Politike

SHËNIM: Deri ku shkon fajësia e Henri Çilit?

29 Shkurt 2020, 13:59 Nga DOSJA
SHËNIM: Deri ku shkon fajësia e Henri Çilit?

Me bujë të pakuptueshme, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria po përhapin faktet për atë që tashmë po njihet si dosja e arrestimit të Henri Çilin apo e lirimit të vëllezërve Aliko. E pakuptueshme, jo për përmbajtjen e dosjes, por për qëllimin e krimit që paska dashur të kryejë, botuesi, analisti dhe biznesmeni Çili me bashkëpunëtorët e tij. Ai ishte angazhuar të lironte në Gjykatën e Lartë dy të dënuarit për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha gjatë aksionit kundër kanabisit në Lazarat. Për këtë botuesi kishte takuar edhe një zyrtar të lartë dhe, sipas Prokurorisë kishte rënë dakord.

Dosja ka përgjime impresionuese për mënyrën se si po ndërtohej ky plan. Akuza ka qenë bujare me mediat këtë herë, megjithëse ka urdhëra dhe hetime që ndëshkojnë ata që nxjerrin dosjet hetimore. Informacioni është i bollshëm, aq sa çdo lexues mund të bëhet edhe prokuror, edhe gjyqtar. Por është i paplotë, për ata që duan të bëhen avokatë. Jo të Henri Çilit, por të asaj që shkelet vazhdimisht, prezumimi i pafajësisë.

A është konsumuar vepra penale?

E zëmë se është gjithcka siç pretendon akuza. Henri Çili është përfshirë në një marrëdhënie të padenjë, të paligjshme përfitimi. Ka premtuar se do të lirojë dy vrasës të një polici. E pafalshme moralisht mbi të gjitha. Lirimi do të bëhej në Gjykatën e Lartë. A ka Gjykatë të Lartë? Kur do bëhej lirimi? Me kë kishte folur Cili, kur anëtari i vetëm i Gjykatës e mohon kategorikisht ta ketë takuar?

Këto pyetje, me faktet që prokuroria ka nxjerrë deri tani, nuk marrin përgjigje. Nëse e pranojmë përfshirjen e botuesit në një aferë të pistë, krimi nuk është kryer, sepse Gjykata e Lartë nuk ekziston.

Duhet të ngrihet Gjykata, të ketë një Kolegj, të përcaktohen dosjet që do të merren në shqyrtim, të hidhet shorti dhe pastaj të lobohet lirimi i dy të dënuarve me vendim të formës së prerë. Në këtë pikë ku është prerë hetimi me ekzekutimin e arrestimeve, krimi për të cilin akuzohet Çili nuk është konsumuar. Moralisht është e vështirë ta mbrosh Henri Çilin, jo vetëm në këtë rast. Ligjërisht është e vështirë ta quash fajtor, edhe për akuzat e tjera, të paktën me faktet që kanë dalë.

Zyrtari i Lartë nuk del dhe nuk arrestohet

Dosja.al veçoi dje faktin që zyrtari i lartë që ka takuar Çili dhe që ka qenë pjesë e përgjimeve, as nuk del me emër, as është arrestuar, ndryshe nga të gjithë të akuzuarit dhe të arrestuarit e tjerë. Deri në këtë moment është e qartë se kemi të bëjmë më arrestime selektive, ku dikush është përjashtuar për arsye të panjohura, ndërsa të tjerët, jo vetëm janë në pranga, por edhe po diskretitohen publikisht, pa gjyq, me dokumente të shpërndara nga prokuroria. Nëse përjashtohet nga çështja zyrtari i lartë, praktikisht hetimi bie, vepra penale nuk ekziston dhe arrestimet e tjera janë të paligjshme.

Ndalimi dhe lirimi i biznesmenit, 1 javë më parë

Nuk është hera e parë që organet ligjzbatuese tregohen selektive. E njëjta gjë ndodhi në aksionin kundër lojërave të fatit. U bënë më shumë se 100 ndalime në të gjithë vendin, por u fsheh ndalimi i një biznemeni. Ardit Kraja, u ndalua rreth mesnatës dhe u lirua pas disa orësh. Dikush duhet të jepte shpjegime, ose për ndalimin, ose për lirimin e Krajës, i njohur si ushtrues i aktivitetit të lojërave të fatit kur ishin të ligjshme. Fakti që u bë gjithçka në heshtje, ngre dyshimet për ndalime selektive, që komptomentojnë organet ligjzbatuese.

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike ardit kraja arrestohet henri cili operacioni mezhgorani ardit kraja arrestohet henri cili operacioni mezhgorani

Sondazh

Poll