Politike

Meta ftesë Berishës: Të dalim me kandidatë të përbashkët për zgjedhje, ndryshe humbasim

Partia e Lirisë është e interesuar në fitoren e opozitës në zgjedhjet lokale 2023.

27 Shtator 2022, 13:52 Nga A.B
Meta ftesë Berishës: Të dalim me kandidatë të
Ilir Meta

TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta iu drejtua ditën e sotme kryetarit aktual të Partisë Demokratike, Sali Berishës me një propozim. Në konferencën për mediat, Meta kërkon që opozita të paraqitet e bashkuar në zgjedhjet lokale të 2023-it, duke u paraqitur me një kandidat të përbashkët. Meta u shpreh se PL ka ambicie të forta për zgjedhjet e ardhshme si dhe nënvizoi se objektivi i tyre është fitorja e opozitës.

'Opozita duhet të dalë në gjithë Shqipërinë me kandidat të përbashkët. Kjo është më e mira për situatën se jemi në kushtet e një shteti mafioz opozita duhet të paraqitet sa më e bashkuar. Në kushte të tjera sa më shumë kandidatë do ishte më mirë, por nuk jemi në kushte demokratike, jemi në kushte që opozitës as nuk i lejohet të vonohet, as të mos bashkohet as të mos koordinohet. Partia e Lirisë është e interesuar vetëm për fitoren e opozitës, edhe për rezultatin e saj, por këshillat bashkiakë do kthehen në parlamente të fuqishme vendore shumë shpejt.'- u shpreh Meta.

Zgjedhjet lokale të 2023-shit pritet të mbahen mes muajit prill e maj, por data nuk është caktuar ende. Nga ana e Opozitës nuk ka asnjë kandidaturë të konfirmuar. Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se kandidatët e selisë blu do të zgjidhen përmes primareve, ndërkohë që mbetet për tu parë se si do të vijojë bashkëpunimi me Partinë e Lirisë.  Aktualisht vendi ynë është i ndarë në 61 bashki, 59 prej të cilave drejtohet nga kampi rozë, Shkodra ka në krye demokratin Bardh Spahia, ndërsa në Finiq drejton Kristo Kiço, i dalë nga MEGA. 

Nga ana tjetër Partia Socialiste mbledh sot Kryesinë në selinë rozë për të diskutuar në lidhje me kandidatët për kryebashkiakë. Mbledhja nis sot në orën 18:00. I vetmi emër thuajse i konfirmuar është Tirana, në të cilën kryesocialisti pritet të rikandidojë Erion Veliajn. Vetë Rama është shprehur se kjo gjë do të vendoset me të gjithë socialistët së bashku, por që nuk sheh asnjë arsye se përse Veliaj të mos rikandidojë. Fillimisht u aludua emri i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, por më pas kjo 'alternativë' u hodh poshtë. Për bashkitë e tjera pritet të mësohet nëse do të ketë prurje të reja. 

ilir meta zgjedhjet vendore 2023

Sondazh

Poll