Belind Kellici
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi denoncoi një aferë lidhur me dhënien e licencës së kazinosë në hotelin me pesë yje në kullën "Air Albania". Në një konferencë për mediat, Kwlliçi ka paralajmëruar se e gjithë dosja do t’i dorëzohet Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Sipas Këlliçit, opozita ka përgatitur një material me dokumente dhe fakte që, sipas tij, tregojnë lidhje mes kompanive të përfshira në transaksion dhe individëve të afërt me vëllain e kryeministrit Edi Rama.
Këlliçi u ndal te ndryshimi i aksionerëve të kompanisë "Space Plus", e cila zotëron licencën e kazinosë, duke pretenduar se miratimi i dhënë nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit është bërë në kundërshtim me kuadrin ligjor. Sipas tij, një pronë pyjore në Kepin e Rodonit, e blerë nga kompania GLG Investment për rreth 320 mijë euro në prill të vitit 2025, u rivlerësua vetëm pak muaj më vonë në rreth 26 milionë euro dhe u përdor si kapital për transaksionin.
"Në lidhje me këtë aferë, ne do të bëjmë një prezantim në raport dhe me të gjithë individët e përfshirë në këtë aferë dhe lidhjen e tyre me vëllain e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ky material përmban dhe një rrjet të tërë kompanish të lidhura edhe me biznesin e call center-ave, ashtu dhe me lejet e ndërtimit, që për efekt kohe sot e kemi të pamundur ta bëjmë publik, i gjithi do të përcillet pranë SPAK-ut për hetime të mëtejshme. Por ta nisim me prezantimin e këtyre fakteve për licencën e kazinosë. Sipas kuadrit ligjor në fuqi, hotelet me pesë yje në vendin tonë mund të përfitojnë licencë për ushtrimin e aktivitetit të kazinosë.
Një ndër hotelet me pesë yje është ai në kullën e stadiumit Air Albania. Shoqëria që ka një licencë kazinoje në këtë hotel është shoqëria Space Plus. Sipas të dhënave të QKB-së, ky subjekt fillimisht kur mori licencën kishte si aksioner në masën 99% të aksioneve shoqërinë Albstar dhe 1% shoqërinë W CZ Holding s.r.o. Kjo e fundit një kompani e regjistruar në Republikën Çeke. Ju lutem regjia, shfaqni në ekran ekstraktin e QKB-së. Sipas detyrimeve ligjore, kompania e cila aplikon për marrjen e një licence kazinoje duhet të ketë një kapital minimalisht prej 1 miliard e 200 milionë lekë ose ndryshe rreth 12 milionë euro. Ligji përcakton gjithashtu se kompania duhet të ketë eksperiencë në fushën e lojërave të fatit.
E me sa duket kjo ka qenë në fakt arsyeja pse është futur aksioner me vetëm 1% ortaku çek W CZ Holding s.r.o. në kazinonë në kullën Air Albania. Kjo kompani është e lidhur me shoqëri të cilat kanë pjesën më të madhe dhe operojnë në tregun e lojërave të fatit, Adria Entertainment dhe WSI sh.p.k., të lidhura drejtpërdrejt me shtetasin Bledar Sinani. Në nëntor të vitit 2025, Albstar ka shitur aksionet e kazinosë drejt kompanisë GLG Investment. Sipas dokumentacionit të depozituar në QKB, rezulton se marrëveshja fillestare mes Albstar dhe GLG Investment është firmosur në gusht të vitit 2025. Dhe më pas janë bërë kërkesat pranë AMLF dhe Autoritetit të Konkurrencës për dhënien e miratimit për ndryshimin e aksionerit sipas përcaktimeve ligjore.
Kjo marrëveshje nuk ka të përcaktuar një çmim për këtë transaksion, ose marrëveshja e plotë nuk është depozituar ende në QKB. Në ekran mund të shihni ekstraktin e QKB-së dhe një kopje të marrëveshjes. Kuadri ligjor aktual kërkon që AMLF të qartësojë se kush është pronari fundor përfitues, të verifikojë burimin e të ardhurave për krijimin jo vetëm të kapitalit, por edhe të shumave të tjera që do të duhet të investohen, pasi licenca nuk mund t'i jepet një individi anonim i cili nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të operuar në këtë fushë. AMLF-ja e ka dhënë miratimin në kundërshtim me kuadrin ligjor, pasi kjo ishte një kompani anonime, sikundër e kemi parë këtë skemë të ndodhë në 13 vitet e pushtetit të Edi Ramës. Me zero historik si kompani, me zero aktivitet në Shqipëri, por me kushtin që të hiqej toka në pronësi të kompanisë Albstar si kapital aksionar dhe të zëvendësohej me një tjetër tokë në pronësi të GLG Investment sh.p.k.
Dhe ky është momenti ku situata bëhet tërësisht flagrante dhe kriminale. Në ekran mund të shihni foton e miratimit të Agjencisë Mbikëqyrëse të Lojërave të Fatit që thotë me kusht që toka të kalojë si kapital i shoqërisë Space Plus sh.a. Sipas dokumentacionit të depozituar në QKB, rezulton se pasuria në pronësi të kompanisë GLG Investment është pasuria e llojit pyll, numër pasurie 118 fraksion 9, zona kadastrale 1522 me sipërfaqe 275,550 metër katror e ndodhur në Draç, në Kepin e Rodonit, një nga zonat më të lakmueshme në Shqipëri, në Durrës. E cila vlerësohet sipas raportit të vlerësimit të hartuar nga eksperti vlerësues, inxhinieri Eno Kume, bashkëngjitur vendimit, në vlerën 2 miliard e 556 milion e 732 mijë e 8 lekë, rreth 26 milionë euro. Grupi ynë i ekspertëve investigoi dhe më tepër origjinën dhe kohën që GLG e kishte blerë tokën si dhe vlerën e saj. Në aktin e ekspertit Eno Kume të datës 19 qershor 2025 rezulton se pasuria e llojit pyll me sipërfaqe 275,550 metër katror është blerë nga GLG Investment në datën 9 prill 2025 në vlerën qesharake 32 milion e 239 mijë e 350 lekë, rreth 320 mijë euro në total. Në ekran keni foton e raportit të vlerësimit," tha Këlliçi./Dosja.al