Bota

Rrëmbimi i 3 policëve në Veri/ Gërvalla jep DETAJET: U rrethuan nga 15 persona, i dërguan në Rashkë e më pas në Serbi

Ministrja e MPJD-së, ka shtuar se pas rrwmbimit ata janë dërguar brenda territorit në Rashkë ku pas një ore kanë ardhur forcat tjera të Serbisë dhe i kanë dërguar në Beograd, ku janë mbajtur deri më 16 qershor ku ka skaduar afati prej 48 orësh i mbajtjes në polici.

20 Qershor 2023, 17:26 Nga a.l

 

Rrëmbimi i 3 policëve në Veri/ Gërvalla jep DETAJET: U
Rrëmbimi i policëve në Veri

 

KOSOVË-  Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka zbardhur detaje nga takimi i ambasadorit Jetish Jashari me 3 policët e marrë peng nga Serbët të cilët akutalisht ndodhen në qendrën e paraburgimit në Kralevë. Në një konferencë për mediat, Gërvalla njoftoi se takimi i ambasadorit Jashari me tre oficierët, Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shemë Mustafa ka zgjatur 15 minuta me secilin prej tyre.

“Takimet janë mbajtur të ndara nga 15 minuta secili, dhe ata kanë treguar ngjarjen e rrëmbimit të tyre. Ata kanë theksuar si në vijim: Më 14 qershor rreth orës 12:30 minuta duke ngrënë drekën papritmas janë rrethuar nga rreth 15 persona të uniformuar të cilët më vonë kanë rezultuar të jenë pjesëtarë të forcave të sigurisë së Serbisë, të cilët i kanë sulmuar dhe çarmatosur dhe pastaj me thes në kokë i kanë dërguar tek makinat e tyre”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja ka shtuar se zyrtari policor Beqir Sefa ka theksuar se disa nga pjesëtarët e forcave të sigurisë së Serbisë kanë shkrepur armët në ajër.

“Në momentin e kidnapimit ata kanë qenë duke ngrënë drekë në tavolinën e improvizuar e cila menjëherë është afër gropës së parë dhe 15 metra larg gropës së dytë. Gropat hapen për të bllokuar kalimin përmes rrugëve ilegale. Të dyja gropat janë brenda territorit të Kosovës, sepse ne nuk hapim gropa në territorin e Serbisë”, ka treguar tutje Gërvalla.

Ministrja e MPJD-së, ka shtuar se pas rrëmbimit ata janë dërguar brenda territorit në Rashkë ku pas një ore kanë ardhur forcat tjera të Serbisë dhe i kanë dërguar në Beograd, ku janë mbajtur deri më 16 qershor ku ka skaduar afati prej 48 orësh i mbajtjes në polici.

“Kanë treguar se nuk janë maltretuar fizikisht, mirëpo nuk iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm vetëm nga një copë bukë. Ndërkaq Shem Mustafa i cili ka probleme kronike shëndetësore i është dhënë vetëm një injeksion dhe një pompë me frymëmarrje. Nga momenti i shqiptimit të paraburgimit ata janë vendosur në Kralevë, janë në dhoma të veçanta. Sipas tyre trajtimi është korrekt, u jepet ushqim në baza të rregullta ditore edhe pse cilësia është jo e mirë”, tha Gërvalla.

Gërvalla shtoi se Shem Mustafa ka treguar se i mungojnë medikamentet bazike dhe se kjo po ja vështirëson qëndrimin në burg.

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll