Sport

Garë treshe ‘brenda familjes’ për postin vakant të presidentit të Atletikës Shqiptare

Nesër, do të zhvillohet Asambleja e Jashtëzakonshme Zgjedhore për të zgjedhur presidentin e ri të Federatës Shqiptare të Atletikës për zhbllokimin e aktiviteteve të këtij sporti

18 Maj 2023, 20:07 Nga DOSJA
Garë treshe ‘brenda familjes’ për postin vakant të

TIRANE - Federata Shqiptare e Atletikës do të zhvillojë paraditen e nesërme Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore, pas dënimit me pezullim prej 5 vitesh të ish-presidentit Gjergj Ruli dhe me 4 vite të sekretarit të përgjithshëm Nikolin Dionisi nga Njësia e Integritetit të Altetikës, pjesë e Federatës Botërore (IAAF).

Në këtë situatë kanë dalë fillimisht katër kandidatura për postin e presidentit të FSHA-së, Taulant Stërmasi, trajner i Luiza Gegës; Artan Shyti, ish-president i FSHA-së dhe ish-zv.ministër i sporteve, ish-atlet rekordmen; Ferdinand Canaj ish-zv.president i FSHA-së dhe pedagog në universitetin e sporteve dhe biznesmeni Mirton Lika, i cili është tërhequr nga gara 24 orë më parë, duke e lënë atë në dorën e tre pjestarëve dhe antarëve të familjes së atletikës.

Kjo garë, për presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës, do të bëhet për një mandate në vazhdim të atij aktualit të ish-presidentit Gjergj Ruli, deri më 27 gusht të vitit 2024, për të zgjidhur ngërcin e krijuar me aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat kishin mbetur pezull për shkak të hetimit ndaj ish-drejtuesve të FSHA-së. Më pas do të zhvillohet asambleja zgjedhore për një mandat 4-vjeçar.

Rëndësia e këtyre zgjedhjeve merr më tepër vlerë edhe për shkak të Lojërave Olimpike që do të zhvillohen vitin e ardhshëm, Paris 2024, ku do të tentohet që vendi ynë të marrë pjesë me të paktën dy atletë. Mes tyre Luiza Gega, e cila do të marrë pjesë me kualifikim dhe një ftesë, ashtu si në Olimpiadën e shkuar.

Gjithsesi shumë gjëra mbeten të paqarta në këtë organizim të kësaj asambleje të jashtëzakonshme zgjedhore që do të zhvillohet në ambientet e Kompleksit Olimpik të federatave sportive, ku mungon ndjeshëm informacioni për gjithçka do të ndodhë për shkak të mungesës edhe të komunikimit me mediat të kësaj federate dhe organizatorëve të kësaj asambleje.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll