Bota

Mblodhi liderët politikë para takimit të 27 qershorit, Hoti: Mbështetën qasjen e qeverisë për dialogun

18 Qershor 2020, 11:56 Nga DOSJA
Mblodhi liderët politikë para takimit të 27 qershorit, Hoti:

PRISHTINË– Kryeministri aktual i Kosovës,  Avdullah Hoti, pas takimit të sotëm me liderët politikë, u shpreh në një deklaratë për shtyp se ata i dhanë mbështetje vendimit të  Qeverisë së re për dialogun me Serbinë. Hoti, u shpreh se takimi i parë formal  me liderët e partive politike, ka qenë i suksesshëm.

“Ata i dhanë mbështetje qasjes tonë për dialogun. Jam i inkurajuar me gjithë këtë mbështetje. Ne jemi gati që të ulemi në tavolinë të dialogut, për një qëllim të vetëm, për marrëveshje përfundimtare që nënkupton njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.”– ka thënë kryeministri.

Kujtojmë se në këtë takim kanë marrë pjesë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, përfaqësues të Aleancës Kosova e Re dhe anëtarë të partive të komuniteteve .

Por para nisjes së takimit, mëngjesin e sotëm ftesën e kryeministrit Hoti e ka refuzuar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Gjithashtu takimin e thirrur nga Hoti, e bojkotuan edhe përfaqësuesit e partisë Lista Serbe.

Më tej Hoti tha se e ka pranuar ftesën që të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për procesin e dialogut.

“Të martën do të raportoj edhe në Kuvendin e Kosovës për procesin e dialogut.”- u shpreh Hoti.

Takimi i sotëm është thirrur për të koordinuar qëndrimet për dialogun Kosovë–Serbi, para se kryeministri Hoti të udhëtojë për në Uashington më 27 qershor. Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Hoti dhe presidenti Hashim Thaçi, do të takohen më 27 qershor me palën serbe në Uashington, me ftesë të të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovës-Serbi, Richard Grenell.

Kujtojmë se dialogu politik Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nisi më 2011, por në fund të vitit 2018, ky proces u ndërpre, për shkak të një takse të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Taksa u zëvendësua me masat e reciprocitetit, por më 6 qershor, me vetëm 3 ditë në postin e kryeministrit,  Hoti e hoqi reciprocitetit, me qëllim  rinisjen e dialogut.

A.C/Dosja.al

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

rajoni rajoni avdullah hoti ramush haradinaj richard grenell avdullah hoti ramush haradinaj richard grenell

Sondazh

Poll