Politike

AXHENDA/ Aktakuzat ndaj Thaçit e Veselit, Rama nis takimet në Kosovë. Nesër sërish vizita, paralajmëron konferencë për shtyp

Kryeministri Edi Rama shkon në Kosovë. Gjithë ditën e sotme ka zhvilluar takime zyrtare me krerët e Shtetit në Kosovë dhe me krerët e partive. Nesër do të ketë sërish takime dhe më pas një konferencë për shtyp.
Featured image of article: AXHENDA/ Aktakuzat ndaj Thaçit e Veselit, Rama nis takimet në Kosovë. Nesër sërish vizita, paralajmëron konferencë për shtyp Edi Rama

TIRANË– Kryeministri Edi Rama që prej mëngjesit të sotëm ndodhet në Kosovë, ku edhe do të zhvillojë një vizitë dy ditore. Kreu i qeverisë që prej mbërritjes në Prishtinë ka zhvilluar vizita me të gjithë krerët e shtetit në Kosovë, bashkë me ta edhe krerët e partive kryesore në vend.

Takimet në Kosovë, Rama i nisi me Fatmir Limajn dhe më pas ka shkuar në zyrën e Vjosa Osmanit për të kaluar më pas tek homologu i tijAvdullah Hoti. Limaj ka ndarë detaje nga takimi me dyer të mbyllura duke u shprehur se me kryeministrin Rama kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Limaj bëri me dije se Rama ishte shprehur i gatshëm të ofrojë gjithë ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kaloj Kosova.

Ndërkohë takimet kanë vijuar edhe pasdite, duke vijuar tek zyra e Kadri Veselit, Albin Kurtit për të përfunduar tek zyra e presidentit Hashim Thaçi. Ajo që ka bërë përshtypje është ajo mungesa e takimit me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, me të cilin po përballet në Gjykatë për shpifje. Ndërkohë vizitat do të vijojnë dhe nesër dhe më pas Rama në përfundim të të gjithë takimeve do të zhvillojë një konferencë për mediat, ku do të sqarojë gjithë çfarë ka ndodhur dhe është biseduar pas dyerve të mbyllura. Ende nuk dihet se kush do të shoqërojë.  

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Pak ditë më parë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kreu i PDK, Kadri Veseli dhe 9 ish-luftëtarë të UÇK-së do të përballen me akuzat e Prokurorisë Speciale. Thaçi, Veseli dhe luftarët e tjerë akuzohen për më shumë se 100 vrasje të paligjshme gjatë luftës në Kosovë. Politika në Shqipëri dhe Kosovë u bë njësh dhe të gjithë i dolën në mbrojtje ish-ushtarëve të UÇK-së. Publikimi i aktakuzave solli dhe anulimin e dialogut në Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë Grenell ka deklaruaar se do të caktohet një datë tjetër për bisedimet Kosovë-Serbi.

Këto aktakuza, kryeministri Rama i konsideroi si fletë rrufë të revolucionit kinez, dhe shtoi se ishte një tekst mjaft i ashpër. Për Ramën, akuzuesi është bërë viktimë, ndërsa viktima është kthyer në të akuzuar, përmes fletë-rrufesë.

(k.m.F.M. A.B. Dosja.al)

  • 19:43

    Rama i shkon në zyrë Thaçit, i zgjat grushtin por presidenti i jep dorën, qeshin me siklet

    Kryeministri Edi Rama ka shkuar së fundmi në zyrën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Gjatë takimit me të, dy politikanët nuk janë kuptuar për mënyrën sesi do të përshëndeten. Rama i ka zgjatur grushtin, ndërsa Thaçi nga ana e tij i ka shtrënguar dorën, duke bërë që të dy të qeshin para kamerave. Ky është takimi i fundit për sot i kryeministrit Rama në Kosovë, ndërsa pas pak kreu i shtetit të Kosovës, do të dalë në një deklaratë për shtyp duke adresuar për herë të parë akuzat që janë ngritur prej tij për krime lufte. 

  • 19:00

    “Kryeministër, të lumshin këmbët!”/ Akuzohet për krime lufte, Rama i shkon në zyrë Kadri Veselit, ish-kryeparlamentari e prezanton me stafin

    Kryeministri Edi Rama ka shkuar edhe në zyrën e kreut të PDK-së, Kadri Veselit, i cili është nën akuzë për krime lufte në Kosovë. Veseli e ka pritur kryeministrin Rama që tek hyrja e selisë dhe i ka treguar të gjithë ambientin duke e prezantuar edhe me stafin dhe zyrtarët e PDK-së. I emocionuar nga vizita dhe mbështetja e kreut të qeverisë shqiptare, ish-kryeparlamentari Veseli nuk i kurseu edhe fjalët e mira duke e falenderuar disa herë rresht për vizitat e tij në Kosovë, pas ngritjes së aktakuzave.

    “Në zyrën time janë kolegët, kryeministër mirë se ke ardhur. Të lumshin këmbët! Faleminderit shumë!,“-i tha Veseli-Ramës.

  • 18:09

    Rama zbarkon në zyrën e Vetëvendosjes, nis takimin me Albin Kurtin

    Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë dy ditore në Kosovë, ku do të takohet me krerët e politikës. Në këtë vizitë Rama është shoqëruar edhe nga Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. Së fundmi kreu i qeverisë është takuar me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti. I pranishëm në takim ishte edhe ish-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca.

  • 16:51

    Rama vijon axhendën në Kosovë, takohet dhe me Avdullah Hotin

    Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur në takim Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Siç shihet dhe nga foto, Rama dhe Hoti nuk shtrëngojnë duart, por vetëm përshdenten nga larg duke respektuar masat kudnër COVID-19.

    Më herët Rama ka zhvilluar një takim me kreun e Nismës, Fatmir Limaj dhe kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani. Gjatë gjithë takimeve në Kosovë, kreu i qeverisë është parë të mos vendos maskë.

    Pas Hotit, Rama do të takohet me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe lider të tjerë.

  • 16:02

    Rama takohet me Vjosa Osmanin, fotografohet teksa futet në Kuvend

    Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takimin e parashikuar me Vjosa Osmanin. Rama është fotografuar teksa hynë në Kuvend dhe shoqërohet nga Osmani.

    Për takimin ende nuk ka njoftim zyrtar, por tema e diskutimit ka qenë aktakuza kundër Presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

    Më herët kreu i qeverisë ka zhvilluar dhe një takim me Fatmir Limajn, ku ishte i shoqëruar nga ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

  • 13:36

    Rama nis takimet në Kosovë, i shkon në zyrë Fatmir Limajt

    Kryeministri Edi Rama ka nisur takimet në Prishtinë. Në këtë vizitë, kreu i qeverisë shoqërohet nga ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

    Rama bashkë me Cakajn kanë shkuar në zyrën e Fatmir Limaj, i cili është kreu i Nismës Socialdemokrate dhe pjesë e qeverisë aktuale në Kosovë. Kryeministri  ka publikuar dhe një video të takimit me kreun e Nismas. Takimi ka qenë me dyer të mbyllura mësohet se biseda është fokusuar tek aktakuza kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

    Limaj ka ndarë detaje nga takimi me dyer të mbyllura duke u shprehur se me kryeministrin Rama kanë biseduar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Limaj bëri me dije, se Rama ishte shprehur i gatshëm të ofroi gjithë ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kaloj Kosova.

    “Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim në selinë e Nismës Socialdemokrate, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, me bashkëpunëtorë, me të cilin diskutuam për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë për mundësinë e koordinimit të veprimeve që duhet ndërmarrim si spektër politik në Kosovë pas situatës së krijuar në vendin tonë. Bashkërisht konstatuam se drejtuesit e institucioneve në Kosovë duhet të tregojnë̈ lidership të vërtetë në këto rrethana në të cilat po kalon vendi. Është përgjegjësi e udhëheqësve të forcave politike dhe institucioneve shtetërorë të Kosovës që t’i lemë anash dallimet dhe të veprojmë me gjakftohtësi të madhe në interes të vendit. Kosova nuk guxon të humbas orientimin e saj dhe duhet t’i përgjigjemi me kujdes situatës, si dhe në të njëjtën kohë jam i bindur se ne do të dalim me të fortë nga kjo situatë. Kryeministri Rama u shpreh i gatshëm që të ofroi gjithë ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kaloj Kosova,”-shkruan Limaj.

  • 12:53

    Rama konfirmon vizitën në Kosovë: Aktakuza ishte një fletë-rrufe që do hyjë në historinë e drejtësisë si një njollë turpi

    Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar sot vizitën e tij në Prishtinë. Në një postim në mediat sociale, Rama shkruar se ndodhet në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë për aktakuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale.

    Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë

    Më tej Rama ka sulmuar edhe njëherë Specialen, duke thënë se aktakuza është një fletë-rrufe që do të hyjë si njollë turpi e shekullit të XXI në historinë botërorë të drejtësisë.

    NË PRISHTINË PËR TË DËGJUAR DHE MËSUAR MË SHUMË PAS FLETË-RRUFESË SPECIALE QË DO TË HYJË SI NJOLLË TURPI E SHEKULLIT XXI NË HISTORINË BOTËRORE TË DREJTËSISË, E CILA PRAKTIKËN E AKUZËS PUBLIKE PA AKTAKUZË JURIDIKE E KA NJOHUR VEÇ NË EPOKAT E SUNDIMEVE IDEOLOGJIKE A PARA TYRE!”, shkruan Rama.

  • 12:16

    DETAJE/ Rama do të takohet në Kosovë edhe me Albin Kurtin, zbardhet ora kur kryeministri shqiptar do të zbarkojë në zyrën e VV-së

    Dosja.al ka zbardhur detaje nga axhenda e takimeve që do të zhvillojë kryeministri Edi Rama në Kosovë. Mësohet se pavarësisht se emri i Albin Kurtit nuk rezulton në axhendën zyrtare, Rama do të zbarkojë në zyrën e Vetëvendosjes në Prishtinë, duke e bërë edhe Kurtin pjesë të takimeve të tij. Dyshja do të mblidhen në orën 17:00, në zyrën e Kurtit.

  • 16:53

    Axhenda e plotë e takimeve të Ramës, nesër ka dhe konferencë me mediat

    Sipas axhendës së zbardhur nga Dosja.al, mësohet se fillimisht Rama do të takojë kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në ora 13:15 dhe Vjosa Osmani në orën 15:00.

    Ndërsa në orën 16:00 pritet, që Rama të takojë kryeministrin Avdullah Hoti. Në orën 18:00 Rama pritet të mblidhet kokë më kokë me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. Në fund të ditës së sotme, në orën 18:50 do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

    Dosja.al ka mësuar se pavarësisht se emri i Albin Kurtit nuk rezulton në axhendën zyrtare, Rama do të zbarkojë në zyrën e Vetëvendosjes në Prishtinë, duke e bërë edhe Kurtin pjesë të takimeve të tij. Dyshja do të mblidhen në orën 17:00, në zyrën e Kurtit. Ndërsa, nesër, mësohet se Rama do të mbajë një konferencë për shtyp nga Kosova.

Shto Koment