Politike

Aksioni i SPAK/ Alibeaj: U dekonspirua nga pushtetarët e lidhur me bandat

Deputeti i PD kërkon që që pandëshkueshmëria të sulmohet dhe shqiptarët të shohin drejtësinë në veprim.

19 Maj 2022, 20:26 Nga DOSJA
Aksioni i SPAK/ Alibeaj: U dekonspirua nga pushtetarët e lidhur me bandat
Enkelejd Alibeaj

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj shkruan se edhe një herë tjetër drejtësia në Shqipëri tregoi se shumë persona nuk i vë dot në pranga. Në një postim në Facebook, Alibeaj shkruan se të gjitha akuzat e rreshtuara nga shefi i SPAK kanë qenë të formuluara dhe ligjëruara publikisht nga Partia Demokratike vite më parë ndërsa përballej me bandat e Elbasanit, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Deputeti i PD kërkon që që pandëshkueshmëria të sulmohet dhe shqiptarët të shohin drejtësinë në veprim.

Postimi i plotë i Alibeajt:

Operacioni i sotëm i SPAK është për t’u përgëzuar. Është ndër të tjera një provë më shumë, që vërteton zyrtarisht shqetësimet sistematike të Partisë Demokratike në lidhje me bandat dhe ndikimin e tyre në Elbasan, Tiranë e kudo. Aksioni i sotëm tregon shumë mirë se si është operuar në zgjedhjet e vitit 2021 ku Elbasani dhe Tirana ishte qendra e operimit e grupeve kriminale që ndikuan në zgjedhjet e vitit të shkuar, siç provoi edhe qëndrimi i SHBA. Të gjitha akuzat e rreshtuara nga shefi i SPAK kanë qenë të formuluara dhe ligjëruara publikisht nga Partia Demokratike vite më parë ndërsa përballej me bandat e Elbasanit, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Mirëpo ndonëse për vite me radhë drejtësia dhe policia kanë bërë veshin shurdhër edhe kësaj radhe fatkeqësisht policia nuk mundi të prangoste të gjithë personat për të cilët qe prerë një mandat arresti. Kjo për faktin banal se operacioni u dekonspirua kohë më parë nga pushtetarët e lidhur me bandat. Prandaj sot nuk duhet të valëvisim flamurin e fitores përderisa nuk mund të kemi një të tillë derisa anëtarët e grupeve të strukturuara kriminale të jenë të arrestuar dhe dërguar përpara drejtësisë. Nuk mund të shpallim fitore derisa të kemi një hetim të plotë të akuzave dhe kallëzimeve penale në lidhje me zgjedhjet dhe blerjen e votave nga këto grupe kriminale që janë denoncuar zyrtarisht nga Partia Demokratike. Kështu që SPAK jo vetëm duhet mbështetur por edhe duhet nxitur të veprojë duke çuar më tej arrestimet, procedimet dhe gjithashtu konfiskimet ndaj këtyre grupeve të strukturuara kriminale dhe jo vetëm. Ka ardhur koha që pandëshkueshmëria të sulmohet dhe shqiptarët të shohin drejtësinë në veprim.

18 të arrestuar, 8 grupe kriminale të shkatërruara por “VIP-at” i kanë shpëtuar prangave. Ky ishte bilanci i një operacioni të nisur nga SPAK pas gjashtë muajve hetime. Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj kanë marrë statusin e të penduarit të drejtësisë dhe me duke zbuluar emra që kanë shkundur nga pluhuri i historisë ngjarje kriminale që datojnë nga viti 2011. Në total janë lëshuar 32 masa arresti. Ervis Martinaj, Suel Çela, Florenc Çapja, Erion Alibej akuzohen se paguanin shuma të majme parash tek vrasës me pagesë për të eliminuar kundërshtarët e tyre, ndërsa në bazat e tyre kishte depo municionesh dhe armës, që kanë konfiskuar si prova për hetime të mëtejmshme. Ervis Martinaj dhe Suel Çela janë kërkuar kudo në Tiranë e Elbasan, por asnjë gjurmë e tyre nuk është pikasur, e efektivët kanë dalë nga vendet ku kanë kontrolluar me pranga në brez. Edhe Talo Çela ka dëshmuar se nuk e ka marrë kot pseudonimin “hije”. Kontrollet vijojnë.

(f.m/dosja.al)

Sondazh

Poll