Sport

Brazili humbet edhe Casemiron...

Mesfushori i Manchesrter United nuk do të luajë kundër Anglisë dhe Spanjës

17 Mars 2024, 11:30 Nga DOSJA
Brazili humbet edhe Casemiron...

ANGLI - Brazili njoftoi tërheqjen e Casemiro, mesfushorit të Manchester United, për miqësoret kundër Anglisë dhe Spanjës, përkatësisht më 23 dhe 26 mars dhe në vend të tij ka thirrur Pepê, sulmuesin e Portos.

Trajneri i ‘Canarinha’-s, Dorival Júnior, në një video të publikuar nga Konfederata e Futbollit të Brazilit (CBF), u ankua për humbjen e mesfushorit të “Djajve të Kuq” dhe justifikoi thirrjen e Pepê, fillimisht sulmues, por i kthyer në mesfushor.

Pa hierarkinë e Casemiros, trajneri do të duhet të rindërtojë bërthamën e ekipit midis André (Fluminense), Andreas Pereira (Fulham), João Gomes (Wolverhampton), Bruno Guimarães (Newcastle), Douglas Luiz (Aston Villa), Lucas Paquetá (West Ham) dhe Pablo Maia (São Paulo).

Kjo është humbja e katërt e pësuar nga ‘Canarinha’ përpara dy miqësoreve të këtij muaji kundër Anglisë dhe Spanjës, pas lëndimeve të portierit Ederson (Manchester City), qendërmbrojtësit Marquinhos (Paris Saint-Germain) dhe anësorit Gabriel Martinelli (Arsenal).

Si zëvendësues për këta, Dorival shtoi në listën e tij portierin Léo Jardim (Vasco da Gama), mbrojtësin Fabrício Bruno (Flamengo) dhe sulmuesin Galeno (Porto).

Trajneri brazilian do të debutojë më 23 mars kundër Anglisë, në stadiumin “Wembley” dhe tre ditë më pas do të ketë një tjetër provë të vështirë kundër Spanjës, në “Santiago Bernabéu”, në Madrid.

Ato do të jenë gjithashtu edhe angazhimet e para të vitit 2024 për një ekip brazilian që sapo ka pasur një nga vitet më të këqija në historinë e tij.

Kur shpalli listën më 1 mars, Dorival kishte besim se Marquinhos do të rikuperohej në kohë, por në fund u detyrua ta largonte nga skuadra, për shkak të këmbënguljes së shqetësimit të tij fizik.

Para se të shpallte listën, ai kishte përjashtuar edhe portierin e Liverpool, Alisson Becker, i cili është larguar nga fusha për disa javë edhe për shkak të dëmtimit dhe pritet të mund të rikthehet vetëm pas pushimit të kombëtares.

Në këtë mënyrë Brazili do të përballet me Anglinë dhe Spanjën pa dy portierët titullarë, pasi aty nuk do të jenë as Ederson dhe as Alisson.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll