Politike

Këshilli i Stabilizim-Asociimit/ Blushi: PL e vendosur për përshpejtimin e integrimit europian dhe respektimin e standardeve demokratike

Gjatë fjalës së tij në Këshillin e Stabilizim-Asociimit, Blushi tha se lideri i forcës së dytë opozitare dhe të tretë politike në vend, Ilir Meta ndodhet prej më shumë se një viti, në izolim ekstrem pa fakte dhe pa prova penale.

28 Tetor 2025, 19:09 Nga E.d
Këshilli i Stabilizim-Asociimit/ Blushi: PL e vendosur për
Tedi Blushi

TIRANË- Tedi Blushi ka deklaruar sot se Partia Liria është e vendosur për përshpejtimin e integrimit europian dhe respektimin e standardeve demokratike. Gjatë fjalës së tij në Këshillin e Stabilizim-Asociimit, Blushi tha se lideri i forcës së dytë opozitare dhe të tretë politike në vend, Ilir Meta ndodhet prej më shumë se një viti, në izolim ekstrem pa fakte dhe pa prova penale.

Sipas tij, Meta është burgosur me urdhër të Kryeministrit Rama. Blushi deklaroi se i informoi eurodeputetët me gjetjet e raportit të OSBE–ODIHR për zgjedhjet 11 majit, të cilat nuk ishin as të lira as të barabarta. Në fund, deputeti Blushi tha se Partia e Lirisë thekson se standardet e Bashkimit Europian duhet të plotësohen në mënyrë cilësore dhe të qëndrueshme.

Deklarata e Blushit

Kënaqësi e veçantë, që në kuadër të takimit të 20 të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian, të zhvillonim sot një takim me delegacionin e Parlamentit Europian. Së bashku me kolegët e Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, deputetët Z. Edmond Haxhinasto, Znj. Erisa Xhixho dhe Znj. Brunilda Haxhiu vlerësuam rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe plotësimit sa më parë të kritereve që duhet të përmbushë vendi ynë. 

Theksuam kontributin e veçantë ndër vite të Partisë së Lirisë dhe Presidentit të saj, Z. Ilir Meta për integrimin europian të vendit tonë dhe rikonfirmuam qëndrimin e palëkundur për avancimin e këtij procesi, duke vijuar angazhimin e vendosur për të punuar për forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, garantimin e votës së lirë, sundimin e ligjit, ekonominë e lirë, të hapur dhe konkurruese, respektimin e lirive, të drejtave e dinjitetit njerëzor, në respekt edhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë, kushte thelbësor për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

I njohëm eurodeputetët me faktin se prej më shumë se një viti, Z. Meta, lideri i forcës së dytë opozitare dhe të tretë politike në vend ndodhet në izolim ekstrem pa fakte dhe pa prova penale, nën masa represive dhe antiligjore, i rrëmbyer në mënyrë kriminale dhe i burgosur politik me urdhër të Edi Ramës. Standardet kriminale të rrëmbimit të Z. Meta kanë vulosur dhe standardet e hetimit, fund e krye politike, në kundërshtim me ligjet, Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që nuk kanë asnjë lidhje me standardet europiane të drejtësisë. 

I njohëm gjithashtu eurodeputetët me gjetjet e raportit të OSBE–ODIHR për zgjedhjet farsë të 11 majit, që nuk ishin as të lira, as të barabarta, as të ndershme dhe as të fshehta, ku opozita kishte përballë partinë-shtet, si dhe theksuam me vendosmëri se këto gjetje ishin konfirmim i shqetësimeve dhe denoncimeve të drejta të ngritura prej kohësh nga Partia e Lirisë dhe opozita shqiptare. Theksuam përdorimin e krimit të organizuar, aseteve publike dhe shit-blerjen e votës që cënuan standardet e zgjedhjeve dhe shkelën kriteret themelore të Kartës së Kopenhagenit. Partia e Lirisë duke mbështetur me vendosmëri ecurinë e procesit të integrimit thekson se standardet e Bashkimit Europian duhet të plotësohen në mënyrë cilësore, të qëndrueshme dhe t’u shërbejnë së pari krijimit të një standardi europian për jetesën e qytetarëve shqiptarë./Dosja.al

tedi blushi pl ilir meta

Sondazh

Poll