Aktualitet

ME VIDEO- DINAMIKA- Përplasja e 9 automjeteve në Tiranë, urbani merr përpara mjetet para, 'Porsche' zhvendoset në trotuar

Urbani “Green Line” i linjës së Unazës mori përpara të gjitha mjetet që kishte në korsinë e tij. Nuk dihet nëse shoferi kishte shtuar gazin apo kishte humbur kontrollin e mjetit.

27 Shkurt 2023, 13:51 Nga A.B
ME VIDEO- DINAMIKA- Përplasja e 9 automjeteve në Tiranë, urbani
Momenti i aksidentit

TIRANË- Ora shënonte 11.35 dhe në Tiranë për pak ndodhi një tragjedi. Një autobus urban mori para disa mjete duke shkaktuar një aksident të shumëfishtë në një prej rrugëve më të frekuentuara në vend. Duke raportuar nga vendi i ngjarjes, 'Dosja.al' siguron videon e aksidentit të shumëfishtë që ndodhi ditën e sotme në kryeqytet, te “Ura e Tajvanit”. Sikurse shihet edhe në video, urbani “Green Line” i linjës së Unazës tenton që të bëjë disa manovra për të shmangur kontaktin me mjetet e tjera, por e paevitueshmja ndodh në mes të trafikut, e si pasojë autobusi urban përplaset fillimisht me një mjet tip 'Audi' e më pas merr përpara të gjitha mjetet që kishte në korsinë e tij. Para këtyre makinave ishte edhe mjeti luksoz tip “Porsche”, i cili nga përplasja lëviz përpara, duke u përplasur me trotuarin, pranë së cilës ndodhej stacioni i autobusit. Pra ndodh një aksident zinxhir, pasi përveç se autobusi merr para makinat që janë para dhe anash tij, mjetet përplasen edhe me njëra-tjetrën në pamundësi për të frenuar. 

Por përveç mjeteve, në trotuar ka pasur edhe kalimtarë që për fat të mirë, qytetarët që ndodheshin aty, largohen në kohë duke shmangur një tragjedi. Ndërkohë që të njëjtin fat nuk e kanë pasur drejtuesit e mjeteve që janë lënduar nga impakti i përplasjes, e kanë përfunduar në spital. Megjithatë, fatmirësisht, tragjedia është shmangur dhe nuk ka asnjë të lënduar në gjendje të rëndë.

Nga aksidenti u raportuan 9 të plagosur, mes tyre edhe shoferi i urbanit, ndërsa ky i fundit, sipas Policisë nuk rezultoi nën efektin e alkoolit, megjithatë ka dyshime lidhur me refleksin e shoferit, i cili po hetohet nga Policia. Po ashtu, do të kontrollohet edhe mjeti urban, për të parë nëse ka ndonjë defekt teknik që mund të ketë shkaktuar aksidentin. Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Bashkia Tiranë, duke ofruar pamjet e aksidentit, por ka heshtje nga kompania e urbanit. 

'Balkanweb' ka siguruar edhe videon e plotë të aksidentit:

Aksidenti ndodhi këtë paradite, duke u bërë rasti i disatë i të njëjtës linjë autobusësh që shkakton probleme në Tiranë. Edhe disa muaj më parë, një autobus doli nga rruga dhe përfundoi në lumin Lana, por fatmirësisht edhe ajo ngjarje nuk solli të lënduar rëndë dhe të vdekur. 

aksidenti masiv te tajvani

Sondazh

Poll