Politike

Zgjatja e mandatit të vettingut, zbulohen bisedimet mes SHBA, PS dhe PD

7 Shkurt 2022, 10:18 Nga DOSJA
Zgjatja e mandatit të vettingut, zbulohen bisedimet mes SHBA, PS dhe PD

TIRANË – Zgjatja e mandatit të vetingut në drejtësi dhe reformat zgjedhore e ajo territoriale kanë riaktivizuar edhe një herë partnerët ndërkombëtarë për të futur në “shina” Partinë Socialiste dhe atë Demokratike.

Që nga fundi i vitit të kaluar, komisionet hetimore në Parlament janë ndërprerë, pasi PS nuk jep dakordësinë për zgjatjen e mandatit të komisionit. Ndërsa demokratët nuk u rikthyen më në Këshillin e Legjislacionit për ndërhyrjen në Kushtetutë për të zgjatur mandatin e KPK dhe KP. Por duket se në fund të javës që lamë pas, diçka ndryshoi. Sot rikthehet për t’u diskutuar në Kuvend, në Këshillin e Legjislacionit nisma e Partisë Demokratike, e cila mbarte tri propozime: vetingun i Politikanëve, Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore.

Diskutimet ishin ndërprerë prej afro dy muajsh pas mosdakordësisë mes maxhorancës dhe opozitës, që nismën e mësipërme ta bashkonin me nismën për ndërhyrjen që duhet në Kushtetutë për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik me 1 vit e gjysmë. Ndërkohë, votimi i ndryshimeve në Kushtetutë për zgjatjen e vetingut në Drejtësi është parashikuar të jetë në seancën e 10 shkurtit, pra, në seancën e kësaj jave.

Sot, në orën 13:00, mblidhet Këshilli i Legjislacionit për të diskutuar ndryshimet kushtetuese të PD-së. Gjithashtu, socialistët zhbllokuan edhe ngërçin me komisionet hetimore. Konkretisht, hetimin parlamentar për inceneratorët. Edhe ky komision pritet që të mblidhet sot dhe do vazhdojë punën deri më 25 shkurt.

NEGOCIATAT E SHBASË E BE-SË ME PS E PD

Pasi maxhoranca dhe opozita nuk gjetën rrugën e dialogut për nismat e mësipërme, u riaktivizuan partnerët ndërkombëtarë. Gazeta “Panorama” ka mësuar përmes burimeve se ditën e enjte në Kryesinë e Kuvendit ka pasur takime mes përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane dhe Bashkimit Europian me deputetë të PS-së dhe PD-së. Mësohet se fokusi i takimeve ka qenë zhbllokimi i ngërçeve të mësipërme.

Ndërkombëtarët kanë kërkuar prej opozitës që të mbështesin zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionerit Publik. Sipas përfaqësuesve të SHBA dhe BE, kjo do të mundësonte ruajtjen e të njëjtit standard filtrimi për gjyqtarët dhe prokurorët. Po ashtu, në takime është theksuar fakti se ndërhyrja në Kushtetutë për zgjatjen e vetingut nuk është një nismë e socialistëve, por rekomandim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë ndjekur nga afër procesin.

Kjo më pas u konfirmua edhe publikisht nga kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, i cili në seancën plenare të ditës së enjte u shpreh se zgjatjen e mandatit të KPK dhe KP nuk e kërkon Partia Socialiste po partnerët amerikanë. Ndërkohë, nga ana tjetër përfaqësuesit e SHBA e BE kanë kërkuar nga deputetët e maxhorancës që të mos bëhen pengesë për ngritjen e një komisioni të posaçëm të Reformës Zgjedhore dhe reformës territoriale. Nisma për vetingun e politikanëve mësohet se ka marrë më pak vëmendje nga ndërkombëtarët.

Megjithë negociatat, kryetari i Grupit të PDsë, Enkelejd Alibeaj, u shpreh kundër të enjten që shkoi për të futur në rend dite në seancën e 10 shkurtit zgjatjen e vetingut. Pas këtyre qëndrimeve, Alibeaj ka zhvilluar edhe një takim me Ambasadorin e BE-së Luigi Soreca. Nuk dihen detaje nga takimi, por ajo që konfirmohet në kalendarin e punës në Kuvend është fakti se më 10 shkurt pritet që të votohet zgjatja e vetingut ndërsa vetëm një javë më vonë do të votohet edhe ngritja e komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore në Parlament.

Marrë nga Panorama

(d.v/dosja.al)

 

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

politike politike ambsadorja yuri kim partia demokratike partia socialiste zgjatja e vettingut ambsadorja yuri kim partia demokratike partia socialiste zgjatja e vettingut

Sondazh

Poll