Bota

Tensionet në veri të Kosovës/ Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Faktori ndërkombëtar të ruajë neutralitetin

KASH shprehet se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe integriteti i saj territorial është i pacenueshëm.

28 Maj 2023, 14:52 Nga a.l
Tensionet në veri të Kosovës/ Këshilli i Ambasadorëve
Foto nga tensionet në veri të Kosovës

KOSOVË- Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar për zhvillimet në veri të Kosovës dhe rindezjen e tensioneve mes dy vendeve. KASH shprehet se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe integriteti i saj territorial është i pacenueshëm. Poashtu KASH i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të ruajë neutralitetin dhe të mbështesë Republikën e Kosovës që të vendosë sundimin e ligjit dhe të kushtetutës në të gjithë territorin e saj, si dhe të dënojë e veprimet dhe provokimet nacionaliste të botës serbe, të Serbisë e të Presidentit të saj, sikundër ndodhi dhe me deklaratat e fundit të papërgjegjshme të tij.  

"Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të ruajë neutralitetin dhe të mbështesë Republikën e Kosovës që të vendosë sundimin e ligjit dhe të kushtetutës në të gjithë territorin e saj, si dhe të dënojë e veprimet dhe provokimet nacionaliste të botës serbe...", thuhet në reagim. 

REAGIMI I PLOTË: 

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka ndjekur dhe trajtuar në vijimësi situatën në veri të Kosovës. Kemi shprehur shqetësimin lidhur me paqëndrueshmërine dhe sigurinë në komunat me shumicë serbe, si rrjedhojë e aktivitetit destabilizues e kriminal të strukturave parapolitike e paraushtarake paralele që veprojnë në këto komuna, të mbështetura nga Beogradi nëpërmjet agjencive të inteligjencës serbe, që po konfirmojnë dita ditës se janë proxy të shërbimeve sekrete ruse.

Në lidhje me zhvillimet e fundit, ritheksojmë se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe integriteti i saj territorial është i pacenueshëm. Zbatimi i ligjit dhe funksionimi i institucioneve demokratike e ka shndërruar Republikën e Kosovës në një shembull demokracie për të gjithë rajonin dhe në një kontributore të pazëvendësueshme të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajon e më gjerë.

Zbatimi i ligjit në të tërë territorin e Kosovës është bazë themelore për funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë, çka e ka bërë atë shembullin që përmendëm më lart.

KASH vlerëson profesionalizmin e strukturave të sigurisë së Republikës së Kosovës në qetësimin e situatës dhe jetësimin e hapave dhe vendimmarrjeve demokratike, institucionale e kushtetuese, të realizuara së fundmi në veriun e vendit, për çka bashkësia ndërkombëtare shprehu mbështetje të plotë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen se qëndrueshmëria dhe zbatueshmëria e veprimeve më se të justifikuara të qeverisë së Republikës së Kosovës në drejtim të qetësimit të situatës në veriun e vendit do të jenë të plota e eficiente nëse qeveria do të vijojë të jetë e angazhuar në një konsultim dhe koordinim të pandërprerë me miqtë e saj, me BE dhe SHBA.

Në të njëjtën kohë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të ruajë neutralitetin dhe të mbështesë Republikën e Kosovës që të vendosë sundimin e ligjit dhe të kushtetutës në të gjithë territorin e saj, si dhe të dënojë e veprimet dhe provokimet nacionaliste të botës serbe, të Serbisë e të Presidentit të saj, sikundër ndodhi dhe me deklaratat e fundit të papërgjegjshme të tij. 

Ditën e premte qytetarët serbë kanë tentuar të bllokojnë objektet e komunave dhe të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar. Si pasojë, pesë policë mbetën të lënduar si dhe u dëmtuan katër makina zyrtare. Për zhvillimet e fundit në veri ka pasur reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të cilët kërkuan të mos përshkallëzohet situata pasi që kjo nuk ndihmon në procesin e dialogut mes dy vendeve. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, përgëzuan Policinë e Kosovës për punën e bërë, duke ritheksuar se ligji dhe rendi duhet të dominojë në gjithë vendin.

tensione në veri të kosovës kash

Sondazh

Poll