Bota

Tensione mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin Nagorno-Karabakh

Dy ish-republikat sovjetike të Kaukazit u përfshinë në dy luftëra, në vitet 1990 dhe 2020, mbi kontrollin e Nagorno- Karabakh, i cili njihet ndërkombëtarisht si pjesë e territorit azerbajxhanas, por i banuar kryesisht nga armenë. 

30 Maj 2023, 14:12 Nga m.s
Tensione mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin Nagorno-Karabakh
foto ilustruese

AZERBAJXHANI- Kanë shpërthyer sërish tensionet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, dy ditë përpara se të rifillonin bisedimet që synonin përfundimin e një marrëveshje paqeje, që të paktën në teori, do të zgjidhte konfliktin e tyre prej dekadash mbi enklavën e Nagorno-Karabakh. Dy ish-republikat sovjetike të Kaukazit u përfshinë në dy luftëra, në vitet 1990 dhe 2020, mbi kontrollin e Nagorno- Karabakh, i cili njihet ndërkombëtarisht si pjesë e territorit azerbajxhanas, por i banuar kryesisht nga armenë. 

Në vjeshtën e vitit 2020, Azerbajxhani rimori territorin e kontrolluar nga Armenia për dekada. Negociatat midis dy qeverive dukej se po përparonin javët e fundit, veçanërisht pas vendimit të kryeministrit armen Nikol Pashinyan për të njohur Nagorno- Karabakh si pjesë të Azerbajxhanit.

Por Jerevani akuzoi Bakun se po kërcënonte se do të përdorte përsëri forcën, duke komentuar deklaratat e presidentit azerbajxhanas Ilham Aliyev që kërkonte shpërbërjen e qeverisë "autonome" lokale në Nagorno-Karabakh. Një deklaratë e Ministrisë së Jashtme armene denoncoi se Aliyev po bën përsëri "kërcënime për genocid" dhe "po përgatit terrenin për një tjetër operacion agresiv kundër popullsisë së Nagorno- Karabakh ", sipas agjencisë së lajmeve Armenpress.

Tensioni mbetet i lartë, pavarësisht bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga SHBA, BE dhe Rusia, veçanërisht pasi ushtria azere vendosi një pikë kontrolli në korridorin e Laçinit, e vetmja lidhje midis Armenisë dhe enklavës, raporton "Protothema".

Armiqësitë në kufi janë të shpeshta. Aliyev tha se është koha, pas sukseseve të Azerbajxhanit në fushat e betejës në vitin 2020, që armenët të braktisin "iluzionet" për pavarësinë e Nagorno- Karabakh. Që do të thotë " binduni ligjeve të Azerbajxhanit, bëhuni qytetarë normalë, besnikë, hidhni simbolet e pseudoshtetit të tyre në koshin e mbeturinave dhe shpërndani të ashtëquajturin parlamentin e tyre", tha presidenti në fjalimin e tij të transmetuar nga televizioni shtetëror azerbajxhanas.

armenia azerbajxhani nagorno-karabakh

Sondazh

Poll