Sport

Mesazhi i Infantinos: "Futbolli i ka treguar botës se mund të ketë unitet"...

Presidenti i FIFA-s vlerësoi konfederatat kontinentale që ranë dakord për organizimin e Kupës së Botës 2030 dhe 2034

4 Nëntor 2023, 10:14 Nga DOSJA
Mesazhi i Infantinos: "Futbolli i ka treguar botës se mund të

BRAZIL - Gianni Infantino, president i FIFA-s, në fjalimin e tij në Kongresin e 77-të të CONMEBOL-it, të mbajtur në Rio de Zhaneiro (Brazil), vlerësoi konfederatat kontinentale që kanë rënë dakord për organizimin e Kupës së Botës 2030 dhe 2034 dhe deklaroi se futbolli ka dërguar një mesazh të rëndësishëm për unitetin në mbarë botën.

“Dua të falënderoj dhe përgëzoj të gjithë, veçanërisht presidentët e konfederatave dhe anëtarët e Këshillit të FIFA-s, sepse mendoj se u kemi treguar të gjithëve se është e mundur të arrihet konsensus dhe unitet në vendimmarrje”,- tha ai. "Unë mendoj se në këtë botë, ku, për fat të keq, ka shumë dhunë, ne kemi nevojë për mesazhe bashkimi dhe vëllazërimi si ky."

Kupa e Botës në Spanjë, Marok dhe Portugali

Pas konsultimeve të gjera me të gjitha konfederatat, Këshilli i FIFA-s ra dakord, në seancën e tij më 4 tetor, që oferta e vetme për Kupën e Botës FIFA 2030 do të jetë Spanja, Maroku dhe  Portugalia. Për më tepër, për të festuar 100-vjetorin e Kupës së Botës, u vendos që të luhen edhe tre ndeshje në Uruguaji, Argjentinë dhe Paraguaj, nga një në secilin vend.

U ra dakord gjithashtu, që shoqatat anëtare të AFC dhe OFC do të ftoheshin të deklaronin interesin e tyre për të pritur Kupën e Botës FIFA. Më pas, FIFA mori një deklaratë interesi nga Federata e Futbollit të Arabisë Saudite përpara datës 31 tetor (data e mbylljes së afatit).

Kupa e re e Botës për Klube

Deklarata e presidentit të FIFA-s erdhi në prag të finales së “Copa Libertadores” të CONMEBOL, e cila do të luhet mes Fluminense dhe Boca Juniors në stadiumin Maracaná të shtunën, më 4 nëntor.

Fituesi i kësaj ndeshje do të kualifikohet në Botërorin e Klubeve FIFA 2023, që do të zhvillohet dhjetorin e ardhshëm në Arabia Saudite 2023 dhe në Kupën e Botës për Klube FIFA 2025, që do të luhet në Shtetet e Bashkuara, ku për herë të pare do të marrin pjesë  32 ekipe. 

Deri më tani, Palmeiras dhe Flamengo, kampionë të “Copa Libertadores” përkatësisht në 2021 dhe 2022, kanë siguruar tashmë një vend nga konfederatat e tyre. Atyre do t'u bashkohet kampioni i “Libertadores” 2024 dhe dy skuadrat e para në klasifikimin CONMEBOL për periudhën 2021-2024.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll