Sport

Juventus gati 'të braktisë' Europën, me kusht që UEFA të mbyllë dosjen e hetimeve

Sipas “Tuttosport”, Juventus dhe UEFA janë pranë një kompromisi që do t'i përjashtojë bardhezinjtë nga Conference League e këtij viti, në këmbim të mbylljes së dosjes së tyre për shkeljet e FFP-së.

23 Qershor 2023, 16:35 Nga DOSJA
Juventus gati 'të braktisë' Europën, me kusht që

ITALI - Juventus dhe UEFA raportohet se janë afër një marrëveshjeje të paprecedentë, në lidhje me të ardhmen evropiane të bardhezinjve në sezonin e ri.

Ndërkohë, që vendimi i hetimit të pavarur të UEFA-s, për skandalin ‘Plusvalenza’ është në pritje, shkeljet e të cilit mund të kenë prekur llogaritë e FFP-së së Juventusit dhe rrjedhimisht marrëveshjen që nënshkroi me autoritetin evropian, shtatorin e kaluar për vetëm 3.5 milionë euro në vend të 19 milionë eurove të pritshme. 

“Tuttosport” raporton se një delegacion avokatësh ka udhëtuar nga Torino për në Nyon dhe se të dyja palët po negociojnë përjashtimin e sivjetshëm të “Zonjës së Vjetër” nga Europa, në këmbim që dosja e saj të futet në sirtar.

Kjo është një marrëveshje “falas” në bazë të së cilës Juve do të tërhiqet vullnetarisht nga Conference League, ku do të marrë pjesë që në fazën e ‘play-off’-it dhe që siç thekson “Tuttosport” pritet të shpallet së shpejti.

Kështu, Juventusi “sakrifikon” prezencën europiane në kompeticionin e tretë midis klubeve për t’u rikthyer më i fortë te “yjet” nga vera në sezonin e ri, nëse sigurisht që arrin të sigurojë një vend në top katërshen e Seria A.

Natyrisht, nëse ky skenar vërtetohet, do të jetë gjithashtu interesante se cila skuadër do të zërë vendin e Juventusit në ‘play-off’ të kompeticionit, duke qenë se për momentin nuk dihet nëse bileta do të transferohet te Fiorentina, apo sipas kritereve të tjera.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll