Politike

'Të mos harrosh është të parandalosh'/ Holokausti, Bushati: Atdheu ynë u shndërrua në një strehë të sigurtë për hebrenjtë

Bushati thotë se kujtesa për Holokaustin është ftesë për reflektim mbi një ligësi që lindi nga fjala dhe rrëfenja e rreme për hebrenjtë.

27 Janar 2023, 10:57 Nga A.B
'Të mos harrosh është të parandalosh'/ Holokausti,
Ditmir Bushati

TIRANË- Ish-ministri Ditmir Bushati ka përkujtuar ditën e Paralajmërimit dhe e Përkujtimit ndaj Viktimave të Holokaustit. Përmes një postimi të bërë në rrjetin social 'Facebook', Bushati thotë se kujtesa për Holokaustin është ftesë për reflektim mbi një ligësi që lindi nga fjala dhe rrëfenja e rreme për hebrenjtë. Ai thotë se shqiptarëve u vunë në test përballë historisë me atë që ndodhi. 

POSTIMI I BUSHATIT:

Kujtesa për Holokaustin është ftesë për reflektim mbi një ligësi që lindi nga fjala dhe rrëfenja e rreme për hebrenjtë, që dikur edhe pse pa hapësirën digjitale, tregoi se e keqja shpërndahet shpejt në çdo kohë e sistem.
Rrëfenja e rreme për hebrenjtë rezultoi në një nga tragjeditë e pashembullta për njerëzimin. Në thelb, preludi i Holokaustit ishte pasiviteti ndaj politikave ekstremiste dhe joshjes ndaj populizmit të asaj kohe. Ne shqiptarëve marrëzia e Holokaustit na vuri në test përballë historisë, vlerave dhe dashurisë për jetën. Atdheu ynë u shndërrua në një strehë të sigurtë për hebrenjtë në Europë.

Sot, teksa nderojmë viktimat e pafajshme që humbën jetën për shkak të Holokaustit, duhet të mos harrojmë mësimin që na jep historia, sidomos për brezin e ri, që përmes memories kolektive të forcojë ndjeshmërinë për të parandaluar që e shkuara të shfaqet si farë e keqe. #WeRemember #NeverAgain janë dy hashtagë që më shumë i drejtohen të ardhmes sesa të shkuarës. Të mos harrosh është të parandalosh!

ditmir bushati

Sondazh

Poll