Bota

Shtimi i provave të reja zgjat afatin, seanca ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit mund të fillojë vitin tjetër

Mbrojtja e Veselit së fundi sugjeroi që gjykimi të fillojë më 16 dhjetor, me kusht që prokurorët të përfundojnë zbulimin e provave për avokatët deri në fund të verës.

7 Qershor 2022, 12:43 Nga DOSJA
Shtimi i provave të reja zgjat afatin, seanca ndaj Thaçit, Veselit,
Hashim Thaci

HAGË- Gjyqi i ish-komandantit të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe tre të bashkë-akuzuarve për krime në Kosovë dhe Shqipëri në vitet 1998-99, nuk ka gjasa të fillojë në Hagë para fundit të këtij viti.

Sipas mediave serbe, kjo rrjedh nga parashtresat me shkrim të mbrojtjes dhe deklaratat e bëra në seancat lidhur me situatën në procedurat para Dhomave të Specializuara të Kosovës. 

Mbrojtja e Veselit së fundi sugjeroi që gjykimi të fillojë më 16 dhjetor, me kusht që prokurorët të përfundojnë zbulimin e provave për avokatët deri në fund të verës. Megjithatë, nuk ka gjasa që gjykata ta miratojë atë propozim, pasi 16 dhjetori është dita e fundit para pushimit trejavor dimëror të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri në kalendarin gjyqësor.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, deri më tani nuk ka treguar se kur çështja mund t'i dorëzohet trupit gjykues, e cila më pas do të caktojë një datë për fillimin e gjykimit. Kryetarja e gjykatës, Ekaterina Trendafilova, do të përcaktojë se cilët gjyqtarë do të jenë në trup.

Në fund të majit, gjyqtari Guillou, në konferencën e fundit pë shtyp, paralajmëroi prokurorët se mbrojtja duhet të dorëzojë të gjitha provat përpara se çështja të jetë gati për gjykim.

"Përndryshe, gjyqi do të duhej të shtyhej më vonë sa herë që prokuroria zbulon prova të reja për mbrojtjen," tha gjyqtari Guillou.

Në të njëjtën kohë, gjyqtari tha se mbrojtja nuk është përgjegjëse për objektin e kësaj çështjeje, por për këtë vendos prokuroria.

"Afati kohor në këtë çështje është në duart tuaja dhe varet nga zbulimi i provave," tha gjyqtari para prokurorëve.

Prokurori Matthew Holling tregoi se provat do t'i dorëzoheshin mbrojtjes deri në fund të shtatorit. Duke pasur parasysh këtë, gjyqtari u la afat mbrojtësve që deri më 31 tetor të paraqesin në gjykatë një parashtresë, në të cilën do të përshkruajë në detaje procedurën e provave të mbrojtjes.

Mbrojtësit e të pandehurve prej kohësh kanë kritikuar ashpër prokurorinë për zvarritjen e dhënies së provave, duke shkelur rregullat e gjykatës.

Prokuroria mohon se është e ngadaltë në zbulimin e provave, duke pretenduar se i përmbahet afateve të përcaktuara nga gjyqtari dhe se procesi pengohet nga shtrirja e provave dhe nevoja për të mbrojtur identitetin e dëshmitarëve.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime të kryera në 42 paraburgime të paligjshme të UÇK-së në Kosovë dhe Shqipëri kundër së paku 407 të burgosurve, prej të cilëve të paktën 98 u vranë, nga marsi 1998 deri në shtator 1999. Aktakuza i ngarkon ata me 10 pika: përndjekje në baza politike dhe etnike, burgim, arrestim dhe paraburgim të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë (dy pika) dhe vrasje (dy pika). Këto krime janë cilësuar, në gjashtë pika, si krime kundër njerëzimit dhe në katër pika, si krime lufte.

Sondazh

Poll