Politike

Shkarkimi i Veliajt/ Blushi: Duhet të shënojë fillimin e një procesi të thellë drejt llogaridhënies

Blushi gjithashtu theksoi se ata kanë mbështetur me votë dhe legjitimuar çdo aferë korruptive, çdo akt kriminal dhe çdo shkatërrim të qëllimshëm të Tiranës.

23 Shtator 2025, 18:43 Nga E. D
Shkarkimi i Veliajt/ Blushi: Duhet të shënojë fillimin e një
pamje nga mbledha

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar pas shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Me anë të një postimi në Facebook, Blushi u shpreh se vota e këshilltarëve të PS për shkarkimin e Erion Veliajt është po ashtu një votë për (vet)shkarkimin e tyre. Blushi gjithashtu theksoi se ata kanë mbështetur me votë dhe legjitimuar çdo aferë korruptive, çdo akt kriminal dhe çdo shkatërrim të qëllimshëm të Tiranës.

Reagimi i Plotë: 

Vota e këshilltarëve të PS për shkarkimin e Erion Veliajt është po ashtu një votë për (vet)shkarkimin e tyre. Ata kanë mbështetur me votë dhe legjitimuar çdo aferë korruptive, çdo akt kriminal dhe çdo shkatërrim të qëllimshëm të Tiranës.

Të njëjtët që u ngritën në protesta me thirrjet “Lali Eri, o flori, po të presim në Bashki”, sot e përcollën nga Bashkia si kufomë politike. Pa votat e tyre korrupsioni dhe krimet e Erion Veliaj do të ishin thuajse akte në tentativë.

Depersonalizimi i tyre është dëshmi e papërgjegjshmërisë në raport me interesin publik dhe taksat, i verbërisë politike dhe mungesës së shtyllës kurrizore dhe integritetit.

Nuk po flas për ata/o amfibë/e të neveritshëm që, me votat e opozitës, u infiltruan në atë Këshill dhe sot fshihnin kokën si strucat pas fundshpinës së këshilltarëve të PS, duke u vetvulosur në ballë me damkën e pështirë të shëmbëlltyrës së degraduar politike.

Ky shkarkim i Erion Veliaj është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe shumë i vonuar. Ai duhet të shënojë fillimin e një procesi të thellë drejt llogaridhënies dhe rikthimit të Bashkisë te qytetarët.

Drejtësi për Tiranën!
Drejtësi për inceneratorin!
Drejtësi për Nënë Lizën!
Drejtësi për Ardit Gjoklajn!
Beteja për çlirimin e Tiranës vazhdon!

tedi blushi

Sondazh

Poll