Politike

Kurti 'refuzon' ndihmën e Erdoganit: Ju kemi mik, por dialogu me Serbinë zhvillohet në Bruksel

Por për të mos ia "mbyllur" çdo mundësi, tha se në fakt çdo ndihmë është e mirëseardhur, ndërsa shtoi se Turqia është një aleate e Kosovës.

10 Shtator 2022, 15:41 Nga k.m.

 

Kurti 'refuzon' ndihmën e Erdoganit: Ju kemi mik, por dialogu me
Recep Tajip Erdogan, Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti

 

KOSOVË- Nga Podujeva, ku po qëndronte për vizitë, kryeministri Albin Kurti i ka kthyer përgjigje presidentin të Turqisë, Recep Tajip Erdogan, në lidhje me gatishmërinë e tij për të qenë ai personi që do të ndërmjetësojë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Por sot, Kurti i ka dhënë përgjigjen e parë, duke e falenderuar, por duke theksuar se dialogu do të zhvillohet vetëm në Bruksel. Por për të mos ia "mbyllur" çdo mundësi, tha se në fakt çdo ndihmë është e mirëseardhur, ndërsa shtoi se Turqia është një aleate e Kosovës.

“Ata i kanë agjendat e tyre dhe ne Turqinë e kemi shtet mik dhe aleat. Turqia është shtet shumë i fuqishëm në NATO, por dialogu që zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – ku Kosova nuk është aty temë por palë – bëhet me ndërmjetësimin e Brukselit dhe ndihmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nesër do të vijnë përfaqësuesit specialë nga Berlini dhe Parisi që do ta shoqërojnë ndërmjetësin Lajçak, por natyrisht që ndihma e të gjitha shteteve tona mike është e mirëseardhur,”- deklaroi Kurti.

Po ashtu, Kurti komentoi edhe mungesën e vizitës së Erdogan në Kosovë, duke u shprehur se mendonte që qëllim kishte vetëm takimet në Bosnjë-Herzegovinë.

“Përshtypja ime është që kjo vizitë ka pasur të bëjë më shumë me Bosnjën, sepse e konsiderojnë si një vend shumë më të rrezikuar se Kosova. Sepse Serbia dhe Kroacia kanë ndikime të fuqishme në Bosnjë dhe vizita në Ballkan kësaj radhe e presidentit turk lidhet me Bosnjën,”- shtoi Kurti.

Por çfarë tha Erdogan?

Presidenti turk prej disa ditësh ka vizituar disa vende të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, duke ndaluar në Bosnjë, Serbi dhe Kroaci, por vetëm në Beograd dha një propozim. Kur u takua me presidentin Vuçiç, Erdogan theksoi se Turqia është e gatshme që në mënyrë konstruktive dhe të paanshme, të ndërmjetësojë mes Kosovës e Serbisë.

“Jemi shumë të kënaqur që është arritur një marrëveshje për çështjen e kalimit me letërnjoftim të kufirit. Urojmë që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt për çështje të tjera problematike, posaçërisht për çështjen e targave. Ne gjithmonë kemi mbështetur dhe e përkrahim edhe tani sinqerisht zgjidhjen e problemeve përmes dialogut. Kurdo që kërkohet ndihma jonë, ne japim kontributin e nevojshëm me të gjitha burimet tona, me një mirëkuptim konstruktiv dhe të paanshëm,”- theksoi Erdogan. Por duket se oferta është refuzuar nga Kurti sot zyrarisht. 

Prej ditësh në Prishtinë dhe Beograd qarkullojnë këshilltarët e Emmanuel Macron dhe Plaf Scholz. Bashkë me ta nuk mungon as ndërmjetësin Miroslav Lajçak, i cili prej kohësh merret me çështjen e dialogut. Megjithatë analistët politikë në Kosovë dhe jo vetëm, mendojnë se njohja e Kosovës nga Serbia është më e afërt se kurrë më parë.

recep tajip erdogan aleksandër vuçiç albin kurti

Sondazh

Poll