Aktualitet

13 Tetor 2020, 11:48 Nga DOSJA

DURRËS- Ditën e sotme Gjykata e Durrësit ka dhënë masën “arrest me burg” për 41-vjeçarin, Myslim Estrefi, i cili përplasi me makinë për vdekje bashkëfshatarin e tij Shaqir Estrefi, 57 vjeç, për motive të hakmarrjes. Prokurorja Anila Bebeçi ka kërkuar arrest me burg për Myslimin gjë që është pranuar nga gjyqtarja e seancës Besjana Garxenaj.

Gjatë seancës gjyqësore 41-vjeçari ka pranuar krimin e rëndë, por ka sqaruar se nuk e ka bërë qëllimisht.

“Nuk doja ta vrisja Shaqirin, ka qenë një aksident. Nuk ka qenë e qëllimshme, kam qenë i dehur. Ngjarjen e ndodhur 14 vite më parë e kemi harruar të gjithë si familje, jeta jonë vazhdonte normale. Momentin e aksidentit nuk e kam vënë re Shaqirin, ishte duke ecur në rrugë ku kalojnë makinat”, është shprehur 41-vjeçari.

Më 11 tetor, Policia e Durrësit arrestoi 41-vjeçarin Myslim Istrefi, pasi dyshohet se ka përplasur për vdekje 57-vjeçarin Shaqir Estrefi me makinën tip “Fiat”. Uniformat blu sqaruan se ngjarja ndodhi për hakmarrje. Sipas policisë, në vitin 2006 babai i viktimës, Qamil Estrefi ka vrarë të atin e 41-vjeçarit,  Zydi Istrefi.  Kështu, pas 14 vitesh, i biri i tij mori hakun.

Përplasja mes dy familjeve Estrefi në Romanat të Durrësit e ka zanafillën që prej se 20 vitesh për arsye pronësie. Familjet kishin ndezur një konflikt me njëra-tjetrën për një copë tokë, të cilën pretendonin se u takonte, aty ku edhe kishin vendosur një gardh ndarës.

Gardhi ka qenë molla e sherrit që degjeneroi më pas nga konflikt verbal në konflikt fizik. Sherret mes këtyre dy familjeve u bënë aq të shpeshta dhe të zakonshme, saqë në vitin 2006 situata agravoi deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Gjatë një sherri Qamil Estrefi qëlloi me armë zjarri Zydi Estrefin, i cili, për shkak të plagëve të marra, ndërroi jetë në vend.

Asokohe, Policia arrestoi shtetasin Qamil Estrefin si autor të ngjarjes dhe gjykata e dënoi me disa vite burg. Pasi kreu disa vite burg, Qamil Estrefi u lirua nga qelia, por disa vite më vonë ndërroi jetë.

Por, pavarësisht veprimit të drejtësisë, duket se 41-vjeçari Estrefi nuk e kishte harruar ngjarjen. Të shtunën, ai e ka parë Shaqir Istrefin duke ecur në këmbë në rrugë dhe e ka përplasur me makinën e tij.

J.V/Dosja.al

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

aktualitet aktualitet aksident në romanat vrasja në romanat të durrës aksident në romanat vrasja në romanat të durrës

Sondazh

Poll