Meta- Kryemadhi
TIRANË- Në seancën e kësaj të premteje në Gjykatën e Posaçme, ish-presidenti Ilir Meta është shfaqur përballë trupit gjykues, ndërkohë që në sallë, jashtë kafazit ndodhej edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.
Gjatë marrjes së tij në pyetje, Meta ka deklaruar se aktualisht banon në çelinë 313, ndërsa në lidhje me statusin civil, u shpreh se është beqar, duke iu referuar në mënyrë indirekte ish-bashkëshortes së pranishme në sallë. Më tej, ish-presidenti ka theksuar se, është i divorcuar.
Deklarata e Metës:
"Në Tiranë banoj për momentin. Banues te 313. Gjendja civile: beqar, domethënë i divorcuar. Unë kërkoj ta rishikoni edhe njëherë çështjen e transmetimit live. Ne kemi këndvështrimin tonë kur vjen puna te kjo çështje. Do t’ju lutesha të shikonit edhe raportin e OSBE/ODIHR-it, ku thuhet se 90% e mediave kontrollohen nga qeveria. Nuk shoh realisht asnjë arsye që ky proces të mos jepet live.
Qeveria është e prirur t’i deformojë faktet. Në këtë mënyrë, populli nuk do të ketë mundësinë të shohë të vërtetën. Këtë çështje s’e kërkoj për veten time, për shkak të funksioneve që kam pasur, por e kërkoj për të gjithë të pandehurit.", është shprehur Meta.
Dosja Meta
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe ish-deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Konkretisht, Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.
Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK./Dosja.al