Aktualitet

70 mijë euro borxhe të pashlyera dhe para krimit u ul për të pirë raki/ Avokati: Subjekti tregtar që Fusha ka administruar ka vështirësi serioze ekonomike 

Sipas avokatit të tij mbrojtës, Mirash Ndoci, klienti i tij ka vepruar në kushtet e një presioni të rëndë financiar.

15 Shkurt 2026, 12:52 Nga E.d
70 mijë euro borxhe të pashlyera dhe para krimit u ul për të
Foto ilustruse

TIRANA- Gjykata e Tiranës ka caktuar ditën e sotme, masën e sigurisë arrest në burg për Bardhyl Fushën, i cili pak ditë më parë grabiti me armë filialin e FiBank, në Tiranë. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, Fusha, sipërmarrës në fushën e ndërtimeve nuk ka dhënë asnjë deklaratë përpara gjykatës gjatë dhënies së masës së sigurisë. Ai është shfaqur në gjendje të rënduar për veprimin e kryer. Ndërsa të gjithë mbrojtjen ia ka lënë avokatit të tij, Mirash Ndoci.

Sipas avokatit të tij mbrojtës, Mirash Ndoci, klienti i tij ka vepruar në kushtet e një presioni të rëndë financiar. Kjo për shkak të detyrimeve të papaguara ndaj punonjësve të tij në një shumë të konsiderueshme. Avokati ka thënë se subjekti tregtar që Fusha ka administruar rezulton me vështirësi serioze ekonomike dhe detyrime tatimore. 

Bardhyl Fusha  ka deklaruar para bluve se borxhet e pashlyera arrinin në vlerën e rreth 70 mijë eurove. Avokati i tij mbrojtës i ka kërkuar gjykatës, që ndaj tij të caktohej një masë më e më e butë se ajo e arresit në burg. Kjo duke argumentuar se gjendja e tij psikologjike është e rënduar. 

Pak ditë më parë, Fusha hyri i armatosur në filialin e FiBank. Ai qëlloi një herë në dysheme dhe më pas arriti të marrë nga një prej arkëtareve shumën prej 8 milionë lekësh të vjetra. Më pas ai tentoi të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe  u arrestua në derën e hyrësë të bankës./Dosja.al

bardhyl fusha gjykata e tiranës fibank

Sondazh

Poll