Sport

Futbolli shqiptar në zi! Ndahet nga jeta Bashkim Muhedini, ish-portieri i Kombëtares dhe i Partizanit…

Pas problemeve me shëndetin, në moshën 74-vjeçare, ish-portieri që shkëlqeu në vitet ’70 dhe që jetonte prej vitesh në SHBA, nuk arriti të fitonte betejën me jetën

7 Tetor 2022, 22:01 Nga DOSJA

Futbolli shqiptar në zi! Ndahet nga jeta Bashkim Muhedini, ish-portieri i

SHBA - Nga përtej Atlantikut vjen lajmi i kobshëm. Zemra e Bashkim Muhedinit ndaloi së rrahuri në moshën 74-vjeçarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej vitesh. Lajmi për ndarjen nga jeta të Muhedinit, është bërë publik nga FSHF.

Pas problemeve me shëndetin, ish-portieri që shkëlqeu në vitet ‘70, nuk arriti të fitonte betejën me jetën. Pjesë e Partizanit deri në vitin 1976, Muhedini ka qenë një nga portierët që ka mbetur në memorien e tifozëve të asaj kohe për pritjet spektakolare.

Bashkim Muhedini lindi më 16 prill të vitit 1948 dhe kontribuoi për disa vite pranë skuadrës së Partizanit. Muhedini do të mbahet mend dhe për ndeshjet e luajtura me ekipin Kombëtar në vitet ’70, duke koleksionuar dhe nderuar në 7 ndeshje fanellën kuqezi.

“I hidhëruar për humbjen e njeriut të dashur të familjes tuaj, më lejoni që në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Kontributi i tij në futbollin shqiptar do te vlerësohet gjithmonë. I paharruar qoftë kujtimi i tij”,- ka shkruar presidenti Armand Duka, në faqen zyrtare të FSHF-së.

Ceremonia e varrimit të Bashkim Muhedini do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikë, ku ai jeton prej vitesh me familjen e tij.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll