Politike

Rama: Ish-krerët e UÇK-së po mbahen peng në Hagë, po gjykohen me një proces të parregullt ligjor

Rama tha se nga Kuvendi i Kosovës duhet të ishte ndërmarrë një rezolutë për të ngritur shqetësimin mbi standardet e atij procesi gjyqësor.

20 Dhjetor 2024, 12:16 Nga r.ll
Rama: Ish-krerët e UÇK-së po mbahen peng në Hagë, po
edi rama

PRISHTINË- Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës ka folur edhe për procesin gjyqësor që po mbahet në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.  Rama tha se gjykimi ndaj tyre po kryhet me një proces të parregullt ligjor. Më tej u shpreh se nga Kuvendi i Kosovës duhet të ishte ndërmarrë një rezolutë për të ngritur shqetësimin mbi standardet e atij procesi. Ai tha se nëse kjo rezolutë do të ndërmerret dhe miratohet në Kuvendin e Kosovës, e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Kuvendin e Shqipërisë. 

“Sot që jemi të gjithë këtu, në Kuvendin ku u shpall dhe u firmos pavarësia e Kosovës, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi mbahen penga prej gati 5 vjetësh, në qelitë e një gjykate ndërkombëtare, e cila në çdo hap ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e shtetit të së drejtës. Ajo që unë nuk vij dot deri këtu në Prishtinë të marr fjalën dhe ta gëlltis në heshtje. Në mungesë të Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhepit, është nyja e mbledhur në fyt, nga dyshimi, se ai proces është i parregullt ligjor, dhe se standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë të çdo vendi demokratik që e financon atë gjykatë.

Në këtë sallë nuk është ndërmarrë asnjë një nismë për t’iu kërkuar përmes një rezolute të mbështetur nga të gjitha forcat politike, të paktën nga partitë shqiptare, të gjitha vend financuese të asaj gjykate shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi dhe për të kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi lidhur me këtë shqetësim. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varur nga gjykatësit. Ndoshta ky shqetësim i përhapur mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron atëherë kjo është gjemë e madhe. Jo për ata 4 njerëz të thjeshtë, por për vete integritetin e drejtësisë ndërkombëtare, së cilës kjo republikë ia dha në mirëbesim gjykimin e historisë që lindi republikën. Prandaj nuk mund të lihet në heshtje shurdhuese që ushqehet prehja gjithfarë motivesh nga më fisniket deri te më politiket, që ajo gjëmë nëse është gjëmë ta bëjë dëmin e vet deri në fund. Dua ta dini të gjithë, se nëse Kuvendi do e ndërmerrte nismën për t’iu drejtuar gjitha shteteve sponsorizuese të gjykatës speciale dhe nëse do na kërkohej që një nisem të tillë t’i bashkohet edhe Kuvendit të Shqipërisë, PS do të angazhohej pa asnjë ngurrim që të njëjtën rezolutë ta depozitonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh kryeministri. 

edi rama gjyqi ndaj ish-krereve të uck ne hage

Sondazh

Poll