizës. Ky projekt ka hasur në kundërshtinë e ndërkombëtarëve.

delina ibrahimaj amnistia fiskale

Sondazh

Poll