Politike

Masakra me 2 të vdekur në Shkodër, Proda: Beteja jonë për sigurinë e qytetarëve është e përditshme

Gjatë fjalës së tij, Proda ka theksuar se ngjarja e djeshme dëshmoi rëndësinë e misionit të Policisë, si përballja e parë frontale me krimin.

9 Shtator 2025, 14:13 Nga I.A
Masakra me 2 të vdekur në Shkodër, Proda: Beteja jonë
Ilir Proda

TIRANËDrejtori i Përgjithshëm i Policisë Ilir Proda ka falenderuar efektivët në Shkodër për angazhimin gjatë 24 orëve të fundit. Gjatë fjalës së tij, Proda ka theksuar se ngjarja e djeshme dëshmoi rëndësinë e misionit të Policisë, si përballja e parë frontale me krimin. Ndërkohë që në fund të fjalës së tij, Proda ka shtuar se beteja e tyrepër sigurinë e tyre është e përditshme dhe e palëkundur. 

"Të nderuar kolegë të Policisë së Shkodrës, Ju shpreh mirënjohjen për angazhimin tuaj maksimal gjatë këtij 24-orëshi intensiv për Policinë. Reagimi juaj i menjëhershëm, i guximshëm dhe profesional rezultoi me kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë të autorit të krimit të djeshëm, ngjarje e cila dëshmoi sërish rëndësinë e misionit të Policisë, si përballja e parë frontale me krimin dhe kontingjentin e rrezikshëm të tij.

Gjej rastin që, nëpërmjet këtij mesazhi, të ngushëlloj familjarët e 2 viktimave, të uroj shërim të shpejtë për të lënduarit, si dhe t’i garantoj se Policia i ka vënë të gjitha kapacitetet e saj më të mira hetimore dhe operacionale në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me krimin e djeshëm, por edhe të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në qarkun Shkodër.

Këtë vendosmëri e dëshmoi edhe goditja në lagjen “Guerrile”, ku informacioni i administruar me konfidencialitet të plotë dhe profesionalizmi operacional çuan në shkatërrimin e një baze kriminale, të pajisur me arsenal armësh dhe sende të tjera në dispozicion të krimit. Gjithashtu, çuan në identifikimin e 2 përkrahësve të autorit të krimit të djeshëm.

Së fundi, dua të garantoj qytetarët e qarkut Shkodër dhe të mbarë Shqipërisë se beteja jonë për sigurinë e tyre është e përditshme dhe e palëkundur, dhe se po kryhet një punë intensive hetimore dhe operacionale për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të zbardhur ato të ndodhura. Gjithashtu, i ftoj qytetarët të bashkëpunojnë intensivisht me strukturat e Policisë, pasi vetëm në këtë mënyrë përmbushet objektivi ynë madhor i përbashkët: siguria publike," tha Proda.

ilir proda

Sondazh

Poll