LIVE UPDATES
LIVE UPDATES

"Të rishikohet politika penale për krimet zgjedhore"/ Kreu i SPAK raporton në Komisionin për Reformën Zgjedhore: Shit-blerja e votës mbetet problematikë e përsëritur

• Kreu i SPAK, Klodian Braho ka raportuar ditën e sotme në Komisionin për Reformën Zgjedhore. • Gjatë raportimit të tij, Braho u shpreh se për SPAK-un, mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve nuk është çështje e debatit politik, por është çështje e sundimit të ligjit. • Ai tha se raportet përfundimtare të OSBE/ODIHR-it për Shqipërinë kanë evidentuar shqetësime, të cilat lidhen me shitblerjen e votës, presionin ndaj zgjedhësve dhe punonjësve publikë, përdorimin e burimeve administrative dhe financimin e fushatës. • Në lidhje me këtë, kreu i SPAK tha se krimi zgjedhor shfaqet me intensitet më të lartë gjatë viteve zgjedhore, por hetimi i tij nuk kufizohet vetëm në periudhën e fushatës apo në ditën e votimit. • Braho ka treguar edhe sfidat e SPAK në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, ndërsa vlerësoi se modeli i ndjekur gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 dha rezultate pozitive në luftën kundër krimeve zgjedhore. • Megjithatë ai theksoi se mbeten ende sfida që kërkojnë adresim për zgjedhjet e ardhshme. • Kreu i SPAK nënvizoi po ashtu se mekanizmi i bashkëpunimit ndërinstitucional duhet të nisë të paktën katër muaj para ditës së votimit dhe të shtrihet deri në përfundim të procesit të numërimit, në mënyrë që të rritet efektiviteti i hetimeve dhe parandalimi i shkeljeve. • Gjithashtu Braho, kërkoi një rishikim të thellë të politikës penale për krimet zgjedhore, duke vënë theksin te ndëshkimi i diferencuar sipas peshës së përgjegjësisë. • Ai deklaroi se reagimi penal i shtetit duhet të jetë proporcional me rolin e personave të përfshirë në skemat e krimit, duke bërë një ndarje të qartë mes zgjedhësve vulnerabël, kandidatëve, shtabeve elektorale dhe zyrtarëve publikë.

3 artikuj për këtë temë.

1 ORE ME PARE

Braho: E domosdoshme të rishikohet politika penale për krimet zgjedhore

"Të rishikohet politika penale për krimet zgjedhore"/ Kreu i
Klodian Braho

TIRANË– Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka kërkuar një rishikim të thellë të politikës penale për krimet zgjedhore, duke vënë theksin te ndëshkimi i diferencuar sipas peshës së përgjegjësisë.

Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Braho deklaroi se reagimi penal i shtetit duhet të jetë proporcional me rolin e personave të përfshirë në skemat e krimit, duke bërë një ndarje të qartë mes zgjedhësve vulnerabël, kandidatëve, shtabeve elektorale dhe zyrtarëve publikë.

Sipas kreut të SPAK, sa më i lartë të jetë roli organizativ, politik apo financiar i një individi në një shkelje zgjedhore, aq më i fortë dhe më efektiv duhet të jetë edhe ndëshkimi.

Në përfundim, ai nënvizoi se një qasje e tillë e diferencuar është thelbësore për të rritur efektivitetin e ndëshkimit dhe për të garantuar një efekt real parandalues, me qëllim mbrojtjen e integritetit të proceseve zgjedhore në vend.

Deklarata e Brahos:

"Në mbyllje, dua të theksoj se përvoja e vitit 2025 nuk ishte një model teorik dhe as një ushtrim formal institucional. Ajo lindi nga nevoja reale për t’iu përgjigjur më shpejt, më qartë dhe me më shumë përgjegjësi një fenomeni që cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve te zgjedhjet.

Ky model proaktiv tregoi se kur institucionet veprojnë më herët, kur ndajnë informacion në kohë reale dhe kur janë të pranishme në terren, reagimi është më efektiv dhe efekti parandalues është më i dukshëm. Për këtë arsye, ajo që u ndërtua në vitin 2025 si përgjigje praktike ndaj nevojave të procesit zgjedhor, duhet të shërbejë si bazë për një politikë kombëtare më të qëndrueshme kundër krimit zgjedhor.

Për SPAK, fokusi në vijim mbetet i qartë. Hetim i bazuar në prova, jo në perceptime. Reagim i shpejtë, por gjithmonë brenda standardit procedural.b SPAK do të synojë të ketë një qasje më proaktive në hetimin e krimeve zgjedhore, hetime më të thelluara dhe ndjekje penale në mënyrë sistematike, duke mos u kufizuar vetëm në periudhën zgjedhore, si dhe duke u orientuar nga analiza e riskut të pranisë së këtij fenomeni në pjesë të territorit.

Mbi të gjitha, hetimi i krimit zgjedhor duhet të ndjekë gjurmën e parasë. Kur ndiqet burimi i financimit, mënyra e shpërndarjes dhe përfitimi real, atëherë identifikohen jo vetëm dhënësi dhe marrësi i përfitimit, por edhe ndërmjetësit, organizatorët dhe ata që përfitojnë nga deformimi i vullnetit të zgjedhësit.

Nëse reforma arrin ta lidhë hetimin penal me kontrollin financiar, bashkëpunimin institucional dhe reagimin e hershëm, atëherë lufta kundër krimit zgjedhor nuk do të jetë më vetëm reagim pas faktit, por mekanizëm real mbrojtjeje për votën. SPAK mbetet i gatshëm të kontribuojë me të dhëna, analizë dhe ekspertizë institucionale në punën e Komisionit, në funksion të një kuadri më të fortë ligjor dhe institucional për mbrojtjen e zgjedhjeve të lira dhe integritetit të votës.", u shpreh Braho./Dosja.al

2 ORE ME PARE

Sfidat në zgjedhje/ Klodian Braho: Ishim të varur nga Policia e Shtetit, shit-blerja e votës problematikë e përsëritur

"Të rishikohet politika penale për krimet zgjedhore"/ Kreu i
Klodian Braho

TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Klodian Braho ka treguar sot sfidat e SPAK në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Gjatë fjalës së tij në Komisionin për Reformën Zgjedhore, Braho vlerësoi se modeli i ndjekur gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 dha rezultate pozitive në luftën kundër krimeve zgjedhore, por theksoi se mbeten ende sfida që kërkojnë adresim për zgjedhjet e ardhshme.

Braho nënvizoi po ashtu se mekanizmi i bashkëpunimit ndërinstitucional duhet të nisë të paktën katër muaj para ditës së votimit dhe të shtrihet deri në përfundim të procesit të numërimit, në mënyrë që të rritet efektiviteti i hetimeve dhe parandalimi i shkeljeve.

Sipas tij, përvoja e vitit 2025 evidentoi se sfida më e madhe për SPAK ishte sigurimi i provave dhe mungesa e një strukture të deikuar në terren, gjë e cila e bënte institucionin të mbështetej në bashkëpunimin me struktura të tjera, duke përmendur këtu Policinë e Shtetit.

"Bashkëpunimi rezultoi një nga elementët më të rëndësishëm në vitin 2025. Prania e Task Forcës së SPAK tregoi një vlerë praktike. Integrimi i kësaj qasjeje tregoi bazë më të mirë për identifikimin e riskut. SPAK dhe KQZ ishin më të koordinuara, ky efekt parandalues është i rëndësishëm. Mekanizmi i bashkëpunimit duhet të fillojë më herët, të paktën 4 muaj para votimit dhe të vazhdojë deri në numërimin e votave. Korrupsioni zgjedhor nuk duhet parë si akt i izoluar dhe individual. Në disa raste një person nuk blen votë për interesin e vet personal, hetimi nuk duhet të kufizohet. Kjo është arsyeja pse fokusi te zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë te burimi i financimit. Modeli i vitit 2025 funksionoi, por duhet konsoliduar më tej. Reforma zgjedhore duhet të japë 3 rezultate konkrete.

Sa i përket Task Forcës, Task Forca ishte një organizim i brendshëm i SPAK me prokurorët dhe hetuesit e BKH. Në Task Forcë nuk u përfshinë autoritete të tjera. Kur e përmenda dhe propozova, protokolli duhet të jetë më i gjatë, e kam fjalën për marrëdhëniet ndërinstitucionale mes SPAK dhe KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme, por duke përfshirë dhe institucione të tjera. Çfarë nuk funksionoi? Unë e thashë dhe më parë, ishte eksperienca e parë e SPAK dhe, si eksperiencë e parë, shumë gjëra edhe për SPAK ishin të panjohura dhe u përballëm me gjëra të reja që duhet të shërbejnë si përvojë për herën tjetër. Së pari, në vetvete, në ato zgjedhje SPAK nuk ka një trupë të vetën të personave në terren dhe kjo e kushtëzon prokurorinë në mbledhjen e provave. SPAK, për kryerjen e përgjimeve në vende publike, është i varur nga persona të tjerë, ku është Drejtoria e Policisë së Shtetit.

Nuk mund të them që s’ka funksionuar bashkëpunimi, por nuk është një strukturë që është në varësi të SPAK. SPAK synon që të rekrutojë shërbime dhe të trajtojë edhe hetuesit për të qenë të aftë që në terren t’i kryejnë vetë këto veprime. Sepse organizimi do të jetë më efektiv. Pjesa tjetër që nuk funksionoi nuk lidhet vetëm me cilësi organizative apo mungesë vullneti apo faktorë që varen nga vullneti i personave që përfshihen në hetime, por sfida kryesore e një hetimi është prova dhe sfidat e suksesit dhe mosuksesit lidhen me gjetjen e provave dhe kjo është një sfidë më vete. Çfarë funksionoi? Për herë të parë, duke pasur parasysh edhe eksperiencën në zgjedhje të tjera, SPAK nuk ishte në pritje, ishte aktiv. Në momentin që në institucion administrohej një provë që po ndodh diçka në një qytet të Shqipërisë, ne nuk jemi pasivë dhe i referohemi grupit prezent, i cili vepronte me shpejtësi, punë orësh," tha Braho./Dosja.al

2 ORE ME PARE

"Krimi zgjedhor shfaqet me intensitet më të lartë gjatë viteve zgjedhore"/ Kreu i SPAK raporton në Komisionin për Reformën Zgjedhore: Në hetime të përfshihet edhe gjurmimi i parasë

"Të rishikohet politika penale për krimet zgjedhore"/ Kreu i
Klodian Braho

TIRANË- Kreu i SPAK, Klodian Braho ka raportuar ditën e sotme në Komisionin për Reformën Zgjedhore. Gjatë raportimit të tij, Braho u shpreh se për SPAK-un, mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve nuk është çështje e debatit politik, por është çështje e sundimit të ligjit.

Ai tha se raportet përfundimtare të OSBE/ODIHR-it për Shqipërinë kanë evidentuar në mënyrë të përsëritur shqetësime që lidhen me shitblerjen e votës, presionin ndaj zgjedhësve dhe punonjësve publikë, përdorimin e burimeve administrative, financimin e fushatës, si dhe nevojën për reagim efektiv nga institucionet ligjzbatuese.

Në lidhje me këtë, kreu i SPAK tha se krimi zgjedhor shfaqet me intensitet më të lartë gjatë viteve zgjedhore, por hetimi i tij nuk kufizohet vetëm në periudhën e fushatës apo në ditën e votimit. Më tej ai shtoi se strategjia e vitit 2025 nuk duhet parë si një instrument që zgjidh përfundimisht fenomenin e krimit zgjedhor, por si një hap drejt një modeli më të strukturuar, më parandalues dhe më të orientuar nga analiza e riskut.

Braho deklaroi se korrupsioni zgjedhor nuk duhet parë si akt i izoluar dhe individual, pasi në shumë raste, dikush nuk blen një votë për një interes të ngushtë personal. Sipas tij, përfitimi synohet për një subjekt politik, për një kandidat, për një grup interesi ose për një strukturë që kërkon të ndikojë rezultatin politik.

Fjala e plotë:

Ju falënderoj për ftesën dhe për mundësinë që SPAK-u të paraqesë qëndrimin e vet institucional në kuadër të punës së Komisionit për reformën zgjedhore. Për SPAK-un, mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve nuk është çështje e debatit politik, por është çështje e sundimit të ligjit, e besimit publik dhe e aftësisë së institucioneve për të reaguar ndaj çdo forme të krimit zgjedhor.

Në këtë seancë dëgjimore, kontributi i SPAK-ut do të përqendrohet në çështjet që lidhen me ligjin penal, me kompetencën e Prokurorisë së Posaçme, me hetimin e veprave penale që cenojnë procesin zgjedhor dhe me problematikat e evidentuara në praktikë.

Që në fillim, dua të theksoj se SPAK nuk vjen në këtë seancë për të vlerësuar garën politike, subjektet zgjedhore apo për të bërë vlerësime mbi rezultatin e zgjedhjeve. Ky nuk është as roli ynë, as mandati ynë kushtetues. Roli ynë lidhet me zbatimin e ligjit penal, me ushtrimin e ndjekjes penale brenda kompetencës së përcaktuar nga ligji dhe me evidentimin e çështjeve që kërkojnë vëmendje procedurale dhe ndërinstitucionale në funksion të parandalimit dhe hetimit efektiv të krimit zgjedhor.

Për rrjedhojë, qëndrimi ynë sot synon të kontribuojë cilësisht në punën e Komisionit duke ndarë me ju të dhënat e administruara nga SPAK për periudhën 2021-2026, përvojën parandaluese dhe hetimore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, zbatimin e Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor, si dhe problematikat që mund të adresohen përmes përmirësimeve ligjore dhe institucionale.

Të nderuar deputetë,

Përpara se të ndalem te të dhënat konkrete, vlerësoj të nevojshme të sqaroj kufirin e kompetencës lëndore të SPAK-ut për sa i përket krimeve zgjedhore.

Kodi Penal, në Kreun X, parashikon veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve. Ky kre përmban 15 vepra penale. Referuar nenit 75/a, paragrafi i parë, shkronja “a”, të Kodit të Procedurës Penale, SPAK ka kompetencë lëndore vetëm për ushtrimin e ndjekjes penale për veprat penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje dhe korrupsionit pasiv në zgjedhje, të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal.

Ndërsa veprat e tjera penale që lidhen me krimin zgjedhor, në parim, i përkasin prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm. Përjashtim bëjnë rastet kur fakti penal lidhet me subjektet e posaçme apo kur vepra penale është kryer nga krimi i organizuar.

Po ashtu, duhet shmangur keqkuptimi se çdo pretendim publik, çdo deklarim politik apo çdo informacion i përcjellë gjatë periudhës zgjedhore mund të përkthehet automatikisht në procedim penal nga SPAK apo në një akuzë penale. Jo çdo shkelje zgjedhore është në kompetencën tonë dhe jo çdo parregullsi gjatë procesit zgjedhor përbën vepër penale.

Megjithatë, jemi të ndërgjegjshëm se pritshmëria publike ndaj SPAK-ut në këtë fushë është shpesh më e gjerë se kompetenca ligjore e institucionit. Kjo lidhet edhe me nivelin e lartë të besimit të qytetarëve te puna dhe integriteti i SPAK-ut. Pikërisht për këtë arsye, çdo informacion i administruar është vlerësuar me seriozitet, por gjithmonë brenda kufijve të kompetencës, standardit të provës dhe kërkesave të Kodit të Procedurës Penale.

Nga vlerësimi i tre cikleve zgjedhore të zhvilluara gjatë periudhës së funksionimit të SPAK, konkretisht zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, zgjedhjet vendore të vitit 2023 dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, shfaqet një panoramë e qartë e problematikave që përsëriten në këtë fushë.

Raportet përfundimtare të OSBE/ODIHR-it për Shqipërinë kanë evidentuar në mënyrë të përsëritur shqetësime që lidhen me shitblerjen e votës, presionin ndaj zgjedhësve dhe punonjësve publikë, përdorimin e burimeve administrative, financimin e fushatës, si dhe nevojën për reagim efektiv nga institucionet ligjzbatuese.

Këto konstatime duhet të lexohen me seriozitet dhe kujdes profesional. Ato nuk janë, në vetvete, konstatime penale për fajësinë e individëve të caktuar. Por ato janë indikatorë të rëndësishëm risku, që ndihmojnë institucionet të kuptojnë se ku duhet të përqendrohet parandalimi, monitorimi, verifikimi dhe hetimi penal.

Për periudhën 2021 deri në 2025, SPAK ka trajtuar gjithsej 233 materiale zgjedhore. Nga këto 157 janë regjistruar si procedime penale. Këto të dhëna tregojnë se, pavarësisht kufirit të kompetencës së drejtpërdrejtë të SPAK, volumi i materialeve të administruara në këtë fushë ka qenë i konsiderueshëm.

Në vitin 2021 u regjistruan 63 procedime penale, në vitin 2022 u regjistruan 5 procedime penale, në vitin 2023 u regjistruan 36 procedime penale, në vitin 2024 u regjistruan 7 procedime penale, ndërsa në vitin 2025 u regjistruan 46 procedime penale. Për vitin 2026, deri më sot, janë regjistruar 2 procedime penale.

Këto shifra tregojnë dy elemente të rëndësishme.

Së pari, krimi zgjedhor shfaqet me intensitet më të lartë gjatë viteve zgjedhore, por hetimi i tij nuk kufizohet vetëm në periudhën e fushatës apo në ditën e votimit.

Së dyti, një pjesë e konsiderueshme e punës së SPAK lidhet me vlerësimin fillestar të kompetencës, me dallimin ndërmjet shkeljes administrative dhe faktit penal, me verifikimin e burimit të informacionit dhe me identifikimin e rasteve ku ekzistojnë elemente konkrete për regjistrimin e procedimit penal.

Në këtë këndvështrim, përvoja e viteve 2021 deri në 2024 shërbeu si bazë për një qasje më të strukturuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Pikërisht për këtë arsye, në funksion të rekomandimeve të Kuvendit dhe të gjetjeve të përsëritura të OSBE/ODIHR-it, SPAK-u miratoi dhe zbatoi Strategjinë e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin 2025, me synimin që reagimi institucional të mos ishte vetëm pas kallëzimit, por më i hershëm, më i koordinuar dhe më i orientuar nga risku.

Të nderuar deputetë,

Strategjia e vitit 2025 nuk duhet parë si një instrument që zgjidh përfundimisht fenomenin e krimit zgjedhor. Strategjia ishte një hap i parë për ta kaluar SPAK-un nga një model kryesisht reagues, të bazuar te kallëzimet dhe njoftimet nga subjekte të tjera, drejt një modeli më të strukturuar, më parandalues dhe më të orientuar nga analiza e riskut.

Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se kjo qasje prodhoi një volum të lartë pune dhe një bazë të gjerë informacioni. Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u administruan 194 materiale, sinjalizime, kallëzime, referime dhe informacione të lidhura me dyshime për krime zgjedhore.

Origjina e këtyre materialeve tregon një ndryshim të rëndësishëm. Në vitin 2025, nga 46 procedime penale të regjistruara, 47.8 për qind janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit dhe 23.9 për qind janë nisur kryesisht nga SPAK, ndërsa 28.3 për qind ka ardhur nga kallëzime të shtetasve, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, subjektet politike dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

Dallimi kryesor i vitit 2025 ishte se institucioni nuk priti vetëm ardhjen e kallëzimeve. Ai u përpoq të lexojë riskun më herët, të koordinojë informacionin më shpejt dhe të orientojë reagimin sipas kompetencës dhe provave. Fakti që 23.9 për qind e procedimeve janë nisur kryesisht nga SPAK është tregues i rëndësishëm.

Nga totali i procedimeve të regjistruara në vitin 2025, 5 procedime me 9 të pandehur janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, 9 janë dërguar me kërkesë për pushim, 5 janë dërguar për kompetencë në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, 1 është pezulluar, 4 janë bashkuar me procedime të tjera dhe 22 mbeten në hetim deri më sot.

Gjatë vitit 2026 janë dënuar 7 persona për vepra penale që prekin zgjedhjet, duke treguar se ecuria gjyqësore e këtyre çështjeve vazhdon edhe pas përfundimit të ciklit zgjedhor.

Një element tjetër që meriton vëmendje në kuadër të reformës është politika penale për këto vepra. Nga analiza e personave të dënuar për vepra penale zgjedhore, duke përjashtuar rastet ku vendimmarrja e mëvonshme e Apelit ka çuar në pafajësi, rezulton se lloj i dënimit kryesor i dhënë nga gjykatat është burgimi. Në grupin e rasteve të analizuara, mesatarja e dënimit me burgim është rreth 13 muaj dhe një pjesë e konsiderueshme ka përfituar nga alternativat e dënimit me burgim. Kjo tregon se efekti parandalues i sanksionit penal mund të mos jetë gjithmonë në përputhje me peshën e fenomenit dhe të ndikimit që këto vepra kanë mbi integritetin e procesit zgjedhor.

Për këtë arsye, një nga çështjet që mund të vlerësohet në kuadër të reformës është rishikimi i politikës penale, si në raport me masën e dënimit, ashtu edhe në raport me profilin dhe rolin e autorit në skemën e korrupsionit zgjedhor. Ky rishikim nuk duhet të jetë as i përgjithshëm, as mekanik. Ai duhet të diferencojë zgjedhësin, përfaqësuesin e subjekteve politike, kandidatin, zyrtarin e lartë apo nëpunësin publik.

Të nderuar deputetë,

Në zbatim të rekomandimeve të Kuvendit, SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë në proces të finalizimit të analizës së përbashkët mbi hetimin dhe parandalimin e krimit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Grupi ndërinstitucional i punës është në fazën përfundimtare të këtij procesi dhe analiza do t’i përcillet zyrtarisht Kuvendit. Për këtë arsye, sot nuk do të ndalem në mënyrë shteruese te çdo konkluzion i raportit, por do të ndaj disa gjetje kryesore që rezultojnë nga diskutimet e përbashkëta, nga të dhënat e administruara dhe nga përvoja institucionale e SPAK gjatë këtij procesi, të cilat besoj janë të rëndësishme për punën e këtij komisioni.

Bashkëpunimi ndërmjet SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rezultoi një nga elementet më të rëndësishme të qasjes së vitit 2025. Protokolli i bashkëpunimit, përcaktimi i pikave të kontaktit dhe shkëmbimi i informacionit në kohë reale krijuan një mekanizëm më funksional për orientimin e rasteve sipas kompetencës, për shmangien e mbivendosjeve dhe për reagimin më të shpejtë ndaj indicieve që lidhen me krimin zgjedhor.

Prania e task-forcës së SPAK me mbulim kombëtar, e koordinuar me seksionet e posaçme të përkohshme të ngritura në çdo prokurori të juridiksionit të përgjithshëm nga Prokurori i Përgjithshëm, tregoi vlerë praktike. Ky organizim mundësoi që reagimi institucional të mos ishte vetëm qendror, por edhe territorial, më afër burimit të informacionit dhe më pranë dinamikës reale të procesit zgjedhor. Integrimi i kësaj qasjeje me mekanizmat e denoncimit dhe të monitorimit pranë KQZ-së krijoi një bazë më të mirë për identifikimin e hershëm të riskut.

Përvoja e vitit 2025 tregoi se prania e hershme dhe e dukshme e institucioneve ka efekt parandalues. Vetë fakti që SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, KQZ dhe strukturat ligjzbatuese ishin më të koordinuara, më të pranishme në terren dhe më aktive në komunikimin publik, krijoi një nivel më të lartë vëmendjeje ndaj përgjegjësisë penale për sjelljet që cenojnë integritetin e zgjedhjeve. Ky efekt parandalues është i rëndësishëm dhe duhet ruajtur, por ai nuk mund të mbështetet vetëm te prania në ditën e votimit. Për këtë arsye, mekanizmi i bashkëpunimit duhet të aktivizohet më herët, të paktën katër muaj përpara datës së zgjedhjeve, dhe të vijojë deri pas përfundimit të numërimit të votave.

Analiza tregon se korrupsioni zgjedhor nuk duhet parë si akt i izoluar dhe individual. Në shumë raste, dikush nuk blen një votë për një interes të ngushtë personal. Përfitimi synohet për një subjekt politik, për një kandidat, për një grup interesi ose për një strukturë që kërkon të ndikojë rezultatin politik. Prandaj, hetimi nuk mund të kufizohet vetëm te dhënësi apo marrësi i përfitimit. Ai duhet të zgjerohet drejt burimit të financimit, organizatorëve, ndërmjetësve, personave që koordinojnë skemën dhe përfituesve realë të saj.

Kjo është arsyeja pse, për zgjedhjet e ardhshme, fokusi duhet të jetë më i qartë te gjurma financiare. Shitblerja e votës, favoret administrative, pagesat cash, mbështetja logjistike, shërbimet apo përfitimet e tjera nuk duhen parë të shkëputura nga njëra-tjetra. Ato duhet të analizohen si pjesë e një zinxhiri që lidh burimin e parave, mënyrën e shpërndarjes, ndërmjetësit, zonën ku ushtrohet ndikimi dhe përfituesin politik ose elektoral të skemës.

Në këtë kuptim, gjetja kryesore është se modeli i vitit 2025 funksionoi, por duhet konsoliduar më tej duke e orientuar drejt gjurmimit financiar dhe identifikimit të përfituesve realë të korrupsionit zgjedhor.

Të nderuar deputetë,

Nga përvoja e vitit 2025, SPAK vlerëson se reforma zgjedhore duhet të prodhojë tre rezultate konkrete.

Së pari, mund të vlerësohet hartimi i një Strategjie Kombëtare për Parandalimin, Identifikimin dhe Hetimin e Krimit Zgjedhor. Përvoja tregon se krimi zgjedhor nuk është vetëm çështje e një institucioni dhe nuk trajtohet vetëm nëpërmjet reagimit penal pas kallëzimit. Ai kërkon një qasje të integruar, ku parandalimi, monitorimi administrativ, raportimi qytetar, verifikimi policor, hetimi penal dhe kontrolli financiar të funksionojnë si pjesë e të njëjtit mekanizëm institucional.

Së dyti, protokolli i bashkëpunimit ndërinstitucional duhet të kalojë nga një instrument i përkohshëm për një cikël zgjedhor, në një mekanizëm të qëndrueshëm dhe të përhershëm të normuar me ligj. Ky mekanizëm duhet të përfshijë jo vetëm SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme dhe KQZ-në, por edhe Policinë e Shtetit, Agjencinë e Inteligjencës Financiare si dhe institucionet e tjera ligjzbatuese që kanë rol në verifikimin e indicieve, në gjurmimin e burimeve financiare dhe në dokumentimin e rasteve. Gjithashtu, bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të aktivizohet më herët dhe të zgjasë më gjatë.

Së treti, mund të vlerësohet rishikimi i politikës penale për format më të rënda të krimit zgjedhor. Kjo nuk duhet kuptuar si rritje mekanike e dënimeve për çdo rast, por si nevojë për të vlerësuar nëse marzhet aktuale të dënimit janë të përshtatshme për rastet kur vepra kryhet në bashkëpunim apo më shumë se një herë.

Gjithashtu individualizimi i dënimit duhet të diferencojë zgjedhësin vulnerabël, përfaqësuesin e subjekteve politike, kandidatin dhe shtabin e tij elektoral, financuesin e fushatës, zyrtarin e lartë apo nëpunësin publik. Sa më i lartë të jetë roli organizues, politik, administrativ ose financiar i personit, aq më i qartë duhet të jetë edhe reagimi penal.

Të nderuar deputetë,

Në mbyllje, dua të theksoj se përvoja e vitit 2025 nuk ishte një model teorik dhe as një ushtrim formal institucional. Ajo lindi nga nevoja reale për t’iu përgjigjur më shpejt, më qartë dhe me më shumë përgjegjësi një fenomeni që cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve te zgjedhjet.

Ky model proaktiv tregoi se kur institucionet veprojnë më herët, kur ndajnë informacion në kohë reale dhe kur janë të pranishme në terren, reagimi është më efektiv dhe efekti parandalues është më i dukshëm. Për këtë arsye, ajo që u ndërtua në vitin 2025 si përgjigje praktike ndaj nevojave të procesit zgjedhor, duhet të shërbejë si bazë për një politikë kombëtare më të qëndrueshme kundër krimit zgjedhor.

Për SPAK, fokusi në vijim mbetet i qartë. Hetim i bazuar në prova, jo në perceptime. Reagim i shpejtë, por gjithmonë brenda standardit procedural.

SPAK do të synojë të ketë një qasje më proaktive në hetimin e krimeve zgjedhore, hetime më të thelluara dhe ndjekje penale në mënyrë sistematike, duke mos u kufizuar vetëm në periudhën zgjedhore, si dhe duke u orientuar nga analiza e riskut të pranisë së këtij fenomeni në pjesë të territorit.

Mbi të gjitha, hetimi i krimit zgjedhor duhet të ndjekë gjurmën e parasë.

Kur ndiqet burimi i financimit, mënyra e shpërndarjes dhe përfitimi real, atëherë identifikohen jo vetëm dhënësi dhe marrësi i përfitimit, por edhe ndërmjetësit, organizatorët dhe ata që përfitojnë nga deformimi i vullnetit të zgjedhësit.

Nëse reforma arrin ta lidhë hetimin penal me kontrollin financiar, bashkëpunimin institucional dhe reagimin e hershëm, atëherë lufta kundër krimit zgjedhor nuk do të jetë më vetëm reagim pas faktit, por mekanizëm real mbrojtjeje për votën.

SPAK mbetet i gatshëm të kontribuojë me të dhëna, analizë dhe ekspertizë institucionale në punën e Komisionit, në funksion të një kuadri më të fortë ligjor dhe institucional për mbrojtjen e zgjedhjeve të lira dhe integritetit të votës./Dosja.al

Sondazh

Poll

Tensione mes protestuesve/ Një grua debaton me qytetarët mes turmës, protestuesi: Mos u provokoni

Tensione mes protestuesve/ Një grua debaton me qytetarët mes turmës, protestuesi: Mos u provokoni

Protesat e 31/ Qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë: Rama jepe dorëheqjen!

"Donte të na vinte në qeli"/ Dritan Goxhaj pas lirimit: Nuk pranuam të takonim Avokatin e Popullit

"Lironi protestuesit"/ Protestuesit mblidhen para Drejtorisë së Policisë #dosja #dosjaal #protesta

Aksidenti tragjik, dalin PAMJET nga vendi i ngjares

"Nuk ka kolltuk që e shpëton një pushtet"/ Gjekmarkaj: Shqiptarët janë në rrugë kundër padrejtësisë

Përplasje e ashpër në Kuvend mes Balliut dhe Muçit: Kjo është për tu vlerësuar, jo për tu përdorur

Balla: Ju gëzoni kur protestuesit thërrasin “Berisha në burg”, shpresoni se do shpëtoni nga Saliu

Bardhi për Ramën: Dorëheqjen s'e jep dot, ka ende borxhe për të shlyer

Protestonte para Kuvendit, Policia arreston Dritan Goxhajn dhe të tjerë protestues

Protestuesit vijojnë revoltën para Kuvendit/ Godasin me vezë automjetin e ministrit Gonxhja

Gjest human në mes të protestës/ Qyetarët para Kuvendit shpërndajnë ujë për efektivët e policisë

Policia ndërhyn për të hapur rrugën deputetëve, i bashkohet FNSH

Protestuesit përplasen me policinë, i bllokojnë rrugën zv.kryeministres Albana Koçiu

Protestuesit ndjekin deputetin e PS-së jashtë Parlamentit: Nuk na përfaqëson, hajdut

Tensione para Parlamentit, protestuesit godasin me vezë makinën e Tërmet Peçit dhe Petrit Malajt

Të rinjtë u “vendosin gjoba” makinave: Mos procedoni studentët, jemi në protestë

Ja momenti i arrestimit të Emiljano Ninës, policia jep detajet e ngjarjes

Tension para Kuvendit, protestuesit tentojnë të fusin kosh mbeturinash në hyrje të institucionit

Qytetarët protestojnë përballë godinës së Kuvendit: Ju erdhi fundi

Mblidhen protestuesit para Kuvendit, deputetët e mazhorancës hyjnë 30 minuta më herët

"Do vijoj të jem pjesë e PS"/ Spiropali: Jemi duke punuar mbi draftin për Shqipërinë e re

Përfshihet nga flakët kompleksi në Laprakë, nuk raportohen të lënduar

“Ju erdhi fundi”/ Momenti kur protestuesit shpalosin banderolën në muret e Politeknikut

“Ekonomia ka marrë fund”/ Protestuesja: Në drejtësi nuk gjen zgjidhje, kushtet ne spitale janë copë

Aktivisti Klod Leka: Qytetarët po rezitojnë dhe në kushtet e vështira të vapës

“Korrupsioni më mënyrë galopant” Maestro: Po rrisim fëmijët që të emigrojnë jashtë vendit

“Duhet qeveri teknike”/ Maestro: Protesta do vazhdoj deri në qytetarin e fundit në shesh

Një muaj pandërprerë/ Qytetarët vazhdojnë protestën kundër Qeverisë Rama

Eurodeputetja Vula Tsetsi:Nuk ka zgjerim të BE-së me Shqipërinë nëse Rama e shet vendin tek të huajt

Eurodeputetja Christina Guarda mesazh Ramës: Nuk hyhet në Europë duke u përulur, por me kokën lart!

Eurodeputetja Anna Strolenberg: Mos u ngatërro me shqiptarët, lufto korrupsionin dhe mbro natyrën!

Përplasje fizike mes protestuesve dhe rojeve të universitetit Politeknik

Pas përplasjeve me rojet brenda Universitetit të Politeknikut, protestuesit marrin banderolën

Protestuesit marrin sërish banderolën, e shpalosin nga katet e Universitetit Politeknik

Policia u heq banderolën, protestuesit futen brenda Universitetit Politeknik

Të shtëna me armë zjarri në Pogradec, plagoset i riu me precedentë penal

Goditet grupi kriminal që kryente vjedhje me dhunë në Sarandë, 4 persona të arrestuar

Me pankartat dhe flamurin kombëtar, protestuesit e zbardhin përpara kryeministrisë

Ra nga shkëmbi teksa mblidhte bimë medicinale/ Gjendet pas mesnate 32-vjeçari

Ranë në greminë gjatë eksplorimit të Kanioneve të Gjipesë, shpëtohen 4 turistët

“Edi Rama është një komunist”/ Sopranoja në protestën e 29-të: Jam fëmijë e rritur internimeve

Protestuesi: Rama shpenzon 4.5 mln euro për kapriçot e tij

"Policia e Shtetit të mos provokojë!"/ Protestuesi- qytetarëve: Mos bini pre e provokimeve

Dita e 29-të e protestës/ Nis marshimi nga sheshi "Skëndërbej" drejt Kryeministrisë

Dita e 29-të e protestës/ Nis grumbullimii qytetarëve në sheshin "Skëndërbej"

Zjarri në Mallakastër/ Shuhen flakët në Hekal, rrezik për Parkun Arkeologjik të Bylisit

Incident para Kryeministrisë, policia largon qytetarët që kishin kaluar natën pranë saj

Propozimi për Kuvendin Kombëtar, protestuesi para kryeministrisë: Kemi 500 anëtarë potencialë

Salianji i bashkohet protestuesve: Asnjë makineri pushteti nuk mund ta ndalë ndryshimin