Sport

“Katar 2022”: Edhe 180 minuta, Kombëtare me emër rrezikojnë të jenë në Botëror…

10 Nëntor 2021, 12:36 Nga DOSJA
“Katar 2022”: Edhe 180 minuta, Kombëtare me emër

ZVICER – Gjermania në grupin “J” me 21 pikë dhe Danimarka në grupin “F” me 24 pikë, janë dy kombëtaret e vetme kontinentale, që kanë siguruar pjesëmarrjen në Botërorin “Katar 2022”.

Ndërkohë që, duke nisur nga nesër, kur kanë mbetur edhe 180 minuta lojë, mjaft vende me emër në Europë, rrezikojnë të mos e kenë një biletë për finalet e eventit më të madh të futbollit botëror.

E para është Portugalia e Cristiano Ronaldos, që dy ndeshje para fundit të eliminatoreve renditet e dyta në grupin “A” me 16 pikë, 1 më pak se Serbia e vendit të parë, që gjithsesi ka një ndeshje më shumë. Në rast se Portugalia fiton të enjten në Dublin kundër Irlandës, atëherë luzitanët do ta presin më të qetë sfidën direkte me Serbinë, ku do t’i mjaftonte edhe një barazim.

Jo pak rrezikon edhe Spanja, që aktualisht renditet e dyta në grupin “B” me 13 pikë, 2 më pak se Suedia e vendit të parë. Për ‘La Rohan’ e Luis Enrique nuk ka alternativë tjetër përveçse fitoreve në dy përballjet e fundit, fillimisht me Greqinë në Athinë dhe më pas me Suedinë në Seville.

Asgjë e sigurtë nuk është ende edhe për Italinë, që gjithsesi udhëheq grupin “C” me 14 pikë, po aq sa Zvicra e vendit të dytë. Me këta të fundit kampionët e Europës do të ndeshen pikërish të enjten, një sfidë mëse vendimtare që i gjen ‘azzurrët’ e Mancini me mjaft mungesa. Në rastin më të keq, do të ishte një turp për Italinë, që mbeti edhe jashtë Botërorit të 2018 në Rusi.

Belgjika, Holanda, Franca, Anglia dhe Rusia, janë kombëtaret që ende nuk e kanë të sigurtë kualifikimin, por që për këtë iu duhet një barazim, ose një fitore në dy ndeshjet e mbetura. Në grupin “E”, Belgjika do të presë Estoninë dhe do të udhëtojnë drejt Uellsit.

Tulipanët, në grupin “G” do të udhëtojnë drejt Malit të Zi, për ta mbyllur ndaj Norvegjisë në shtëpi. Franca në grupin “D” do të presë Kazakistanin, për ta përfunduar garën në Helsinki ndaj Finlandës. Në grupin “H”, Rusia do të presë Qipron dhe do të udhëtojë për t’u përballur me Kroacinë, në një garë krejt të hapur. Në grupin “I”, si kundër dihet, Anglia do të presë Shqipërinë për ta mbyllur në San Marino.

Por gara për pjesëmarrje në finalet e botërorit “Katar 2022”, në kontinentin e vjetër, do të vazhdojë ndeshjet “play-off”, ku vendet e dyta të çdo grupi do të përballen midis tyre, për të përcaktuar tri skuadrat e fundit fatlume të Europës, që do të përfitojnë nga një biletë për “Katar 2022”.

B.T (Dosja.al)

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

sport sport

Sondazh

Poll