Sport

Partizani kërkon trajnerin e Skënderbeut, takimi Demi - Takaj përcaktues…

Drejtuesit e Partizanit kanë vendosur të kontaktojnë me presidentin Ardian Takaj, dhe në rast se gjejnë gjuhën e përbashkët me numrin një të Skënderbeut, atëherë do të firmosin me Ivan Gvozdenovic.

7 Gusht 2024, 18:30 Nga DOSJA

Partizani kërkon trajnerin e Skënderbeut, takimi Demi - Takaj

TIRANE - Partizani dhe trajneri Orges Shehi kanë mbyllur para disa ditësh bashkëpunimin, me teknikun durrsak që u largua nga skuadra e ‘Demave’ pas aventurës në Kupat e Europës.

Tashmë, drejtuesit e klubit kuq kanë nisur nga puna për të përzgjedhur trajnerin që do të drejtojë ekipin në sezonin e ri, edhe pse përkohësisht skuadra është nën drejtimin e drejtorit sportiv Arbër Abilaliaj.

Sipas ‘SuperSport’ mësohet se të kuqtë dëshirojnë dhe kanë kontaktuar me Ivan Gvozdenovic, që aktualisht është në krye të Skënderbeut. Por, trajneri serb iu ka bërë të ditur se është nën kontratë me korçarët dhe në këtë formë nuk mund të vendosë për të ardhmen e tij.

Të gjendur para kësaj situate, drejtuesit e Partizanit, ku kuptohet presidenti Gazmend Demi, kanë vendosur të kontaktojnë me presidentin Ardian Takaj, dhe në rast se gjejnë gjuhën e përbashkët me numrin një të Skënderbeut, atëherë do të firmosin me Ivan Gvozdenovic.

45-vjeçari serb është në krye të Skënderbeut prej dy vitesh, duke i ngjitur bardhekuqtë në Superiore pas rënies në Kategorinë e Parë, ndërsa në sezonin e fundit, i renditi juglindorët në vendin e katërt duke siguruar pjesëmarrjen në “Final Four”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll