Aktualitet

Kush e vrau Ardit Gjoklajn/ Gjykata zbulon skandalin: Prokuroria se hetoi kurrë makinën që u fut në landfillin e Sharrës

  • Gjykata: Pas orës 03:30, Ardit Gjoklaj nuk u pa më nga askush
  • Gjykata e Tiranës liron nga burgu fadromistin Edmond Kollari dhe përgjegjësin e turnit Dëfrim Hakrama. Gjykata thotë se Gjoklaj nuk u vra nga fadroma, pasi nuk përputhet ADN dhe asnjë provë tjetër. Dosja.al zbardh vendimin e Gjykatës ku zbulohet një tjetër skandal i drejtësisë shqiptare. Prokuroria nuk ka hetuar makinën misterioze që ka shkuar për 4 minuta në vendin ku u gjet trupi i Gjoklajt.
    Featured image of article: Kush e vrau Ardit Gjoklajn/ Gjykata zbulon skandalin: Prokuroria se hetoi kurrë makinën që u fut në landfillin e Sharrës Ardit Gjoklaj, i mituri që u vra në landfillin e Sharrës
    Përditësuar:

    TIRANË- Gjykata e Tiranës shpall të pafajshëm dy të akuzuarit për ngjarjen e 7 gushtit 2016, ku mbeti i vrarë Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës. Dëfrim Hakrama, përgjegjës i turnit dhe Edmond Kollari, (ndaj të cilit u bë dhe një atentat ditët e fundit), janë shpallur të pafajshëm për veprën penale të “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”.

    Kollari është dënuar fajtor me 2 vite burg për veprën penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, për shkak se nuk kishte patent për manovratorin.

    Dosja.al zbardh vendimin që mban datën 17 prill të vitit 2018. Në këtë vendim, Gjykata zbulon se 16-vjeçari Ardit Gjoklaj nuk është goditur nga fadroma, në ndryshim nga akuzat që ka ngritur deri më tani prokuroria.

    Gjykata: Ardit Gjoklaj nuk u vra nga fadroma, nuk përputhet ADN, fadromisti punoi në transmisionin e vjetër

    Një nga argumentet që trupi gjykues ka rreshtuar në dosjen e Ardit Gjoklajt është fakti se sipas prova të grumbulluara, nuk ka asnjë provë që të vërtetojë faktin se Gjoklaj u godit nga fadroma.

    Trupa gjykuese e përbërë nga Gerd Hoxha, Arben Mickaj dhe Petrit Çomo, arsyeton se është bërë krahasimi i njollave të gjetura tek fadroma me ADN e Gjoklajt, por nuk janë përputhur.

    Gjithashtu, në zinxhirin e krahut të djathtë të fadromës ne distancë 10 cm nga pjesa e brendshme e zinxhirit u gjet nje njollë tjetër e kuqe si ajo e gjakut, e cila edhe kjo pasi u fiksua si vend-ndodhje u mor per egzaminime te metejshme. Po në këtë zinxhir në distancën 2,6 metra nga njolla e mëparshme e vërejt një njolle tjetër e kuqe si ajo e gjakut, e cila u fiksua dhe u mor për egzaminime. Po kështu, nga këqyrja e zinxhirit te krahut te majtë të mjetit ne nje distancë 13 cm nga buza e brendshme e zinxhirit u vërejt nje njollë e kuqe si ajo e gjakut, e cila dhe kjo u mor me tampon per egzaminim. Me këto të dhena u bë krahasimi i këtyre njollave të dyshuara dhe mbetjes ngjyrë bezhë me gjakun dhe profilin e ADN-së së shtetasit Ardit Gjoklaj. Sipas aktit të ekspertimit të kryer për këtë qëllim, me nr.9836, dt.20.9.2016 rezultoi se, nga ky material nuk u arrit të përftohej asnjë profil gjenetik, pra nuk konstatohen mbetje biologjike me vlera identifikuese në bazë të analizës së ADN-së. Po kështu, nga tamponet e tjera rezultoi se, nuk ka njolla gjaku njeriu, për tu krahasuar me ADN-në e shtetasit Ardit Gjoklaj, egzaminuar kjo e fundit me aktin e ekspertimit nr. 9835, datë 20.9.2016.”-thuhet në ekspertizë.

    Në dosje ka një tjetër version për vrasjen e Gjoklajt. Sipas gjykatës, ekspertiza ka zbuluar se Ardit Gjoklaj mund të jetë vrarë në një vend tjetër dhe më pas të jetë transportuar drejt vendit ku u gjet.

    Gjykata thotë se në vendin ku u gjet i vdekur Ardit Gjoklajt i mungonte kafka, indet dhe gjaku, që vërteton se ai është vrarë në një vend tjetër dhe më pas është transportuar.

    Po ashtu, shton trupi gjykues, trupi i dëmtuar mund të ketë lëvizur vetëm nga mjeti që e ka dëmtuar, duke përjashtuar sërish mundësinë që i mituri të jetë goditur nga fadroma.

    Ne trupin e viktimes nuk kisht sasi gjaku kur nje trup normal ka 5 litra gjak, ku kjo sasi gjaku ka humbur ne vendin ku jane shkaktuar demtimet e para te viktimes. Ne lidhje me aktin e ekspertimit jane pyetur edhe mjeket ligjore te cilet kane shpjeguar se nga gjetja e trupit e perzier me mbeturinat mundet qe ngjarja/demtimet e para te kene ndodhur edhe ne vend tjeter dhe jo ne vendin e gjetjes perfundimisht te trupit. Nisur nga sa më sipër, Prokuroria pretendon se, po ti referohesh këtij akti mjeko-ligjor vendi i ngjarjes ku ka humbur jetën iu ndjeri është dhe dyshemeja e vendit të riciklimit ose kapanonit, e cila eshte e shtruar me beton dhe nga akti mjekoligjor del se për të shkaktuar keto demtime përveç mjetit sherbeu edhe terreni ku vepronte ky mjet. Nga ana tjetër, duke parë dëmtimet nuk ka sesi të mendohet që një trup i shkatërruar në këtë masë të transportohet nga një vend tjetër, pervecse të jetë vendosur aty me anë të mjetit që i ka shkaktuar.”-thuhet në ekspertizë.

    Gjykata ka hedhur poshtë pretendimin e prokurorisë se Gjoklaj u vra nga fadroma, pasi nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë fadroma do të kishte kaluar në transmisionin e ri, ku u gjet trupi.

    Më tej, gjykata sqaron se përgjatë gjithë turnit, fadromisti Edmond Kollari ka punuar në transmisionin e vjetër dhe jo në të riun, ku u gjet trupi i pajetë i Ardit Gjoklajt. Ky fakt konfirmohet edhe nga kqyrja e të gjitha pamjeve filmike.

    Në hetime ka rezultuar se Ardit Gjoklaj është goditur nga një mjet prerës, ngjeshës dhe shtypës, një tjetër mekanizëm krahasuar me atë të fadromës.

    Nese i referohemi mekanizmit te funksionimit te mjetit fadrome dhe mekanizmit te levizjes se tij me zinxhire si dhe demtimeve qe jane konstatuar te viktima te evidentuar nga ekspertet mjeko-ligjore, nese viktima do te ishte demtuar nga mjeti fadrome demtimet nuk do te ishin te kesaj natyre perferike por te nje kategori shume te rende ekstreme referuar tonazhit te rende te mjetit dhe sistemit te levizjes pra do te kishim demtime teresore te te gjithe trupit dhe jo demtimet te vecuara nga njera-tjera. Demtimet e masive te trupit qe ka pesuar viktima jane te shkaktuar nga nje mekanizem kompleks dermishtjet e shkaktuar ne trup si dhe stampimi i celularit ne gjoks jane shkaktuar me mjet te forte me mekanizmin e goditjes ngjeshjes se trupit ne nje terren te forte mbretes. Per rrjedhoje nuk eshte e mundur te specifikohen te shkeputura me mekanizmin e shkaktimit te tyre.”thuhet në ekspertizë. 

    Gjykata: Pas orës 03:30, Ardit Gjoklaj nuk u pa më nga askush

    Gjykata sqaron se në përfundim të shqyrtimit të të gjithë dosjes hetimore dhe të dhënave, është dalë në konkluzionin se pas orës 03:30, të miturin Ardit Gjoklaj nuk e ka parë më askush.

    Ai ka shkuar në punë si gjithmonë turn i tretë, dhe është shkëputur bashkë me dy kolegë të tij rreth orës 03:00 e mëngjesit.

    Më pas ata janë larguar për një pushim të shkurtër, dhe kur janë rikthyer ata kanë vijuar punën. Ora ka qenë 03:30. Që pas këtij momenti, Ardit Gjoklaj nuk u pa më nga njeri.

    Arditi ka punuar me lopatë tek transportieri dhe ata kanë punuar deri rreth orës 3:00 te dates 7.8.2016. Në këtë kohë Arditi së bashku me Zyrien kanë shkuar tek burri i saj Elton Kurdeda, i cili punonte në pjesën e fushës. Ata janë takuar dhe me makinën e këtij të fundit kanë shkuar në Kombinat. Arditi ka hyrë në automjet dhe ka dalë nga landfilldi me rrobat e punës. Zyraja së bashku me Eltonin kanë pirë kafe tek lokali, në afersi të stacionit te autobuzit. Ndërsa Ardtiti i priti ne makinë, pasi do të hante bukë. Pas kësaj ata janë nisur për tu kthyer në punë. Eltoni – burri i Zyries zbriti tek karburanti afër shtëpisë, ndërsa makinën e mori Arditi dhe së bashku me Zyrine mberritën në punë rreth ores 3.30, pasi aq ishte dhe koha e pushimit.”-thuhet në dosjen e gjykatës.

    Misteri i makinës që qëndroi 4 minuta në vendin ku u gjet i vrarë Ardit Gjoklaj

    Gjykata e Tiranës ka zbuluar një skandal për drejtësinë dhe hetimet për vrasjen e Ardit Gjoklajt.

    Për më shumë se njëherë, gjykata thekson se në vendin ku u gjet trupi i pajetë i Ardit Gjoklajt ka shkuar një makinë, e dyshuar si makinë plehrash.

    Është ky mjet, thotë gjykata që ka mekanizmin e goditjes dhe ngjeshjes që i përputhet mekanizmit që ka goditur Ardit Gjoklajn. Makina ka qëndruar 4 minuta në vendngjarje dhe është larguar.

    “U provua se, në vendin ku u gjet trupi i të ndjerit në orën 04:17:53 të dt.07.08.2016 ka shkuar një mjet me fenelinë që dyshohet se, mund të jetë makinë teknologjike plehërash. Ky mjet, i cili ka në vetvete mekanizmin e goditjes dhe ngjeshjes së plehrëva, qëndron në vendin e ngjarjes rreth 4 minuta dhe ikën.”-thotë gjykata.

    Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor nr. 1170 për Ardit Gjoklajn

    Gjykata: Prokuroria se hetoi kurrë këtë makinë

    Gjykata e Tiranës bën me dije në dosjen hetimore se prokuroria se hetoi kurrë makinën që u fut dhe qëndroi 4 minuta në vendin ku u gjet i vrarë Ardit Gjoklaj. Gjykata shton se ka bërë përpjekjet e saj por e ka patur të pamundur t’a hetojë këtë fakt.

    “Ky fakt nuk është hetuar aspak nga Prokuroria dhe ishte i pamundur për tu hetuar nga Gjykata, megjithë përpjekjet e bëra nga kjo e fundit.”-thuhet në dosje.

    Gjykata thotë se fakti që trupit i mungonte 5 litra gjak, dhe indet trupore, duhet të kishte shkundur policinë dhe Prokurorinë. Gjykata thotë se Prokuroria nuk e provoi dot vendin se ku ka ndodhur ngjarja.

    Ky fakt duhet te kishte shkundur policine dhe Prokurorine per te kryer hetime te thella dhe te specializuara me te gjitha metodat dhe format e lejuara ligjore lidhur me dyshimet e ngritura ngaekspertet lidhur me mekanizmin e sakte te kesaj ngjarje te rende per familjaret, per vendin e sakte ku mund te kete ndodhur ngjarja dhe autorin apo autoret e mundshem te ngjarjes. Nuk u provua KU ka qenë VENDI i ndodhjes së aksidentit. Vendi ku u gjet trupi i të ndjerit, i pretenduar nga Prokuroria si vendi ku është shkaktuar vdekja e tij, u përjashtua kategorikisht nga provat e marra gjatë hetimit dhe gjykimit. Sipas aktit mjeko-ligjor nr.304, dt.07.08.2016 dhe përgjigjeve të ekspertëve mjeko-ligjorë Anesti Vako e … si dhe ekspertit kriminalist vdekja e të ndjerit nuk ka ndodhur në vendin ku ai është gjetur pasi, aty nuk janë gjetur gjurmë gjaku apo indi trupor, të cilat janë prova shoqëruese të padiskutueshme, në rastet e dëmtimeve të tilla. Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë dhe atij kriminalist vdekja ka ndodhur diku tjetër dhe trupi është mbartur në vendin ku është gjetur nga policia më dt.07.08.2016.”-thotë Gjykata.

    Historia e Ardit Gjoklajt dhe mësimi nga “Drejtësia e Re”

    Historia e të miturit Ardit Gjoklaj hapi një valë polemikash dhe debati në vitin 2016, kohë kur ndodhi ngjarja. Partia Demokratike akuzoi kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, se kishte ndërhyrë tek prokurori i Tiranës, Petrit Fusha për hetimet e kësaj ngjarjeje. Pas akuzave, Fusha u largua nga detyra e tij si drejtues i prokurorisë së Tiranës dhe çështja u hetua nga të tjerë prokurorë. Pretendimi i Gjykatës së Tiranës se prokuroria nuk e hetoi kurrë “makinën” misterioze që hyri në landfill, provon edhe njëherë kalbjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Ardit Gjoklaj u vra, dhe vrasja e tij, siç na informon sot pas 3 vitesh Gjykata e Tiranës, kurrë nuk u hetua. 

    Kush e vrau Ardit Gjoklajn?!

    Gjykata liroi fadromistin dhe përgjegjësin e turnit, ndërkohë që në një tjetër çështje ndodhet kompania “3R” për kushtet e punës ku punonte Ardit Gjoklaj dhe punonjësit e tjerë të landfillit në Sharrë.

    Por pyetja ende pa përgjigjie është: Kush e vrau Ardit Gjoklajn?

    A do të ketë një hetim të dytë nga prokuroria për makinën misterioze që gjykata thotë se shkoi në vendin ku u gjet i shtypur dhe i shkatërruar trupi i 16-vjeçarit?

    A do të zbulohen ndonjëherë përgjegjësitë e vërtetë të kësaj historie? A do të bëhet drejtësi për Ardit Gjoklajn? 

    PDF/Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor nr. 1170 për Ardit Gjoklajn (Kliko këtu që të hapet dokumenti)

    (f.g/dosja.al)

    Shto Koment