Aktualitet

Sot u arrestua në Spanjë! Kush është dhe përse akuzohet ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha

Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

14 Dhjetor 2023, 16:03 Nga A.B
Sot u arrestua në Spanjë! Kush është dhe përse akuzohet
Lulzim Berisha

TIRANË- Lulzim Berisha, ish-kreu i bandës së Durrësit, është arrestuar këtë të enjte (14 dhjetor) në Spanjë në kuadër të operacionit të koduar “Sant Joan”. 

Po kush është Berisha?

Lulzim Berisha njihet si truri i “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda në vend. Banda e Durrësit e ka nisur aktivitetin e saj që prej vitit 1998, ku Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.

Historiku i krimeve të Bandës së Durrësit

-17 tetor 1998

Organizata kriminale e drejtuar nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, më 17 tetor të vitit 1998.

-29 tetor 1998

Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, mbi bandën e Durrësit rëndon akuza e dy vrasjeve të tjera. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor 1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri.

-22 gusht 1999

Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998. Ai që mbeti i plagosur një vit më parë, Marsel Sotiri, më u ekzekutua në një pritë, në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit.

-9 korrik 2000

Prokuroria akuzon bandën për një tjetër vrasje. Këtë herë për atentatin ndaj Dritan Dishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit.

-14 janar 2002

Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha-Saliu. Më 14 janar të vitit 2002 i kanë zënë pritë dhe më pas është ekzekutuar shtetasi Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit.

-2003

Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre.

-26 shkurt 2005

Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Një nga ish-bashkëpuntorët më të ngushtë të Lul Berishës, Saliu u vra 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.

-13 tetor 2005

9 muaj më pas ka ardhur edhe kundërpërgjigja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle, i cili akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit.

-30 tetor 2005

Hakmarrja e grupit të kryesuar tanimë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq, por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e Ilir Kolgjinit, mik i Lul Berishës. Vrasja ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Seriali i vrasjeve u bë edhe më i qartë kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.

-6 prill 2006

Data e mësipërme do të shënontë goditjen e një prej bandave më të rrezikshme në vend në Tetovë. Lulzim Berisha, njeriu që e drejtoi për 10 vjet me radhë “bandën e Durrësit” mes vrasjesh e trafiqesh droge dhe armësh do të arrestohej në Maqedoni pas një urdhëri ndërkombëtar arresti të lëshuar nga Shqipëria.

lulzim berisha

Sondazh

Poll