Bota

Të zhdukurit dhe Asociacioni, BE zbulon axhendën e takimit Kurti-Vuçiç, ç’do të ndodhë më 2 maj

I pyetur se si do të shkojë përpara procesi nëse nuk do të ketë përparim për themelimin e Asociacionit gjatë takimit të 2 majit, Stano përsëriti se BE-ja pret që palët të zbatojnë obligimet që kanë marrë.

28 Prill 2023, 13:45 Nga I.A
Të zhdukurit dhe Asociacioni, BE zbulon axhendën e takimit
Takimi Kurti Vucic

BRUKSEL- Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, konfirmoi se në takimin e ri të nivelit të lartë të dialogut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, i cili do të mbahet më 2 maj, në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Takimi do të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Si pikë e parë e agjendës do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit. Pika e dytë do të jetë paraqitja e draftit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, tha Stano.

I pyetur se si do të shkojë përpara procesi nëse nuk do të ketë përparim për themelimin e Asociacionit gjatë takimit të 2 majit, Stano përsëriti se BE-ja pret që palët të zbatojnë obligimet që kanë marrë.

Në përgjithësi ne nuk spekulojmë rreth asaj se çfarë do të ndodhë nëse diçka nuk ndodh. Ne presim që palët të jenë të përkushtuara për të zbatuar obligimet. E, formimi i Asociacionit është një obligim i qartë. Ne presim të lëvizim përpara dhe ne si lehtësues presim që të zbatohen obligimet që palët kanë marrë përsipër”, tha Stano.

Stano deklaroi se BE po përpiqet që të ndihmojë Beogradin dhe Prishtinën që të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre dhe të mos ketë spekulime.

“BE-ja si ndërmjetës po përpiqet të ndihmojë të dyja palët për të arritur progres, për të ecur përpara në procesin e dialogut dhe për të përmbushur obligimet e tyre. Ne po ecim përpara, duke bërë gjithçka që mundemi për t’i ndihmuar të dyja palët të bëjnë përparimin e nevojshëm drejt zbatimit,” tha Stano.

Takimi i 2 majit do të zhvillohet në kohën kur Kosova ka akuzuar Serbinë se ka shkelur Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, të arritur më herët gjatë këtij muaji.

peter stano dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll