Bota

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thirrje ndërkombëtarëve: Dënoni provokimet nacionaliste të serbëve

KASH thekson se Kosova është shtet sovran dhe integriteti i saj territorial është i pacënueshëm, ku zbatimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve demokratike e ka shndrruar në një shembull demokracie për të gjithë rajonin.

30 Maj 2023, 14:11 Nga a.l.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thirrje
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë

KOSOVË- Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar lidhur me situatën në veri të vendit dhe protestat e njëpasnjëshme. Në një deklaratë për mediat, KASH i bën thirrje ndërkombëtarëve të ruajnë neutralitetin dhe të mbështesin Kosovën që të vendosë sundimin e ligjit dhe të kushtetutës në të gjithë territorin e saj, si dhe të dënojë e veprimet dhe provokimet nacionaliste të botës serbe.

KASH thekson se Kosova është shtet sovran dhe integriteti i saj territorial është i pacënueshëm, ku zbatimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve demokratike e ka shndrruar në një shembull demokracie për të gjithë rajonin.

NJOFTIMI I PLOTË: 

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka ndjekur dhe trajtuar në vijimësi situatën në veri të Kosovës. Kemi shprehur shqetësimin lidhur me paqëndrueshmërine dhe sigurinë në komunat me shumicë Serbe, si rrjedhojë e aktivitetit destabilizues e kriminal të strukturave parapolitike e paraushtarake paralele që veprojnë në këto komuna, të mbështetura nga Beogradi nëpërmjet agjencive të inteligjencës serbe, që po konfirmojnë dita ditës se janë proxy të shërbimeve sekrete ruse.

Në lidhje me zhvillimet e fundit, ritheksojmë se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe integriteti i saj territorial është i pacënueshëm. Zbatimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve demokratike e ka shndrruar Republikën e Kosovës në një shembull demokracie për të gjithë rajonin dhe në një kontributore të pazëvendësueshme të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajon e më gjerë.

Zbatimi i ligjit në të tërë territorin e Kosovës është bazë themelore për funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë, cka e bërë atë shembullin që përmendëm më lart.  

KASH vlerëson profesionalizmin e strukturave të sigurisë së Republikës së Kosovës në qetësimin e situatës dhe jetësimin e hapave dhe vendimmarrjeve demokratike, institucionale e kushtetuese, të realizuara së fundmi në veriun e vendit, për cka bashkësia ndërkombëtare shprehu mbështetje të plotë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen se qëndrueshmëria dhe zbatueshmëria e veprimeve më se të justifikuara të qeverisë së Republikës së Kosovës në drejtim të qetësimit të situatës ne veriun e vendit do të jenë të plota e eficiente në se qeveria do të vijojë të jetë e angazhuar në një konsultim dhe koordinim të pandërprerë me miqtë e saj, me BE dhe SHBA.

Në të njëjtën kohë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të ruajë neutralitetin dhe të mbështesë Republikën e Kosovës që të vendosë sundimin e ligjit dhe të kushtetutës në të gjithë territorin e saj, si dhe të dënojë e veprimet dhe provokimet nacionaliste të botës serbe, të Serbisë e të Presidentit të saj, sikundër ndodhi dhe me deklaratat e fundit të papërgjegjshme të tij.

Si paraqitet situata në veri të Kosovës? 

Qytetarët serbë kanë dalë sot sërish në protestë në veri të Kosovës për të ndaluar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në selitë e komunave në veri Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Protesta ka nisur pa incidente, ndërsa KFOR dhe Policia e Kosovës kanë ngritur barrikada sigurie rreth ndërtesave shtetërore për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Ndërkohë, kryekomunarët kanë njoftuar se për shkak të situatës, ata sot nuk do të paraqiten në zyrat e punës. KFOR ka bërë thirrje për uljen e tensioneve nga dy palët e konfliktit Kosovë-Serbi, ndërsa ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi për ushtarët e plagosur. Ngjarja është në zhvillim.

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll