Sport

Pankina e Carlo Ancelottit në rrezik, e konfirmojnë dy emra të mëdhenj të klubit...

Orët e fundit, me ‘shuplakën’ e marrë nga Real Madrid në fushën e Manchester Cityt, largimi i Carlo Ancelottit është bërë sërish realitet...

18 Maj 2023, 15:53 Nga DOSJA
Pankina e Carlo Ancelottit në rrezik, e konfirmojnë dy emra të

SPANJE - A do të jetë fatale për Carlo Ancelottin ‘shuplaka’ e marrë nga Real Madridi në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Champions League kundër Manchester City? Orët e fundit trendi është dukshëm i keq për trajnerin italian. Teza e një largimi po përhapet edhe përmes emrave të njohur të klubit.

Predrag Mijatovic, ish-sulmuesi i Madridit, që shënoi në finalen e Champions League në vitin 1998 kundër Juventusit, foli në mikrofonin e Cadena SER. Dhe bazuar në njohuritë e tij për klubin, ka një shans real të besohet që Ancelotti është me të vërtetë në rrezik.

“Ancelotti? Më duket se është mjaft e vështirë për të vazhduar. Personalisht, do të doja ta shihja vitin e ardhshëm, por të dish pak se si mendojnë njerëzit që marrin vendimet në Madrid, është mjaft e vështirë për të. Pyetja është për Emilio Butragueño (lideri i Madridit që foli pas ndeshjes)... Ai sot nuk mund të thotë asgjë tjetër, veçse të kujtojë se ka një kontratë njëvjeçare. Por nëse i beson thellë një trajneri, thua se Carlo Ancelotti po qëndron, pikë. Nuk thua se ka kontratë, se i ka mbetur edhe një vit”.

Nga ana e tij, ish-trajneri i Real Madridit, Fabio Capello, i kërkon troç Carlo Ancelottit që të rishqyrtojë të ardhmen e tij, duke u shprehur në Sky Sport, se opsioni i një sfide në Brazil do t'i përshtatej shumë më mirë tani.

“Natyrisht që humbja e një gjysmëfinaleje 4-0 nga Real Madridit është një rezultat shumë i rëndë. Tani jam i sigurt, se Ancelotti do ta shqyrtojë këtë ofertë nga Brazili. Është më mirë të merret në konsideratë, për mendimin tim, sepse ka skuadra më të forta dhe për këtë arsye do të jetë e vështirë të paraqitet sërish në Champions League. Carlo mund ta mbyllë karrierën e tij të jashtëzakonshme në Brazil, ndoshta duke ngritur Kupën e Botës dhe kjo do të ishte më e mira, një sukses i jashtëzakonshëm. Oferta duhet pranuar për mua dhe jam i bindur se do ta mendojë këtë”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll