Politike

"Ndryshoni skemën e TVSH"/ Revoltohet Braçe në Komisionin e Ekonomisë, akuza Ministrit Malaj: Refuzon të vijë në komisionin për sqarime

Në Komisionin e Ekonomisë, Braçe bëri thirrje që të ndryshohet skema e TVSH-së pasi po falimenton fermerët. Deputeti Braçe shtoi se ky tatim është në disfavor me prodhimin vendas e ndaj i leverdis më shumë të mrrin produkte nga jashtë Shqipërisë sesa prodhimin vendas. 

11 Mars 2025, 12:05 Nga I.A
"Ndryshoni skemën e TVSH"/ Revoltohet Braçe në
Erion Brace

TIRANË- Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka hedhur akuza ndaj ministrit të Financave Petrit Malaj, duke e thënë që refuzon të vijë në komision dhe të japë sqarime në lidhje me skemën e TVSH-së. Në Komisionin e Ekonomisë, Braçe bëri thirrje që të ndryshohet skema e TVSH-së pasi po falimenton fermerët.

Braçe kërkon shfuqizimin e skemës së vitit 2018, të propozuar nga ish-ministri në arrati Arben Ahmetaj, për shkak se ka dëmtuar sektorin e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve e peshkimit. Deputeti shtoi se ky tatim është në disfavor me prodhimin vendas e ndaj i leverdis më shumë të mrrin produkte nga jashtë Shqipërisë sesa prodhimin vendas. Zv/ministri i Financave Florian Semani pranoi sot gjatë diskutimeve se Ministria e Financave është në dijeni të problemeve që hasen në terren.

“Por duke qenë se ka disa shtojca të caktuara, do të kemi një qëndrim shumë shpejt dhe më pas të japim qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Financave”, tha ai.

Pjesë nga debatet:

Braçe: Çfarë skeme kompensimi? Na e thoni çfarë skemë kompensimi. A e keni lexuar ju nismën e propozuar?

Enkeleda Kuçi: Kjo skemë siç është propozuar, nuk aplikohet në asnjë vend!

Brace: Pse, si është në vendet e huaja. Kjo është si kudo në vendet e botës, që blen me 20% dhe do të shesësh me 20%. Turp i madh, se keni lexuar fare nismën. Mbase këto janë gjërat e fundit në këtë komision. Qeveria duhet të kuptojë se institucioni që cakton taksat është Kuvendi i republikës dhe jo qeveria. Qeveria duhet ta kuptojë shumë mirë këtë. E dyta është pavarësia e Kuvendit për të vendosur në interes të atyre njerëzve që votojnë për deputetët e Kuvendit. Pavarësia e Kuvendit nuk mund të cenohet nga asnjë ministër, dhe aq më tepër të rrëzohet brutalisht me vota kundër. Është e turpshme që ministri i Financave nuk vjen të përballet me ne që flasim për një çështje që cenon 45% të qytetarëve. Kjo është një tallje skandaloze! Nuk lejoj askënd të vij këtu që të tallet me punën e deputetëve. Ky shqetësim është krijuar nga ministri i Financave dhe është bërë në mënyrën më banale të mundshme, se ministri i asaj kohe (Arben Ahmetaj)  kishte inat Braçen, se kishte frikë se unë bëhesha ministër i Bujqësisë. Kjo tallje që ndodh këtu është vetëm se këtë e kam propozuar unë, sepse po ta kishte propozuar ministri, do ishte miratuar direkt. Meqë është puna ime e fundit në Kuvend, unë do jem shumë i kënaqur që kjo do të votohet kundër dhe do ja jap votën ministrit të Financave që ta shohë se si votohet kundër.

Shalsi: Puna e fundit për këtë sesion?

Braçe: Po, po, patjetër për këtë sesion, po, po, patjetër...!

erion brace petrit malaj

Sondazh

Poll